Sot e nesër në Maqedoni - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Sot e nesër në Maqedoni

123
string(8) "Jon Leka" NULL
27.12.2016 11:01
Demokracia e ka këtë ligj: ai që ka më shumë deputetë ka legjitimitetin primar për të thirrur aleanca. Poashtu është fakt se ndryshimi i sjelljes së elektoratit ka ndodhur, por jo në favor të partive të reja aty, ngase votat i mori Zoran Zaevi e jo ata. Gjithçka përtej këtyre argumenteve është interpretim falsifikat. Çka tash? Edhe kështu, në këtë formacion aleancor partitë shqiptare do t'ia dalin se ndryshe nuk ka qeveri në Maqedoni. Ata që nuk i bashkohen kësaj cezure, në zgjedhjet e ardhshme nuk do jenë më: ose vetëm si dekor i parëndësishëm me histori të keqe.

«Politika është arti për t’i bashkuar njerëzit», kjo maksimë e Johan Althusius të shekullit 17, është esenca e përhershme e çdo politike të suksesshme. Tjerat janë të mendësisë divide et impera, që donë të thotë përçajë një masë sa më atomizueshëm, në nëngrupe e tarafe dhe përpiqu të sundosh atë në ndonjë formë – mundësisht nga fragmenti më i thyeshëm i saj. Formula e përçarjes paraprake në favor të përvetësimit të pushtetit në shtetet post-industriale madje duket si teatralikë simpatike që e bëjnë rëndom grupet e vogla për të futur kokën në sistem. Brenda popujve që ende nuk kanë zgjedhur çështjet bazike të ekzistencës së tyre mirëpo, metoda në fjalë është me pasoja fatale, dramatike, vetasgjësuese. Është fakt i përjetuar dhe dëshmuar historikisht se: ato kultura e identitete që janë copëzuar në çastet më kyçe të historisë së tyre janë shuar, pa lënë gjurmë!

Pikërisht përballë këtij rreziku gjenden sot shqiptarët e Maqedonisë. Patjetër: faji është i të gjithëve. Po aq i kristaltë është edhe argumenti tjetër: problemet nuk zgjidhen nga forma e interpretimit të historisë (pra se kush gaboi më së shumti), por duke u nisur nga gjendja reale siç është dhe si duhet të preket suksesi. Ata që kanë një vizion dhe ofertë se si të dilet nga gjendja kanë kuptuar (qoftë edhe të detyruar) atë që thoshte Althusius se pa bashkimin e njerëzve me të njëjtat probleme, s’ka politikë të suksesshme. Ata që nuk bashkohen në gjendje të këtilla kanë synime tjera, të atilla që duhet evituar duke i luftuar.

Tash kush në cilin tabor gjendet në Maqedoni? Cilat forca janë ato që duan suksesin dhe cilat ato që nëpërmjet përçarjes ëndërrojnë shtrirjen mbi kanapetë e këllëfshme të pushtetit – i kujdoqoftë ai?

II.

Para dhe pas tkurrjes në zgjedhje, BDI apeloi për bashkimin e partive shqiptare. E bëni këtë se parandjeu minimizimin apo për të futur nën kontroll spektrin politik shqiptar – kjo do të zbardhet më vonë. Përkundër kësaj, teza e plotë «analistëve», e cila aludon se nëpërmjet kësaj nisme Ali Ahmeti donë t’ia kthejë legjitimitetin partisë së tij nuk qëndron: ajo vazhdon të jetë partia me më së shumti deputetë (vetë) dhe marrja e përgjegjësisë për një nismë të tillë është baza e lojës në çdo demokraci vepruese. Fatmirësisht që e bën dhe bëri kështu, duke mos provuar metoda tjera të kapjes klandestine të edhe dy tre deputetëve për të vazhduar bashkëqeverisjen vetë, siç bëhet gjithandej.

Është pikërisht ky indikator që dëshmon nismën e BDI – së si të sinqertë – kësaj radhe!

Tjetra tezë që përdoret është ajo e ndryshimit. Të njëjtët «analistë» thonë se elektorati shqiptar deshi ndryshim që e manifestoi nëpërmjet votës dhe duhet të respektohet. Ku ndodhi ndryshimi? Të vetmin ndryshim që adresoi elektori etnoshqiptar është ai i kapërcimit në bllokun e atyre nga të cilët varen të drejtat e tij ekzistenciale. Kjo nuk ishte dëshirë dhe dashuri për ata që i diskriminojnë njëjtë tash e historikisht, por ishte hakmarrje ndaj të gjithëve që garonin brenda zgjedhjeve – jo vetëm ndaj BDI – së. Madje ndryshimi më tragjik u ndodhi tjerëve duke i hedhur jashtë lojës e jo BDI -së apo partive tjera. Edhe shfaqja e partive të reja duhet të shihet më shumë si rezultat i kësaj hakmarrjeje se sa të diçkaje tjetër. Ndryshimi pra ishte për LSDM – në e jo për shqiptarët. Dhe nëse duhet vërtetë të pranohet e materializohet ky fakt, atëherë ai thotë: votuesi donë me çdo kusht aleancë vetëm me Zoran Zaevin dhe aspak me Gruevskin e sjelljeve të muzhikut para-antik.

III.

Zijadin Sela, Gëzim Ostreni, Ali Ahmeti, Vesel Mehmedi e bënë atë që quhet ligji i Edmond Burke brenda traditës së filozofisë politike: ata ia dolën të shtypin pasionet personale për pushtet dhe singularitet në favor të shpëtimit të atyre që i votuan. Jo fati i tyre është në pashtegësi por ai i popullatave të tyre. Projektit për përpilimin e kërkesave themelore nuk i janë bashkuar ende Fadil Zendeli dhe Teuta Bilali (RDK), Menduh Thaçi dhe Bardhyl Dauti (PDSH) dhe tre deputetët e «Besa»-s. Të fundit që nga lindja e deri në ikjen e tyre nuk besojmë se kanë bërë dhe do pjellin veprim më të ndershëm se ky. Spektri politik shqiptare në Maqedoni nuk duhet të marrë edhe karakterin teofilik brenda se në këto rrethana është autogoli më autodestruktiv i mundshëm – sidomos për shkak të gjenealogjisë identitaro-politike e financiare të organizatës dhe për shkak besueshmërisë jashtë. Veçanërisht deklarimi i tyre se do të jenë aty pro kërkesave shqiptare në parlament, sinjalizon madje se i kanë hyrë udhës së metanojës – kjo është më mirë se pritur.

Veprimin më të pakuptimtë në këtë gjendje krize e përbëjnë dy deputetët e RDK – së Fadil Zendeli dhe Teuta Bilali. Që të dy me biografi jashtëzakonisht korrekte si nga aspekti intelektual ashtu edhe për nga ai politik, nacional e ngjashëm. Pse nuk bashkohen këta? Duket sikur vendimi dhe qëndrimi i këtyre ka të bëjë më shumë përçarjen e partisë së tyre në dysh e jo se preferojnë politika organizatash të dyshimta. A ia vlen kjo hasmëri për të rrezikuar bllokun shqiptar? Nuk e kanë lexuar Edmond Burke e nuk i kanë dëgjuar proverbat popullore aq të lezetshme shqiptare mbi «bashkimet» e tyre qoftë edhe imagjinare? Nëse nuk duan të ulen me një tavolinë me konkurrentin e tyre Vesel Mehmedi le të shkojnë ndaras. Nuk ia vlen që edhe këta të rrezikojnë emrat për histori si sabotuesit e qëllimtë të të drejtave shqiptare. Jo për kësisoj kalmajizmash të tipit: «partia jote partia ime». PDSH ka aq përvojë saqë si do të që sillet ia shkruan me vetëdije vetes portretin historik dhe si e tillë pritet në tavolinë.

IV.

Çka mund të ndodhë nëse koalicioni i ardhshëm do të jetë i matematikës 49+13 = 62 + 3 vota të zotuara të teofilëve panturqi, në metanojë e sipër? Janë 65 vota dhe Gruevski nuk ka asnjë gjasë. E pastaj?

Shqiptari i Maqedonisë është i tipit të hakmarrësit të ngadalshëm. Ai nuk flet, nënshtrohet, korruptohet materialisht nga gjendja e vështirë, por që nga çasti kur ta ndiej se mundet vetë dhe pa paketa nga Stambolli nis atë vendetën e tij të çuditshme të injorimit total e fyes të tjetrit deri në përdhosje të tij. Kjo donë të thotë: përkundër pardesyve ideologjike, fetare që mund t’ia veshim e mveshim nga koha në etapë ai në thelb mbetet subjekti me tempon më të gjatë të kujtesës që përdor si regjenerim të vetes, mbijetesës nëpërmjet dramës që përjeton tjetri gjatë ndëshkimit. Ata që e njohin shqiptarin aty e dinë: se ata që nuk do t’i bashkohen kësaj cezure jetike për mirëqenien e tyre duhet as mos e provojnë në zgjedhjet e ardhshme. Do të ikin sikur kurrë mos të ishin. Me garanci!

Matematika është e qartë: nëse dy RDK – të dhe PDSH i bashkohen nismës zgjedhjeve të ardhshme mund të shpresojnë të jenë faktorë garues serioz brenda demokracisë, nëse jo do t’i hajë moda si ata tjerët që e bënë “mainstreamin” e panevojshëm teofilik.

V.

As pas luftës dhe «Marrëveshjes së Ohrit» shqiptarët e aty nuk patën fuqi më të madhe se kjo. 10+3+2+2 si bllok përfaqësues, i plotë do t’i bënte ata dinjitoz dhe nuk do t’i digjte edhe ata politikanë që u duhen njerëzve atje. Prapëseprapë edhe kështu shkon por me një kristalizim: në zgjedhjet e ardhshme do të ketë sërish vetëm dy parti, ato tradicionalet BDI – PDSH (LR) e tjerat, ato, sipas të gjitha gjasave dhe me këtë sjellje do të hedhin shaminë dhe ishin vetëm sa për të hyrë në histori – si dëmtues, fatkeqësisht!

 

lajme të ngjashme