Smoking gun dhe VAR 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 30.09.2023 10:05 30.09.2023 10:05 Blerim Shala Raportet e Kosovës dhe Serbisë, qëmoti (dikush mund të thotë që nga vitet e luftës, apo, edhe nga shpallja e pavarësisë), nuk kanë mundur të përshkruhen aq qartë dhe aq thjeshtë, sa nga e diela e kaluar, (24 shtator), kur në ngjarjet në fshatin Banjskë, u zbardh e vërteta e mirëfilltë e këtyre marrëdhënieve. Në terminologjinë amerikane dhe angleze politike dhe asaj të sigurisë, Banjska meriton të kualifikohet si një ‘Smoking gun’. Nuk ka pra kurrfarë dyshimi se kush për çka është përgjegjës në këtë zhvillim që i konfirmoi të gjitha qëndrimet dhe akuzat e më parme të Qeverisë së Kosovës për qëllimet e njëmendta të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Veriun e Kosovës. Në terminologinë sportive dhe futbollistike, e cila këtu e ka vendin kryekëput për shkak të efektit të njohur për të gjithë ata që përcjellin futbollin, xhirimet e bëra me dron të Banjskës dhe hapësirës përreth, përfshirë këtu edhe atë të manastirit të njohur, kanë vlerën e teknologjisë së VAR-it. Mund të merret me mend se cili do të ishte reagimi i Serbisë ndaj këtyre ngjarjeve, pa këto xhirimet e jashtëzakonshme të dronit. Më në fund, u shfaqën, nga autoritetet e Kosovës, edhe të gjitha dokumentet përcjellëse të këtij operacioni të njësitit paramilitar, së bashku me gjithë armatimin e gjetur atypari, i cili mjaftonte për organizimin deri në dyqind ushtarëve të këtij njësiti. Në anën tjetër, xhirimet e dronëve ndërkombëtar, konfirmuan, këtë të premte, që Serbia, pa bërë fare zë, ka mobilizuar në kufirin me Kosovën forca dhe armatim të paparë kohëve të fundit. Sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken, ia bëri këtë me dije Presidentit të Serbisë në bisedën telefonike të bërë të premten, por Vučić e mohoi një gjë të tillë, përkundër fakteve evidente të fotografive dhe xhirimeve nga qielli. Vuçiq, ndryshe, tutje përgënjeshtron që Qeveria e Serbisë ka përgjegjësi për ndërmarrjen e Milan Radoiçiqit dhe të grupit të tij, teksa njëkohësisht, nuk po bën gjë prej gjëje që ta ndjekë penalisht Nënkryetarin e deritashëm të ‘Listës Serbe’, dhe bosin e mirëfilltë të Veriut të Kosovës. Për më shumë, Vučić shpalli Ditë zie në Serbi dhe po i respekton të vrarët në Banjskë, si dëshmorë. Nëse pushteti i Serbisë nuk do të kishte fare hise në këtë ngjarje, atëherë do të sillej krejtësisht ndryshe dhe Milan Radoiçiq tashmë do të ishte i arrestuar. Për shkak të Banjskës, jo vetëm raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe ato në mes të Perëndimit dhe Serbisë, po gravitojnë kah zeroja politike. Duket që synimi i Perëndimit, në radhë të parë, i SHBA-së, që në vijim të tronditjes së madhe gjeopolitike pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, të kthehet Serbia mbarë, apo, që ajo të braktisë atë orientimin dy-drejtimësh (edhe me Perëndimin, edhe me Lindjen, apo, me Rusinë dhe Kinën), ka pësuar goditje më të madhe të mundshme. Në të vërtetë, çfarë u kuptua edhe një herë (prej nesh kjo dihet qëmoti), është që krye-testi për Serbinë se çfarë politike po ndjek është Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, e jo dy mënyra se si formalisht Beogradi zyrtar dhe Presidenti Vučić kanë kualifikuar luftën në Ukrainë. Në këtë kontekst, çfarë ka bërë Serbia e Vuçiqit të dielën në Veriun e Kosovës, është pa kurrfarë dyshimi, provokimi më i madh që nga përfundimi i luftës në Kosovë, është shkelje e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe është sprova më evidente e sigurisë dhe stabilitetit në këtë pjesë të Evropës që nga shkurti i vitit të kaluar kur nisi lufta në Ukrainë. Thomas Friedman, gazetari dhe publicisti i njohur amerikan, të thuash shokoi lexuesit e tij dhe politikën zyrtare amerikane, kur pak javë më parë deklaroi që nuk sheh se si mund të normalizohen marrëdhëniet në mes të Izraelit dhe Arabisë Saudite, kur njëra prej qeverive (fjalën e kishte për atë të Izraelit të Kryeministrit Netanyahu), nuk është fare normale. Duket që ky vlerësim i Friedmanit mund në vihet në përdorim, pa bërë kurrfarë gabimi, në përshkrimin e procesit të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Është shumë vështirë, në mos edhe e pamundur të kryhen punët si duhet, prej BE-së, SHBA-së dhe prej nesh, me një pushtet të këtillë në Serbi. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.