Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Siguria Evropiane pas Samitit të NATO-s në Madrid

123
string(13) "Javier Solana" string(116) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/09/Javier-Solana-conferencia-speaker-OTAN-European-Union-940x660-1.jpg"
nga Javier Solana 26.06.2022 10:45

Në fund të qershorit, 25 vjet pasi Madridi priti për herë të fundit një samit të NATO-s, kryeqyteti spanjoll do të jetë sërish skena e një kapitulli të ri në sigurinë evropiane. Dhe Evropa, në pjesën më të madhe, do të duhet të jetë protagoniste. Në fund të fundit, mbledhja e ardhshme e aleancës, duhet të na ndihmojë ne evropianëve, të rritemi dhe të marrim përgjegjësitë tona në lidhje me sigurinë e kontinentit tonë. Ky është kontributi më i mirë dhe më i nevojshëm, që Evropa mund të japë për të ardhmen e NATO-s.

Konteksti i sotëm gjeopolitik është shumë i ndryshëm nga ai i një çerek shekulli më parë. Në samitin e saj të vitit 1997, në Madrid, NATO ftoi tri ish-vende të Paktit të Varshavës – Republikën Çeke, Hungarinë dhe Poloninë – për t’u bashkuar. Përveç kësaj, pas nënshkrimit atë vit të Aktit Themelues NATO-Rusi dhe themelimit të Këshillit NATO-Rusi, Evropa po shikonte një të ardhme të afrimit të paprecedentë me Kremlinin. Tani, sigurisht, ka mbetur pak nga ai optimizëm.

NATO-ja e ka treguar veten se është e domosdoshme për sigurinë e Evropës dhe është garancia më e mirë e sigurisë së saj kombëtare për një numër të madh vendesh. Një nga pasojat më të mëdha të luftës në Ukrainë, ka qenë aplikimi i Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO – dy vende me të gjitha kredencialet për të kontribuar pozitivisht në aleancë. Pas vendimit të fundit të qytetarëve danezë për t’iu bashkuar politikës së mbrojtjes së Bashkimit Evropian, institucionet, që përbëjnë bazën e sigurisë evropiane, po bëhen gjithnjë e më të lidhura.

Për dekada, një dikotomi e rreme midis evropianëve dhe atlantikëve ka nxitur një debat ‘steril’ dhe joproduktiv për sigurinë në Evropë. Sot, pakkush dyshon se evropianët duhet të kontribuojnë më shumë për aleancën dhe sigurinë evropiane dhe se ata duhet të zhvillojnë kapacitetin për të udhëhequr në krizat e ardhshme të sigurisë. Prandaj, pyetja është se si Evropa mund të kontribuojë më së miri në misionin e NATO-s.

Një Evropë e fortë është e domosdoshme për rigjallërimin e lidhjes transatlantike të sigurisë. Në një nga takimet e mia të para, si përfaqësues i lartë i BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, një ish-shef i shtabit të mbrojtjes britanike përshkroi në mënyrë përkatëse drejtimin që duhet të marrë kjo marrëdhënie. “Një Evropë që mbetet aleate me Shtetet e Bashkuara thjesht për shkak të dobësisë së saj, ka një vlerë të kufizuar”, tha ai.

Forcimi i marrëdhënieve transatlantike nënkupton pranimin se komponenti i saj evropian ka ndryshuar. Ngjarjet e muajve të fundit kanë treguar se BE-ja mund t’i përgjigjet kërcënimeve të sigurisë në mënyrë të koordinuar dhe të fuqishme. Sanksionet e gjera kundër Rusisë, financimi i përbashkët i furnizimeve me armë për Ukrainën dhe ideja e thjeshtë për të reduktuar në mënyrë drastike varësinë e Evropës nga energjia ruse, do të kishin qenë të paimagjinueshme vetëm disa vite më parë.

Përgjigja evropiane ndaj pushtimit rus të Ukrainës, pas masave të miratuara nga kontinenti për të zbutur pasojat ekonomike të COVID-19, ka konfirmuar se Evropa bëhet më e fortë në kohë fatkeqësish. Vërtetë, agresioni i presidentit rus Vladimir Putin e ka bërë më të lehtë bashkimin për Evropën. Por ambicia e liderëve të saj është e rëndësishme, duke pasur parasysh disa nga kostot ekonomike të masave për Evropën.

Baza për avancimin e integrimit evropian të mbrojtjes tashmë ekziston. Përparimi në 20 vjetët e fundit në politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes, përvoja e misioneve civile dhe ushtarake të BE-së, puna e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes dhe miratimi i Kompasit Strategjik e vendosin Evropën në një pozicion të favorshëm për t’u përballur me sfidën.

Gatishmëria e publikut kombëtar dhe e institucioneve të BE-së për të financuar projekte të përbashkëta, për të forcuar sektorin evropian të mbrojtjes është një hap i parë thelbësor. Ndryshimi i fundit i politikës së qeverisë gjermane – gati dyfishimi i shpenzimeve të mbrojtjes në vitin 2022, në 100 miliardë euro – përfaqëson një mundësi historike për të financuar projekte me partnerë të tjerë evropianë.

Dhe Gjermania nuk është vetëm. Lufta në Ukrainë i ka shtyrë vendet anëtare të BE-së të shpallin rritje të paprecedentë në shpenzimet e mbrojtjes, që arrijnë në 200 miliardë euro gjatë katër viteve të ardhshme. Këto angazhime janë në kontrast me plogështinë e mëparshme të Evropës në këtë fushë. Gjatë 20 vjetëve të fundit, përqindja e rritjes në shpenzimet e kombinuara të mbrojtjes të vendeve anëtare të BE-së ishte tre herë më e vogël se ajo e ShBA-së, 15 herë më e ulët se ajo e Rusisë dhe 30 herë më e vogël se ajo e Kinës.

Për fat të mirë, shuma e shpenzimeve ushtarake është më pak e rëndësishme se sa shpenzohet. Ne duhet të shpenzojmë më mirë, së bashku dhe si evropianë. Shpenzimet e përbashkëta të mbrojtjes janë më efikase se përpjekjet kombëtare dhe ndihmojnë në përforcimin e bazës industriale dhe teknologjike të Evropës. Angazhimi i fundit i Komisionit Evropian për të ndarë 500 milionë euro për prokurimin e përbashkët të mbrojtjes, sugjeron se Evropa po shkon në drejtimin e duhur.

Evropa aktualisht mbështetet në shpenzimet jashtë kufijve të saj për 60 për qind të aftësive të saj ushtarake. Shpenzimet më të mira të mbrojtjes duhet të shmangin rritjen e varësisë së Evropës nga industritë e armëve të vendeve të tjera, pasi kjo do të minonte përpjekjet për të arritur një autonomi më të madhe strategjike evropiane. Por ndërsa ne duhet të inkurajojmë investimet në një industri tërësisht evropiane të mbrojtjes, Bashkimi Evropian i Mbrojtjes i propozuar nga presidentja e komisionit Ursula von der Leyen, nuk duhet të krijojë varësi të reja të brendshme nga të cilat përfitojnë disa industri kombëtare brenda Evropës.

Zhvillimi i politikës së përbashkët të mbrojtjes së BE-së as nuk përfshin ndarjen e përgjegjësive në lidhje me sigurinë evropiane dhe as nuk pretendon të zëvendësojë funksionin jetik që NATO përmbush. Përgjegjësitë e organizatave, që përbëjnë bazën e lidhjes së sigurisë transatlantike, do të mbeten të njëjta. Ajo që ka rëndësi është t’i marrim këto përgjegjësi me të gjitha kapacitetet tona ekzistuese.

Komentatori amerikan Walter Lippmann, tha se aleancat janë si zinxhirë: Ato nuk mund të jenë të forta me hallka të dobëta. Në prag të Samitit të Madridit të NATO-s 2022, kjo është mënyra më e mirë për të përshkruar sfidën politike me të cilën përballen marrëdhëniet transatlantike. Vetëm vullneti politik i evropianëve dhe liderëve të tyre do të jetë në gjendje të forcojë sigurinë e kontinentit tonë.

Publikuar në Project Syndicate, përkthyer nga Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme