Siguria e Ballkanit si interes nacional amerikan 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 26.08.2024 08:32 26.08.2024 08:32 Blerim Shala William Burns, Drejtori i CIA-s pati javën e shkuar një vizitë të pashoqe të një Shefi të Agjencisë më të madhe dhe më të njohur të inteligjencës në Botë. Brenda pak ditësh, Burns vizitoi Sarajavën (Bosnjën dhe Hercegovinën), Beogradin (Serbinë), Sofjen (Bullgarinë), Shkupin (Maqedoninë e Veriut) dhe Prishtinën (Kosovën). Në të gjitha këto kryeqytete, Burns është takuar me autoritetet më të larta politike dhe të sigurisë të këtyre shteteve. Diçka e tillë ndodhi për herë të parë kur bëhet fjalë për një Drejtor të CIA-s, ndërsa është tepër e rrallë edhe kur merren parasyshë diplomatët më të shquar amerikanë të decenieve të fundit. Ata që janë sadopak të informuar për karirerën diplomatike të William Burnsit, e dinë që ai ka arritur majat e angazhimit politik dhe diplomatik në SHBA, duke qenë i respektuar shumë nga te dy krahët e politikës amerikane, nga demokratët dhe republikanët. Në periudhën më kritike të negociatave për statusin e Kosovës në Procesin e Vienës, të prirë nga Presidenti Ahtisaari, Burns ka shërbyer në Moskë si Ambasador i Amerikës në Federatën e Rusisë. Ai ka pasur përgjegjësinë e komunikimit të vendimeve kryesore të Administratës së Presidentit George W. Bush për krijimin e shtetit më të ri në Evropës, atë të Kosovës. Burns është një njohës i shkëlqyeshëm i politikës së Vladimir Putinit, por edhe i shoqërisë ruse dhe këtu ai mund të krahasohet me George Kennanin e famshëm me ‘Telegramin e gjatë’, me të cilin menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore paralajmëroi Administratën e Presidentit Truman që atë e pret një përplasje e madhe me Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Presidenti amerikan Joseph Biden e pati të domosdoshme që ta kthejë në punë (Burns ishte tashmë i pensionuar), duke e bërë Drejtor të CIA-s, në kohën kur Administrata e Bidenit, siç do të shprehej vet Biden, ‘E ktheu Amerikën në Botë’ dhe rivendosi si prioritet partneritetit transatlantik dhe kundërvënien ndaj synimeve ekspanizioniste të Kinës. Nuk ka fare dyshim që pakkush në këtë Administratën e Presidentit Biden ka pritur që Bota të zhvendoset totalisht nga binarët e një normaliteti të kufizuar (normalitet të plotë vështirë që mund të ketë ndonjëherë), pas luftërave në Ukrainë dhe në Gazë. Burns e pati bindur Bidenin që të dhënat e CIA-s për një luftë të pashmangshme në Ukrainë, në vijim të agresionit rus, të bëhen publike. Burns ishte takuar me Putinin pak muaj para fillimit të luftës. E kishte kuptuar mirë që Putin nuk mund të ndalet dhe këtë ia pati bërë me dije Bidenit. William Burns u nis për Ballkan në ditët kur Sekretari i shtetit Antony Blinken udhëtoi për në Lindjen e Mesme, në përpjekjen e tij të radhës për të arritur një armëpushim në Luftën e Gazës, i cili pastaj do të transformohej në një paqe dhe në një proces kur përfundimisht do të gjindej zgjidhja për Palestinën, sipër modelit të dy shteteve. Qëndrimi i Burnsit në pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pati porosinë e saj gjeo-politike edhe në formë, edhe në përmbajtje. Mesazhi i formës është fare i qartë: Kjo vizitë e Drejtorit të CIA-s, duke u takuar për më pak se një javë me të gjithë autoritetet më të larta të pesë shteteve të Ballkanit, është konfirmimi më i qartë i mundshëm i Washingtonit zyrtar për këto anë të Evropës, të cilat viteve të fundit kanë njohur një involvim gjithnjë e më evident rus dhe kinez. Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor janë interes nacional i SHBA-së. Këtë e ka thënë Burns edhe përmes itinerarit të kësaj vizite. Në anën tjetër, mund të merret me mend edhe përmbajtja e porosive konkrete të Drejtorit të CIA-s me bashkëbiseduesit me të cilët u pa. Rajoni, realisht, nuk ka qenë kurrë më keq në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit, në aspektin politik dhe në atë të sigurisë. Po të ishte ndryshe (zatën), nuk do të mund të pritej (dhe as që do të ishte i domosdoshëm) një ‘tour de force’ e Burnsit javën e kaluar. Këndellja e rajonit dhe kthimi në atë rrugën e integrimit evropian, është kusht pa të cilin nuk bën për t’i tejkaluar sprovat e rrezikshme të sigurisë në këtë pjesë të Evropës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.