Si të bëhet Kosova anëtare e OKB-së? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 05.02.2022 14:47 05.02.2022 14:47 Është thënë shumë herë viteve të fundit që Bota dhe Evropa kanë ndryshuar shumë, dhe që ky ndryshim, nuk është aspak në dobi të Kosovës, apo të synimit tonë që të sigurohet stabiliteti afatgjatë ndërkombëtar i shtetit të Kosovës. Kosova është çliruar, në vitin 1999, në kulminacionin e fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake të SHBA-së dhe të BE-së, si dhe në pikën më të ulët të forcës politike, financiare dhe ushtarake të Federatës së Rusisë. Kina në atë kohë ishte ende larg SHBA-së dhe BE-së, në çdo aspekt të mundshëm. Çlirimi i Kosovës ka qenë gjithqysh i drejtë, nga çdo aspekt i mundshëm, por drejtësia është përmbushur në këtë rast, mbi të gjitha, si reflektim i raportit të fuqive kryesore në Botë. Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, pas një ndërmarrjeje ndërkombëtare të udhëhequr nga Presidenti Ahtisaari, si Emisar Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Në fillim të këtij procesi, u pati krijuar, përmes Parimeve Prijëse, në fillim të nëntorit të vitit 2005, një unitet i Grupit të Kontaktit, në të cilin pos pesë shteteve kryesore të Perëndimit (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë), bënte pjesë edhe Federata e Rusisë. Këto Parime të Grupit të Kontaktit, siç pati deklaruar më pas Presidenti Ahtisaari, në tërësinë e tyre, nuk lenin tjetër shteg për statusin e Kosovës, pos pavarësisë, me një mbikëqyrje ndërkombëtare. Për më shumë, në janarin e vitit 2006, në Londër, Grupi i Kontaktit pati miratuar një Deklaratë të Ministrave të Jashtëm (të cilën pra e mbështeti edhe Sergey Lavrov, Shefi i diplomacisë ruse), në të cilën spikatej qartë që statusi i Kosovës duhet të jetë në përputhje me vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Nuk kishte diplomat në Botë që nuk e dinte në atë kohë se cili është vullneti i shumicës së qytetarëve të Kosovës. Kina në këto vitet e negociatave për statusin e Kosovës, kishte një qëndrim që në parim Kosova është një problem evropian, që çkadoqoftë që ndodhë me statusin e Kosovës, ky nuk do të jetë model ndërkombëtar, dhe së fundit që në votimin eventual në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për pranimin e Kosovës në OKB-së, pasiqë të përfundojë procesi i prirë nga Presidenti Ahtisaari, Kina do të abstenonte, apo, nuk do ta përdorte të drejtën e veto-s. Në përgjithësi pra, rrethanat ndërkombëtare ishim të volitshme për ta përmbyllur kapitullin e statusit të Kosovës, me një epilog i cili ishte pak a shumë i qartë për të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtar. Megjithatë, raporti i forcave në mes të Perëndimit, Rusisë dhe Kinës nuk ishte më ai që kishte qenë në vitin 1999. Me 2 shkurt të vitit 2007, Presidenti Ahtisaari pati sjellë në Prishtinë dhe në Beograd Pakon e tij për statusin e Kosovës. Megjithëse këtu, në këto Pako, ende mungonte ai definimi eksplicit i statusit të Kosovës (‘pavarësi, fillimisht të mbikëqyrur ndërkombëtarisht’), përmbajtja e saj e tërësishme, nuk lente fare dyshim se cila do të jetë finalja e kësaj përpjekjeje ndërkombëtare të definimit të statusit të Kosovës, gjë që edhe do të konfirmohej në muajin mars të këtij viti, kur Presidenti Ahtisaari do t’ia ofronte Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon-it, Raportin e tij së bashku me CSP-në, apo Propozimin Gjithpërfshirës të statusit të Kosovës. Por vetëm tetë ditë më vonë, me 10 shkurt, në Konferencën e sigurisë në Mynih, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, do ta mbajë fjalimin e tij të njohur, i cili realisht kumtoi ndryshimin e politikës së Moskës zyrtare ndaj Perëndimit. Për Putinin dhe Lavrovin, të cilët një herë, në vitin 2005 u pajtuan me Parimet e Grupit të Kontaktit, e më pas, në vitin 2006, edhe me Deklaratën e Grupit të Kontaktit të Londrës, në ato rrethana, nuk kishte rast më të mirë se sa Kosova për të treguar se çfarë pasojash largëvajtëse do të ketë ky ndryshim i politikës së Rusisë ndaj Perëndimit. Moska zyrtare e dinte fare mirë që Serbia e asaj kohe, assesi nuk do të pajtohej me Propozimin e Presidentit Ahtisaari. Prandaj, e kishte lehtë ta përqafonte qëndrimin sipas të të cilit, Rusia do ta dakordohej me Propozimin e Ahtisaari-t, nëse vet Serbia do ta bënte fillimisht këtë gjë. Rusia bllokoi në pranverën e vitit 2007 të Pesë Draft-Propozimet e Perëndimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilat në mënyrë eksplicite apo implicite i jepej ‘drita jeshile’ Propozimit të Ahtisaari-t. Shteti i Kosovës sot e kësak dite, siç e dimë të gjithë ne, i vuan pasojat e kësaj politike të Rusisë, si dhe të mungesës së unitetit në BE për statusin e Kosovës. Por, rrethanat e tanishme ndërkombëtare janë më të ndërlikuara, më problematike, më të vështira se sa ato të viteve 2007, 2008. Kina e sotme mezi pret që të përballet me SHBA-në kudo që është e mundur. Rusia e Putin-it, në anën tjetër, nuk priton fare që në çdo rast të dëshmojë që është një shtet tjetër prej atij të viteve të nëntëdhjeta. Rruga e Kosovës për anëtarësim në OKB, nuk ka tjetër shteg pos Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina kanë të drejtë të veto-s. Megjithatë, nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë një Marrëveshje Gjithpërfshirëse e cila do të bazohej në njohjen reciproke formale të këtyre dy shteteve, atëherë, mund të llogaritet që përkundër pengesave të parashikueshme të Rusisë (në radhë të parë) në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Kosova do të mund të mbërrinte ditën kur flamuri i saj do të valëvitej në East River, (të New York-ut), në selinë e OKB-së.