Si funksionojmë si shoqëri? - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Si funksionojmë si shoqëri?

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
14.08.2021 10:09

Politika dhe shoqëria kosovare, në masë të madhe funksionojnë me logjikën e fushatës dhe reagimit, pasiqë tashmë i kemi vërejtë pasojat, apo, kur tanimë janë paraqitur dëmet të cilat godasin keq: Një shtresë të qytetarëve të vendit, një lokalitet, gjithë vendin.
Shembuj për këtë konkludim, parimisht problematik, kemi sa të duash.

I pari që na bie ndërmend, dhe i cili është më aktuali, është çështja e vaksinimit masiv të popullatës në mbrojtje nga Covid-19.
Ky proces nisi me 15 qershor, apo tash e dy muaj. Nisi në momentin më të mirë të mundshëm, kur numrat e përditshëm të të infektuarve në vend shënonin rënie të vazhdueshme, duke përmbyllur kështu valën e tretë të madhe të Pandemisë në Kosovë.

Megjithatë, ky zvogëlimi drastik i numrave dhe statistikave të Covid-19 (në një ditë, madje, numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend ra nën njëqind), nisi të lexohej gabimisht ndër ne, si një shenjë që virusit i ka ardhur fundi, dhe që vaksinimi i popullatës nuk është diçka urgjente, apo që mund të zhvillohet me një ritëm i cili reflekton vullnetin individual të qytetarëve për tu imunizuar.

Pasiqë statistikat pozitive dhe optimiste në këtë aspekt (me rënien e vazhdueshme të numrit të të infektuarve), u zgjatën edhe në pjesën më të madhe të korrikut, dukej që kësaj radhe kishim të drejtë, edhe pse paralajmërimet dhe parashikimet ishin goxha të qarta, për mbërritjen në Kosovë edhe të variantit Delta të këtij virusi, i cili përhapet shumë më shpejtë se ai varianti origjinal.

Fundi i korrikut dhe i gjithë gushti, sollën valën e katërt të Pandemisë, kësaj here, me shifra të cilat janë të pakrahasueshme me ato valët e mëparme, sepse kemi kaluar një mijëshin e të infektuarve në ditë.

Janë pesëdhjetëfishuar rastet e të infektuarve aktiv: Prej nën njëqind në fillim të korrikut, në mbi pesë mijë në mesin e gushtit.
Këtu tash vie në shprehje ajo logjika e reagimit dhe fushatës, të të gjithë neve.

Po ndodhë një mobilizim politik dhe mediatik në favor të vaksinimit masiv të qytetarëve të Kosovës, pasiqë statistikat bënë ‘shkrumb dhe hi’ atë konkludimin optimist dhe të gabuar që në të vërtetë, ne ndoshta edhe kemi krijuar atë ‘imunitetin kolektiv’, apo që shumica dërrmuese prej nesh tashmë e kemi kaluar virusin, prandaj, Kosova e ka këtë arritje, të ‘imunitetit kolektiv’, edhe pa siguruar së paku atë 60% e synuar të popullatës së vaksinuar.

Tani jemi dëshmitarë të kombinimit të fushatës, të reagimeve të mëdha, dhe të mësymjes për Qendrat e vaksinimit.
Po t’i kishim këto mend në fund të qershorit, me siguri sot do t’i kishim punët shumë më mirë me statistikat e të infektuarve dhe do të kishim ecur mirë në atë realizimin e qëllimit për arritjen, sa më parë që është e mundur, të një ‘imuniteti kolektiv’.
Por shembulli i vaksinimit të qytetarëve është vetëm njëri i kësaj natyre, që dëshmon se si funksionojmë ne si vend.
Rasti tjetër i cili ishte lajm politik dhe mediatik për një javë (a më shumë), kishte të bënte me helmimin me ujë në komunën e Deçanit. U bë bujë e madhe e tëra, reaguam si reaguam, me atë modelin e fushatës, shpërthyen emocionet, i bëmë do analiza se sa është i sigurtë kualiteti i ujit në të katër anët e Kosovës, a mund të ketë masa mbrojtëse më efikase të burimeve të ujërave, dhe me kaq e përfunduam punën. Deri te një rast i ngjashëm, diku tjetër në Kosovë.

Rastet tjera lidhen me dhunën në familje, me abuzimet e të gjitha llojeve të këtij lloji, me qasjen tonë ndaj natyrës, apo, të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e ruajtjes së natyrës, të mbajtjes së pastërtisë së ambientit, etj.etj.
Nuk është që nuk ka shenja të vetëdijësimit individual dhe kolektiv në Kosovë për të gjitha këto dukuri të cilat janë të rëndësishme për mënyrën se si gjallëron një shoqëri bashkëkohore, çfarë synojmë të jemi edhe ne.

Por edhe në preokupimin me këto dukuri, me më shumë merremi me pasojat, se sa me shkaqet, më lehtë e përfaqojmë atë qasjen e yryshit pasiqë na ka ndodhë një e keqe e madhe, se sa atë modelin e një pune të përditshme, sistematike, të organizuar, në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të cilat edhe në këtë rast, do të na paraqiten, por jo në masën me të cilën ne ballafaqohemi si vend, si shoqëri.
Edhe skena politike kosovare, në përgjithësi, funksionin me logjikën e fushatës dhe të ragimeve, në përcjellje të ngjarjve të cilat bëjnë lajmet e ditës në politikë dhe në media.

Për më shumë, në shembullin e politikës kosovare, periudha kur ajo funksionon dhe organizohet më së miri lidhet me atë të fushatës para zgjedhjeve të përgjithshme apo lokale.
Në këto javë, pushojnë ato armiqësitë e vazhdueshme, ndodhë një komunikim shumë më i mirë me qytetarët, ofrohen plane dhe projekte të cilat premtojnë ndryshimin e jetës së qytetarëve dhe ndryshimin, për të mirë, të gjendjes në Kosovë.
Kur të kryhen zgjedhjet dhe pasiqë të krijohen institucionet në nivelin qëndror apo edhe në atë komunal, i kthehemi konfrontimeve dhe përplasjeve të zakonshme.

lajme të ngjashme