Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

‘Shteti Hibrid’ i Serbisë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 31.03.2022 09:20

Nocioni i ‘Luftës hibride’, i cili thuaja kryekëput, viteve të fundit ndërlidhej me politikën e Rusisë së Vladimir Putinit, për të bashkuar në një vend, të gjitha ‘luftërat’ e mundshme që i bënte Moska zyrtare pos asaj klasikes, me synim të përmbushjes së qëllimeve të veta politike, diplomatike dhe ekonomike, prej 24 shkurtit të këtij viti u pasurua edhe me atë luftën në kuptimin e plotë të fjalës.

Çfarë po ndodhë në Ukrainë prej asaj dite, kur Rusia nisi invadimin e një shteti të pavarur, është pak a shumë e njohur për të gjithë.

Bashkimi Evropian dhe Aleanca Veri-Atlantike janë më të bashkuar se kurrë në njëzet vitet e fundit. Brukseli, me dy adresat kryesore politike dhe ushtarake të Perëndimit, duket i zotuar, si anjëherë më parë që nga përfundimi i ‘Luftës së Ftohtë’ që ta ndalë Rusinë në Ukrainë, dhe që më pas, të merret me punët e papërfunduara në rrumbullakësimin e shtrirjes së tij edhe në këto anë të Evropës, të njohura si Ballkani Perëndimor.

Kush në Bruksel nuk ka kurfarë dyshimi që kryepengesa në këtë ndërmarrjen e Perëndimit për ta ‘mbuluar’ politikisht dhe ushtarakisht këtë pjesë të Evropës është Serbia, dhe atë për disa arsye: Lidhjet e pushtetit të Aleksandar Vučićit me Rusinë e Putinit, karakteri autoritar i këtij pushteti, rastet apo shembujt konkret të destabilizimit të rajonit që vijnë nga Beogradi (Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina), mungesa e vullnetit të Serbisë së sotme për ta bërë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, teksa kjo (Marrëveshje), vlerësohet në BE dhe në Paktin NATO si çelës për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.

Lufta në Ukrainë dhe të gjitha pasojat që iu qepën asaj, kur bëhet fjalë për raportet në mes të Perëndimit dhe Rusisë, shpërfaqën paqëndrueshmërinë e politikës asnjanëse të Serbisë, e cila është definuar me atë ‘Neutralitetin ushtarak’, dhe me orientimin e saj në katër drejtime: SHBA, BE, Rusi, Kinë.

Në këtë kontekst, mund të thuhet që Serbia është ‘Shtet hibrid’, i cili, nën udhëheqjen e Presidentit Vučić, pretendon të luajë një rol në rajon, por edhe më gjërë, i cili nuk i takon fare, apo, është në shpërputhje të plotë me fuqinë reale politike, ushtarake dhe ekonomike që ka.
Ky karakteri ‘hibrid’ i Serbisë, sipas bindjes së Vučić-it, duhet t’i sigurojë asi pozicioni Beogradit zyrtar, që të jetë njëkohësisht i kërkuar prej Washingtonit, Brukselit, Moskës dhe Pekinit, teksa vet pushteti i Serbisë do ta bëjë përzgjedhjen e sendërtimit të interesave të vet në varësi prej ’ofertave’ që i merr prej këtyre shteteve dhe prej BE-së.
Në mënyrë fare konkrete kjo politikë e Presidentit të Serbisë u pa në vitet e para të Pandemisë (2020, 2021), kur ky siguroi vaksinat kineze, ruse dhe perëndimore. Njëlloj, ky bën edhe me armatimin për Ushtrinë e Serbisë, kur blen armë në të gjitha anët, më së shumti në Rusi dhe në Francë.
Vučić, dëshiron të shihet si pro-perëndimor, kur viziton Brukselin, Washingtonit dhe kryeqendrat e tjera perëndimore.

Ai kur shkon në Rusi dhe takohet me Putinin, bën be në miqësinë qindravjeçare të serbëve dhe rusëve.
Kur takohet me Presidentin e Kinës, Xi Jinpingun, Vučić shfaqet qind për qind i gatshëm që të bëjë çfarëdo marrëveshje që i levërdisë Kinës.

Vučić nuk është zbulues i kësaj qasjeje, i kësaj politike. Madje, brenda vet shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, tash e sa vite, ka qeveri të cilat i kanë po të njejat elemente të cilat aplikohen nga Presidenti i Serbisë. Dallimi i vetëm, por shumë i madh (natyrisht), është që për dallim prej këtyre shteteve anëtare të BE-së, Serbia së paku ende nuk është pjesë përbërëse e familjes evropiane.

Ai, deri pak javë më parë, kur shpërtheu belaja e madhe ushtarake, politike dhe ekonomike në Ukrainë, ka llogaritur që do të mund edhe shumë vite të vazhdojë me këtë politikë, e cila ndryshe, nuk ishte aspak ’neutrale’ kur bëhej fjala për mënyrën se si Vučić udhëheq me Serbinë, dhe çfarë botëkuptimi ai prodhon dhe favorizon në shoqërinë dhe politikën e Serbisë.
Vučić në këtë kontekst i ka dhënë krah, tash e së paku shtatë-tetë vjet, një politike pro-ruse në Serbi, teksa vet ka identitetin e mirëfilltë të një autokrati.

Vučić nuk e ka besuar që do të vie koha aq shpejt që për të marrë vendimet për drejtimin që do të merr Serbia në një të ardhme të afërt. SHBA dhe BE, megjithatë kanë mirëkuptim për faktin që ai këtë të diele, me 3 prill, do të ballafaqohet me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Vučić tash e disa javë, në komunikimin me politikanët dhe diplomatët perëndimorë, ka shfrytëzuar afërsinë e këtyre zgjedhjeve si justifikim që të mos ’merr anë’ qysh tash, apo që ta mos e braktisë këtë qasjen ’me Ukrainën, por jo kundër Rusisë’ (që është realisht paradoks i llojit të vet dhe madje, fyerje për logjikën). Legjitimimi i tij i sërishëm si President, me një Qeveri që do ta ketë edhe një herë përkrahjen e shumicës absolute në Kuvendin e Serbisë, sipas Vučić-it, (por, edhe sipas Perëndimit), është kusht pa të cilin nuk bën nëse prej tij do të kërkohen llogari ndërkombëtare.

Megjithatë, do të ishte naivitet i skajshëm politik që të pritet që Vučić njëmend me dëshirën dhe me vullnetin e vet, qysh në fund të kësaj pranvere do të kthehet mbarë, apo do ta bëjë përzgjedhjen finale të drejtimit të tij kah Perëndimi.
Kjo nuk do të ndodhë pas një presion të madh politik dhe ekonomik të Perëndimit.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme