Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shmangia e fajësisë për ngecjen e dialogut në Bruksel

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 02.03.2021 14:16
Ka argumente me bollëk në dobi të konkludimit që autoritetet më të larta të Kosovës (në ardhje), nuk do të duhej sërish ta bëjnë gabimin nga e kaluara, duke iu shmangur dialogut, apo, duke gjetur arsyetime të ndryshmet për të mos udhëtuar në Bruksel.

Sekush që është i familjarizuar me procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, pastaj, me rrethanat politike mbizotëruese në Kosovës dhe në Serbi, tutje, me zhvillimet e pritura në Bashkimin Evropian (zgjedhjet parlamentare në Gjermani, pastaj, zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm në Francë, si dhe me mungesën e një vullneti elementar në BE për mëkëmbjen e ndërmarrjes së zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor), e di fare mirë që gjasat që të ketë një përfundim të shpejtë dhe të suksesshëm të këtij dialogu, gravitojnë kah zeroja politike.

Në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet parlamentare pak javë më parë, dhe përkundër një rezultati brutalisht të qartë, në favor të Albin Kurtit dhe Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Qeverisë së re dhe Presidentit të ri, do t’i duhet kohë për ta marrë veten dhe për t’u organizuar si duhet, si në adresimin e temave kyçe të brendshme politike dhe ekonomike, ashtu edhe në ato që janë në përputhje me Agjendën ndërkombëtare të Kosovës, të SHBA-së, dhe të BE-së.

Në Serbi, në anën tjetër, që nga vjeshta e vitit të kaluar dihet që në muajin prill të vitit 2022, do të ketë super-zgjedhje, apo, që në të njëjtën ditë do të mbahen zgjedhjet presidenciale (Aleksandar Vučićit i skadon mandati i parë pesëvjeçar presidencial), ato parlamentare dhe lokale. Nuk pritet pra që Aleksandar Vučić, lideri aktualisht i pakontestueshëm i Serbisë, do t’i hyjë, pak kohë para mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, rrezikut të bërjes së një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse me Kosovën, me një pozicion fare të qartë Amerikan (Letra e Presidentit Biden), se cili duhet të jetë qëllimi i saj, dhe pa pasur kurrfarë qartësie e lëre më premtimi nga BE-ja sa i përket kornizës kohore për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, megjithëse mund të kalkulohet një bashkërenditje e plotë dhe e mirëfilltë në mes të Administratës së Presidentit Biden, BE-së, Gjermanisë dhe Francës në temën e dialogut të Brukselit, edhe për shkaqe të përmendura më parë, nuk pritet që Washingtoni, Brukseli, Berlini dhe Parisi mund të imponojnë një dinamikë më të madhe, me një synim të qartë dhe afatshkurtër, e cila do të shpiente tek ceremonia e nënshkrimit të një Marrëveshjeje të mirëfilltë në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit.

Kur të merren parasysh të gjitha këto elemente të njohura të ‘Ekuacionit të dialogut’, mund të zbardhet me margjina të gabimit të denja për hulumtim të opinionin  (pra, plus dhe minus pak për qind), se cila është detyra primare e Miroslav Lajčakut, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, gjatë vizitës së tij aktuale në Prishtinë dhe në Beograd  (në ditët vijuese).

Lajčak duhet t’i jep ‘oskigjeno-terapi’ dialogut të Brukselit, i cili është në gjendje ‘kome’, që nga fillimi i muajit shtator të vitit të kaluar, kur ndodhi takimi i mbramë në mes Kryeministrit (të atëhershëm), Avdullah Hotit dhe Presidentit Vučić. Pra, ideja mbizotëruese në Bruksel (me gjasë, edhe në kryeqendrat tjera kryesore të Perëndimit), është që të vazhdohet me Procesin e Brukselit, me Takimet e rregullta në të ardhmen e afërt në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučićit, edhe nëse ky dialog sivjet (së paku), nuk pritet të prodhojë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tek e mbrama, ky dialog, si i tillë, do të mund të shfrytëzohej, gjatë këtij viti, për t’iu kthyer ’Temës kujdestare’ të zbatimit të Marrëveshjeve të arritura në atë periudhën e parë të bisedimeve teknike dhe politike në Bruksel, apo, në harkun kohor 2011-2015.

Këtu, siç dihet tashmë, Presidenti i Serbisë do ta ngrisë si temë të veçantë jetësimin e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, gjë që pritet të hasë në kundërshtim nga pala kosovare, e cila ose nuk e sheh fare të udhës të merret me këtë temë  (qëndrim i njohur i Kryeministrit në ardhje, Albin Kurtit), ose e sheh ate si pjesë të kapitullit final të bisedimeve të Brukselit, kur me një Marrëveshje do të ndodhte njohja formale reciproke në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit  (qëndrim ky i Kryeministrit në largim, Avdullah Hotit).

Sidoqoftë, në të gjitha analizat e mundshme të kësaj sprove (të pashmangshme), për instancat më të larta të Kosovës, nuk shihet se çka mund të humbë Prishtina zyrtare, poqëse do të pranojë ta vazhdojë dialogun e Brukselit, duke mos mbajtë shpresa të mëdha  (së paku sivjet), dhe duke këmbëngulur në pozicionin e njohur, madje, konsensual në skenën politike të Kosovës (edhe pse të arritur pa bërë dialog të mirëfilltë të brendshëm), që bisedimet e Brukselit, tash e tutje kanë kuptim vetëm nëse do të flitet për elementin kyç të Marrëveshjes së mundshme, pra, për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Brukseli natyrisht preferon të mos jetë përgjegjës për vendumërimin e dialogut, teksa EUSR Lajčak dëshiron ta ushtrojë mandatin e tij, qoftë edhe nëse nuk do të arrihet së sjpejti Marrëveshja finale në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, nuk ka farë disponimi të madh për ta bërë dialogun, teksa nuk shpreson fare që mund të ketë ’përbërësa’ të tij  (në trajtë të ndonjë koncesioni domethënës nga ana e Prishtinës dhe me atë ’Hartën Rrugore’ të BE-së për anëtarësimin në BE në një periudhë afatmesme kohore), të cilët do ta joshnin apo motivonin ate që ta nësnhkruajë një Marrëveshje me përfaqësuesit e Kosovës.

Ai megjithatë, nuk do ta refuzojë dialogun në Bruksel. Nëse duhet, çdo javë ai do të udhëtojë në Kryeqytetin e BE-së, për tu takuar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, sa për të shprehur (kinse) vullnetin e tij për ta bërë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës, vullnet ky i cili pos tjerash, do të mund të shpërblejej me zhbllokimin e procesit të negociimit për anëtarësimin e Serbisë në BE  (vitin e kaluar, nuk është hapur asnjë kapitull në këto negociata).

Për Presidentin e Serbisë, do të ishte ideale poqëse sërish do të përsëritej situata (çfarë ishte në vitet 2018-2020), kur instancat më të larta të Prishtinës kishin marrë vullnetarisht barrën e përgjegjësisë për ngecjen e dialogut të Brukselit.

Në atë rast, ai do të fitonte sërish ‘pikë’ në këtë garën e vazhdueshme midis Kosovës dhe Serbisë për imazh më të mirë në Bruksel dhe në Washington (teksa dihet se kush e ka fituar bindshëm këtë garë që nga viti 2016-të deri sot).

Në anën tjetër, dihet që realisht tri Qeveri të Kosovës (në vitet 2017-2020), kanë ra, si pasojë e mospërmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të Kosovës, të cilat lidheshin edhe me dialogun e Brukselit. Më në fund, dihet që në vitet 2019-2020, ne mëdyshëm edhe marrëdhëniet me SHBA-në, në vijim të dallimeve substanciale në qasjen rreth dialogut me Serbinë.

Ka argumente pra me bollëk në dobi të një konkludimi të qëndrueshëm që autoritetet më të larta të Kosovës (në ardhje), nuk do të duhej edhe një herë ta bëjnë atë gabimin nga e kaluara e disa Qeverive, duke iu shmangur dialogut, apo, duke gjetur arsyetime nga më të ndryshmet për të mos udhëtuar në Bruksel.

Të gjitha këto arsye dhe të gjitha qëndrimet tona për dialogun me Serbinë, do të duhej të shpreheshin në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, natyrisht, duke pasur si orientim themelor atë synimin për njohjen formale reciproke.

Në të kundërtën, ne do të fajësohemi për ngecjen e këtij dialogu, teksa kooperativiteti i jonë në këtë bisedime, do të duhej të shfrytëzohej për ta rikthyer në Agjendën e BE-së temën e Liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me të cilën nuk po merret kush aktualisht në Bruksel.

klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme