15:02, 18 Shkurt 2020 Autor: Ismail Tasholli

Në përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Gjergj Fishta e shkruan një poezi. Në mes tjerash thotë: Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanë; / Pse sot ditë kangët s’asht për mue e tye… Është viti 1913. Brengat për Shqipërinë janë të mëdha. Hallet atëherë dhe sot tingëllojnë të njëjta. Me fjalë të tjera: copëtimi, klanet, korrupsioni, lufta e paskrupullt në mes familjesh për pushtet, e shumë gjëra të tjera ishin frika se data (28 Nëntori) nuk do të mbijetojë.

Letrën nga komisioni organizativ i Kongresit të Manastirit dërguar Faik Konicës, për pjesëmarrje në këtë kongres, e përqeshi ky i fundit. Madje, Konica i quajti ata “xhonturqit” e Manastirit. E shkroi një letër si përgjigje dhe shprehu bindjen e tij që kjo është veç një maskaradë e atyre që nuk dinë me shkru e me lexu, që s’do të ketë asnjë rezultat, dhe ky alfabet as që do të mbijetojë.

Halli dhe dilema e Konicës figurativisht ishte: e si mund të nxirret një alfabet nga ata analfabetë. Epo qe u nxjerr që ç’ke me të, madje dhe sot po i njëjti përdoret. Dy data të rëndësishme dhe dy qëndrime të njerëzve më të rëndësishëm të letrave shqipe.

Shembuj që tregojnë se si datat janë më të rëndësishme se mendimet dhe kritikat që u bëhen këtyre datave, qofshin ata Fishta ose Konica. Në kontekstin tonë politik, ku hamendësimet për rëndësinë e datës së 17 shkurtit janë të shumëllojta, na bëhet e qartë se data do t’i mbijetojë çdo kritike e mospajtimi momental. Të gjitha do të harrohen, e data do të mbetet si kulmi i kujtesës sonë historike, politike të shtetndërtimit.

Çfarëdo mosbesimi që na vjen për këtë datë (17 shkurt), edhe në format më perverse të krahasimit me atë se çka fituam e çka humbëm, duke krahasuar kohën e Jugosllavisë me të sotmen (dmth marrëzi totale), epo të dashur qytetarë e fituam datëlindjen e Republikës. Boll sa për fillim. Do të jetojë më gjatë se mospajtimet dhe frustrimet momentale të idhnakëve tanë në sportin e letrave.

Lajme të tjera