Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shkelja në mina që shihen me sy

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 24.07.2023 10:10
Blerim Shala
Blerim Shala

Nuk është hera e parë që Miroslav Lajčak, Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor, nxjerr ‘minat tokësore’ si argument të tij në shpjegimin e problemeve të mëdha të cilat janë shfaqur në procesin e zbatimit të Marëveshjes Themelore  (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit  (Ohër, 18 mars).

Kësaj radhe, diplomati evropian foli në veçanti për zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës, të mbajtura në muajin prill, të cilat ishin ‘mina tokësore’, të shkelura gabimisht nga faktori ndërkombëtar.

Natyrisht, ndërmarrjet e këtilla të ndërlikuara, çfarë është edhe kjo që synon normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjithsesi mund të përballen me sprova të mëdha, të cilat mund edhe të krahasohen me shkelje në ‘mina tokësore’. Për këtë shkak, ata që janë në krye të bisedimeve dhe negociatave të këtilla, provojnë që me kohë të ‘pajisen’ me hartat e ‘minave tokësore’, apo, përpiqen që t’i parashohin, sa më shumë që është e mundur, pengesat më të mëdha të cilat mund të prapakthejnë gjithë rrugëtimin e implementimit të një Marrëveshjeje.

Ndryshe, nuk ka gjasa në politikë dhe në diplomaci të parashihen, me saktësi shkencore, të gjitha telashet që mund ta prapakthejnë apo edhe ta zhbëjnë  (madje), një arritje të madhe negociatore që është kumtuar në trajtë të një Akordi ndërkombëtar.

Në rastin e dialogut Kosovë – Serbi, lehtësuesit apo ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, kanë pasur në posedim të tyre hartën me ‘minat’ kryesore edhe para se të arrihej pajtimi në Ohër për Planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë. Është ditur fare mirë, prej secilit që merr vesh sadopak në politikë, që nëse komuniteti serb nuk do të merr pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, do të jetë e pamundur të ecet para në procesin e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i Ohrit.

Pra, gjithçka ka qenë lehtë e parashikueshme. Asgjë nuk ka qenë befasi.

Përkundër kësaj, faktori ndërkombëtar, mbi të gjitha këtu bëhet fjalë për BE-në si kryepërgjegjësin e këtij procesi  (me mandatin e marrë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së), nuk bëri atë që duhej për të shmangur këtë ‘minë tokësore’, me ‘shpërthimin’ e të së cilës po merremi sot e kësaj dite.

Është thënë disa herë në të kaluarën, ia vlen të përsëritet edhe një herë: Qysh në mbrëmjen e 18 marsit në Ohër, kur finalizohej Drafti i Planit të zbatimit, kryediplomati evropian Josep Borrell dhe vetë Mirolsav Lajčak, të ndihuar gjithsesi edhe nga Gabriel Escobar, Emisari Special Amerikan në këtë proces, është dashur të sigurojnë përkrahjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić për pjesëmarrjen e ‘Listës Serbe’ në zgjedhjet e 23 prillit.

Adresimi i kësaj çështjeje ka qenë i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.

Është ditur që çfarë është arritur me dakordimin rreth Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të Ohrit, mund të zhvlerësohet në mënyrë thelbësore, nëse nuk do të ketë dalje të kënaqeshme të qytetarëve në zgjedhjet lokale të prillit.

Pësimi për të nxjerr një mësim këtu ka qenë fare i panevojshëm.

Tek e mbrama, nuk është fort e qartë se a ka sjellë kjo përvojë e pakëndshme një përfitim në trajtë të përpjekjeve të reja, më të vendosura madje, që tash e tutje të mos shkelet më në ‘mina tokësore’. Ne ende po merremi me pasojat e shpëthimit të kësaj ‘mine’. E në anën tjetër, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, e gjitha ndërmarrja e implementimit të Marrëveshjes Bazë dhe e Aneksit të Ohrit, është në një status të ngecjes së plotë, pa fare qartësi se çka do të mund të ndodhë tash e tutje në procesin që do të duhej të konkludohej me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Na kujtohet që në vjeshtën e vitit të kaluar, kur u lansua nisma franko – gjermane, diplomatët dhe politikanët perëndimorë theksonin që viti 2023 është pothuaj ideal për Marrëveshjen e Kosovës dhe Serbisë dhe për zbatimin e saj, se pastaj, viti 2024 do të jetë i tëri i zënë me zgjedhje të rëndësishme në Amerikë dhe në Evropë.

Përkundër parashikimeve pesimiste, vetëm katër-pesë muaj pas iniciativës franko – gjermane, ndodhi dakordimi i dy palëve për Marrëveshjen Themelore dhe për Aneksin e Zbatimit. Por ja, gati gjysmë viti më pas, të thuash gjithçka është kthyer në pikën zero. Ndërsa vetëm katër-pesë muaj na ndajnë nga fundi i vitit 2023.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme