Shfryrja e egove të strukura 123 string(14) "Albert Prenkaj" string(61) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2025/12/IMG_3622.png" nga Albert Prenkaj 11.11.2025 23:17 11.11.2025 23:17 Monologje të kontaminuara mediale Sipas Francis Fukuyama, në Italinë e Jugut dhe në Greqi gjatë shtetndërtimit kanë funksionuar shoqëri të bazuara tek familja si bazament i bashkëpunimit social, në mangësi të strukturës civile në mes familjes dhe shtetit. Sipas Joseph La Polombara në këto shoqëri: “Asocimet primare ende janë dominante: familja, lidhjet e gjakut, fqinjësia, fshati, pra janë akoma forma të asocimit ndaj të cilave individi ruan lojalitetin”. Një studiues tjetër, Sidney Tarrow shpjegon se kultura rustike është e ndërtuar rreth dominimit të dhunës, dhe ndërgjegjes së vdekjes (pra frikës nga vdekja) pozitës së pavolitshme të gruas në shoqëri, si dhe rolit mistik të korrupcionit në ekonomi dhe politikë. Mentaliteti i mashtrimit të shtetit Në vazhdën e këtij mentaliteti të mbyllur, mashtrimi i shtetit, i të huajit, si dhe të afërmit është fenomen i cili është i pranueshëm dhe shpesh i aplaudohet si dëshmi e zgjuarsisë. Në gadishullin tonë, urbanizimi ka ndodhur me lëvizjen nga qendrat rurale dhe të vogla urbane në qytet duke e ruajtur të gjallë Gemeinschaft (marrëdhënie shoqërore në mes individëve bazuar në lidhje të forta farefisnore dhe familjare – në komunitet), dhe asnjëherë nuk është ngritur në nivel të Gesellschaft (marrëdhënie shoqërore e ndërtuar në lidhje jo-personale, si detyrë ndaj shoqërisë, organizatës apo shtetit). Qeveritë që marrin pushtetin në emër të reformizmit dhe reformës strukturore, shpallin disfunksion sistemik si akuzë për të ndërmarrë veprime klienteliste strukturore. Leksikonet e institucioneve të larta ballkanizmin e trajtojnë si: shprehje që nënkupton mënyrën dhe sistemin i cili mbisundon në jetën publike të shteteve dhe popujve ballkanik, pra: mungesa e parimeve, lufta me mjete të palejueshme, mashtrim, vrasje politike, mito/korrupsion, pasioni për t’u pasuruar, servilizëm, vrazhdësia ndaj më të ulëtit, bizantizëm. Polarizimi shoqëror i shkaktuar nga strukturat dhe sub-strukturat politike kalojnë në dimension të krijimit të narracioneve etiketuese, përçmuese, denigruese që thërrasin madje në linçim. Kriza e egos së strukturuar dhe nevoja për katarzis Diskursi dogmatik me premisa të temave metafizike dez-(orienton) masën duke krijuar pole të egërsuara që me pasion dhe bindje të thellë deri në urrejtje shprehin mllefin ndaj oponencës politike. Dështimet personale kalojnë në rrafshin e blasfemisë shoqërore duke sajuar paragjykimin e portretizuar në një figurë politike të taborit kundërshtar politik. Egot e strukura nga rrethi shoqëror e ai familjar kanë shpërthyer në rrjetet sociale dhe në media periferike duke shfryer djallëzinë e grumbulluar ndër vite e në hapësira të mbyllura, duke e kontaminuar hapësirën publike. Katarzi është zgjidhje! Një dezinfektim moral, etik shoqëror është më se i nevojshëm!