Seria televizive ‘Adolescence’ 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 14.04.2025 10:10 14.04.2025 10:10 Blerim Shala Magjia e Realizmit Seria televizive si kjo, e emërtuar ‘Adolescence’ (në shqipe, ‘Adoleshenca’), e shfaqur në muajin mars (2025) në Platformën ‘Netflix’, të lënë pa fjalë. Apo, ajo imponon heshtjen si përgjigjen më autentike, më të denjë dhe më të sinqertë. Dhe seritë si kjo, e titulluar ‘Adolescence’, të shtynë të flasësh dhe të shkruash shumë, aq sa di dhe aq sa mundesh (ta merr mendja që mund të bësh një libër), në përpjekje për të shfaqur edhe në këtë mënyrë pëlqimin për këtë ngjarje shumë të veçantë në këtë dyndjen e pafund të filmave dhe serive në platformat e panumërta televizive, ku shumica janë fare të kota. Sa për argëtim dhe humbje kohe. François Truffaut, regjisori namëmadh francez, në këtë mënyrë pati përshkruar artin e të bërit të filmave. Në fillim, regjisori është i bindur që po e krijon një kryevepër, teksa kah fundi, aq shumë i humb durimi dhe aq shumë lodhet me të gjithat, saqë mëzi pret ta përfundojë atë film. Duket që në rastin e serisë angleze ‘Adolescence’, të cilën si regjisor e nënshkruan Philip Barantini, ka ndodhë një proces i anasjelltë. Mbase, në nismën e kësaj ndërmarrjeje, synimet e autorëve të saj, të Jack Thorne dhe Stephen Graham (i cili poashtu e luan rolin kryesor në ‘Adolescence’), kanë qenë fare modeste: Ta bëjnë një seri e cila do të shfaqë, në mënyrën më të qartë dhe më të mirë të mundshme një dukuri tej mase shqetësuese në shoqërinë britanike. Atë të dhunës tek adoleshentët. Dhe kanë përfunduar, duke përmbushur atë qëllimin nismëtar të regjisorëve sipas Truffaut: Kanë krijuar një kryevepër televizive dhe artistike. Asgjë në shikim të parë nuk dukej se do të jemi dëshmitarë të një arritjeje të kësisojt. Vet titulli i serisë ishte disi i zakonshëm, i rëndomtë, refuzues madje, aspak kreativ. Më shumë do të mund t’i rrinte atyre emisioneve edukative dhe arsimore televizive për këtë urë kaluese në moshë, kur nisë braktisja e fëmijërisë, dhe kur fillon të mbërrijë mosha e pjekurisë. Kush ka mundur të imagjinojë që ‘Adolescence’ është një fjalëkalim televiziv që mundëson hyrjen në zonën më të errët, më të çoroditur, më befasuese dhe gjithsesi, zonën me plot rreziqe dhe sprova, të një shoqërie çfarë është kjo britanike, teksa këtu menjëherë duhet shtuar që as kjo e jona, shoqëria kosovare, nuk dallon gjë prej gjëje prej kësaj në Britaninë e Madhe. Pastaj, për atë shikuesin e pavëmendshëm shumë dhe tashmë të mësuar me seri ku krimi, edhe në këtë moshën fare të brishtë, ndërlidhet me ato margjinat shoqërore të mbushura me drogë, me alkool, me prostitucion, me dhunë të gjithëllojshme, me përplasjen me rend dhe me ligj, apo, me abuzimet brenda familjes (jo shumë kohë më parë u përballëm, poashtu në ‘Netflix’, me serinë ‘Monsters’ kushtuar vëllezërve amerikanë Menendez, të cilët ekzekutuan me gjakftohtësi prindërit e tyre, teksa emërtimi ‘Monsters’, apo përbindëshat në shqip, nuk dihej a kishte të bënte me vëllezërit, me prindërit e tyre, me sistemin gjyqësor amerikan, me vet krijuesit e kësaj serie, Ryan Murphy dhe Ian Brennan, apo me të gjithët së bashku), seria ‘Adolescence’ ka mundur të duket, edhe me atë trailer-in e saj, si edhe një përpjekje e re televizive për tu marrë me temat e këtij lloji. Por, secili prej nesh (mbase), që i ka shikuar me një frymë (për të na lënë pa frymë, si thuhet), katër kapitujt e kësaj serie, do të mbërri në një përfundim të përbashkët: Asgjë nuk kemi parë, së paku për vite me radhë, si ‘Adolescence’. Asgjë nuk krahasohet dot me te. Madje, mund të thuhet këtu që kjo seri nuk mund të përthekohet në plotëninë e saj vetëm me një ecje/ shikim të saj. Të përngjet, në këtë aspekt, një muzike të mirë që nuk zihet a përjetohet dot pa e dëgjuar disa herë. Një ngjarje tragjike që është themeli i konstruksionit rrëfyes të ‘Adolescence’, i cili, pos tjerash, na e shfaq shthurjen e një ambienti shoqëror, imponon pyetjen imediate: A është kjo një ndodhi e vërtetë, që ka shërbyer si shtytës për ta krijuar dhe xhiruar këtë seri? Ai paralajmërimi i rëndomtë në rastet e tilla, që ‘kjo seri është bazuar në një ngjarje të vërtetë’, duhet të shtojë interesimin e shikuesve, veçmas kur kemi të bëjmë me rastet simotra me këtë që na del para nesh në këtë seri. Këtu, megjithatë, seria nuk na parathotë një gjë të tillë. Ajo, siç do të shpjegojë më pas ko-autori i saj, Stephen Graham, bazohet në disa ngjarje të ngjashme kur djemtë adoleshent kanë therur me thika vajzat, shoqet e tyre. Dhe i kanë vrarë. Pa farë shkaku, pa farë arsyeje. Kur dihet tashmë përmbajtja e serisë ‘Adolescence’, do të mund të thuhet diçka edhe më e rëndë se sa kur shfaqet ai paralajmërimi për serinë e bazuar në ngjarjen e vërtetë. Seria ‘Adolescence’ është e tëra e ndërtuar mbi realitetin e vërtetë. Mbi realitetin e tërë. Natyrisht, ky cilësim është shumë i rëndë. Më i rëndi i mundshëm. Një ngjarje, sado e rëndë që është, mund gjithmonë të cilësohet si aksident, si përjashtim, si diçka që ndodhë rrallë. Një realitet, asnjëherë nuk ka si të mbërrijë e ky kualifikim pak a shumë justifikues. Mbase për këtë fakt që seria ‘Adolescence’ na sjell këmbë e krye (si thuhet), realitetin e mirëfilltë të një shoqërie dhe të një brezi, natyrisht, me një realizim të shkëlqyeshëm televiziv, kjo ka arritur të shënojë rekorde të shikueshmërisë dhe notat më të larta të vlerësimeve të kritikës. Në tri javët e para të emetimit të saj, gati njëqind milionë shikime (më saktë 96.7 milionë), janë evidencuar në ‘Netflix’. Aktualisht, ‘Adolescence’ është në mesin e nëntë serive më të suksesshme në historinë e ‘Netflix’, teksa në 93 shtete anekënd Botës është renditur ndër dhjetë seritë më të shikuara dhe më të popullarizuara. Në anën tjetër, ‘Adolescence’ ka tronditur me themel politikën britanike, sepse ia ka bërë me dije të gjithëve, përfshirë këtu pra edhe politikanëve, që është një ‘Elefant në dhomë’ (si thuhet) të cilin nuk po e shohin as familjet, as shkollat, as politikanët, as shoqëria, askush. Ky ‘Elefant’, siç do të kuptohet më pas në këtë shkrim, është krejtësisht i dukshëm në Rrjetet shoqërore, në një realitet virtual, i cili gjithnjë e më shumë po e nënshtron dhe po e kontrollon atë realitetin e mirëfilltë. Pasojat e kësaj dukurie zaten duken katërçipërisht në këtë seri. Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, në reagimin e tij për ‘Adolescence’, theksoi që serinë e ka parë në shoqëri me djalin dhe vajzën e tij të moshës së shkollës, dhe që ajo e ka prekur shumë. Për më shumë, deputetja e Parlamentit britanik, Annelise Midgley, propozoi që kjo seri të emetohet në Parlament edhe në shkollat kudo në vend, sepse në këtë mënyrë do të ndihmohej shumë beteja shoqërore kundër dhunës ndaj vajzave dhe femrave. Megjithatë, pati edhe reagime fare kundërshtuese, si ai i Elon Musk, pasanikut të madh dhe këshilltarit të Presidentit Trump në Administratën e tij të dytë. Musk promovoi në X-in e tij që kjo seri shfaq një ‘propagandë kundër të bardhëve’, gjë që konfirmohet me faktin që Jamie, apo nxënësi që kryen vrasjen, është i bardhë, njëlloj si edhe vet viktima. Sipas tij kjo gjë nuk ka të bëjë fare me realitetin. Në kundërpërgjigjen e tij ndaj Musk, Jack Thorne, bashkë-autori i ‘Adolescence’ tha troç që ajo çfarë po deklaron ky (Musk), është një marrëzi. Dhe asgjë më tepër. Do të mund të shtohej këtu. Por, t’i kthehemi vetë rrjedhës së serisë ‘Adolescence’, apo asaj krye-ngjarjes e cila i bën themelet e saj: Vrasjes së një nxënëse trembëdhjetëvjeçare, të quajtur Katie, nga moshatari i saj Jamie. Stephen Graham, i cili në seri e personifikon të atin e Jamie-it, apo Eddie Miller-in, siç u tha tashmë, është ko-autor i ‘Adolescence’. Në shpjegimin e përmbajtjes së serisë, Graham pohon që ai dhe Jack Thorne, vendosën që vrasësi të mos jetë një ngatërrestar i zakonshëm i një familjeje që si me klishe del të jetë burim i devijimit social dhe ligjor të një të riu, sepse aty, në këtë familje, ka drogë, ka krim, ka abuzim, apo thënë ndryshe, ka shpjegim pse një i ri del të jetë aq i mbrapsht, më në fund, edhe kriminel. Ata përkundrazi, edhe në bazë të rrëfimeve të vërteta të mbushura me dhunë të këtij lloji në mes të nxënësve në Britaninë e Madhe, vendosën që familja e Jamie-t, të jetë një familje fare mesatare, me të mirat dhe të këqijat e saja, e cila ballafaqohet, si çdo familje e ngjashme, me telashet e përditshme. Tek e fundit, burimi i drejtpërdrejt i të keqes së madhe e cila sjell deri te vrasja e një teenager-i, këtu nuk është familja, dhe as ambienti i drejtpërdrejtë shkollor, por ai realiteti virtual i rrjeteve shoqërore. E duket që nuk ka familje në Britani të Madhe, dhe as në Kosovë, që nuk përballet me këtë sprovë: Dikush më pak, e dikush më shumë. Dikush e pranon atë, e dikush e injoron. Natyrisht, me pasoja. Graham kishte biseduar me Thorne për ta shkruar së bashku rrëfimin e kësaj serie, e cila bashkon një ngjarje tragjike (vrasjen e një vajze), një familje normale, një shoqëri në degradim e sipër, një Botë të rrjeteve shoqërore e cila i ri të gjithëve ‘mbi kokë’ (dhe i ka ‘hyrë në mendje e shpirt’ shumëkujt). Thorne i kishte bërë pastaj vet hulumtimet në Internet, kishte bredhur në qoshet më të errëta të tij, siç shpjegon vet ai, për të kuptuar se çka po ndodhë me rininë shkollore britanike, e cila ka krijuar ndjenjë të varëshmërisë nga Rrjetet shoqërore, nga gjuha dhe simbolet që sillen në këtë dimensionin e pashmangshëm të jetës së adoleshentëve. Ky ishte tmerruar se çka kishte parë dhe çka kishte lexuar krejt në këtë ‘Universin e errët’. Ai kishte kuptuar që prindërit e zënë me mbijetesën e familjes së tyre, arsimtarët e preokupuar me mbajtjen e rregullt të mësimit, politikanët që merren me të gjitha llojet e problemeve vendore dhe ndërkombëtare për t’i zgjidhur fare pak prej tyre në mes të dy cikleve zgjedhore, shoqëria që rrotullohet rreth vetes si planeti Tokë, nuk gjejnë kohë dhe vëmendje për të veneruar se çfarë po ndodhë aty fare pranë atyre, një hap larg tyre, e që e ka formën e një ‘bombe të kurdisur’ që mund të shpërthejë në çdo moment. Për këtë shkak zaten, porosia kryesore e Jack Thorne e cila u artikulua sipër përvojës së tij të punimit të kësaj serie është kjo: Për prindërit: dëgjoni fëmijët tuaj. Për mësuesit: dëgjoni nxënësit tuaj. Për politikanët: dëgjoni të rinjtë. Nuk ka përgjigje të thjeshta për këtë, por përgjigja më e mirë është: Lërini të flasin, ose gjeni një mënyrë për t’i bërë të flasin. Vetëm atëherë, ndoshta, mund të fillojmë të ndihmojmë, përfundon Thorne. Thorne dhe Graham, ndryshe, kanë ‘folur’ në mënyrën më të mirë të mundshme, apo, kanë alarmuar zëshëm dhe kumbueshëm për këtë gjendjen reale të rinisë shkollore në Britaninë e Madhe me serinë ‘Adolescence’, teksa regjisori i saj, Barantini, (pos tjerash i njohur për filmin e tij ‘Boiling Point’, apo ‘Pika e vlimit’, që si titull madje i ri shumë mirë kësaj vepre të përbashkët të këtyre të treve), edhe këtu, si një filmin e tij të përmendur, e përdor qasjen ‘One take’ me kamerën e tij që vetëm sa përcjell, këmbë, hap has hapi, çast pas çasti, protagonistët e ‘Adolescence’, në të gjitha zhvillimet që lidhen me ta dhe me këtë tragjedi. ‘One take’ si model i xhirimit është shumë i rëndë, shumë i mundimshëm, shumë sfidues. Por, ky ia vlen gjithsesi, siç shihet në ‘Adolescence’. Në këtë mënyrë pra, me ‘One take’, krijohet një atmosferë plot emocione, shqetësime, dëshpërime dhe ankth të cilën e përjetojmë edhe ne, si shikuesit e saj. Ne, dashtë e pa dashtë, bëhemi, kështu, bashkëpjesëmarrës dhe disi, bashkëpërgjegjës për këtë ngjarje, duke u vetëdijesuar, gjithnjë e më shumë që kjo e keqe irracionale, e pashpjegueshme thuaja, mund të na ngërthejë dhe të na godasë të gjithëve, kudo që jemi, pa pasur model a reçetë për t’i ikur asaj, për të shpëtuar nga ajo. Ndryshe, seria ‘Adolescence’, siç u përmend tashmë, i njeh katër episode apo katër kapituj të veçantë, të cilët janë të patitulluar, pos që në krye të tyre saktësohet koha e rrjedhës së ngjarjes, apo, Dita e Parë, Dita e Tretë, Shtatë muaj më pas dhe Trembëdhjetë muaj më pas kësaj tragjedie. Por, secila prej këtyre episodeve, në bazë të zhvillimeve në te, e meriton një emër a një titull të vetin. Kështu, ajo e parë lirisht mund të klasifikohet si ‘Vrapi pas të së vërtetës’. E dyta meriton të quhet ‘E vërteta e jashtme’. E treta, ‘e Vërteta e brendshme’. E katërta dhe e fundit, ‘Ikja nga e vërteta’. Ky ‘Vrapi pas të së vërtetës’ nisë me një hyrje brutale të policisë në shtëpinë familjare Miller, në ora 6.15 të mëngjesit, të një dite pune. Ne, si shikues stepemi, njëlloj si e gjithë familja Miller, e përbërë nga babai, një hidraulik, nëna, i biri dhe e bija e tyre. Të thuash familje ideale e reklamave për pushime vjetore: Burrë dhe grua, vajzë dhe djalë. Policia arreston Jamie-n, si të akuzuar për vrasjen e Katie-t. Te dytë janë nxënës të së njëjtës shollës fillore. Jamie, të cilin e personifikon shkëlqyeshëm Owen Cooper, kur i sulen policët në dhomë, madje, nga frika urinon në brekë. Ai është i tmerruar dhe i shastisur, si e gjithë familja e tij. Si ne, madje. Të gjithë ne, si përcjellës të ‘Adolescence’, goditemi nga këto skena lemeritëse dhe nga pyetja: Si është e mundur që ky djalosh është vrasës? Diçka këtu nuk është në rregull. Jamie dërgohet më pas në stacionin policor. Aty ai iu u nënshtrohet procedurave dhe rregullave të parapare me ligj. Ai duhet të përgjigjet në të gjitha çështjet e parashtruara në formularin policor. Në fund mbërrihet te dy pyetjet finale: A ke tentuar ndonjëherë të bësh vetëvrasje, dhe menjëherë pas saj (pasi Jamie përgjigjet me mohim), vjen pyetja e fundit: A ke ngrënë diçka për mëngjes? Të gjithë ne që kemi shikuar një mori seri të ngjashme televizive, jemi të bindur që herët a vonë do të ndodhë ajo ‘kthesa dramaturgjike’, e cila do t’i shkoj për shtati mendimit mbizotërues në këto raste, që në të vërtetë e tëra është vetëm një keqkuptim, apo që Jamie është i pafajshëm. Apo, se policia ka bërë gabim të madh. Megjithatë, kjo shpresë e jona (dhe e familjes së tij), bëhet shkrumb dhe hi kur policia ia prezenton atij, të atit dhe avokatit të tij, incizimin nga kamera e parkut të qytetit ku ka ndodhur përplasja në mes të Jamie-t dhe Katie-t, një mbrëmje më herët. Aty shihet qartë (dhe më qartë nuk ka ku të shkojë), që ky njëmend e ka therrë për vdekje moshataren e tij, pas një zënke të shkurtër, kur Katie e ka shtyrë dhe e ka rrëzuar Jamie-n në tokë. Ndërsa Jamie vazhdimisht mohon që e ka pasur Katie-n shoqe, e lëre më diçka më shumë. Ky poashtu mohon që atë natë e ka ndjekur atë hap pas hapi, gjë që njëlloj vërehet në një mori xhirimesh të kamerave të qytetit apo edhe të shitoreve. Në fund të këtij episodi, në dhomën e hetimeve mbesin vetëm babai dhe fëmija. Te dytë qajnë. Jamie, përkundër këtij xhirimi, mohon që është vrasës. Për te, gjithçka nisë dhe sosë me besimin që i ati ka në te. Kjo është e vërteta e vetme që atij i intereson. Prandaj, Jamie sërish bën be që ai nuk është në atë xhirim. Që ai nuk ka vrarë askënd. I ati e përqafon duke dënesë. Ai ende nuk dëshiron t’i besojë syve të tij. Pamjeve nga parku. Ai ende dëshiron të mbetet në brendinë e fjalëve të Jamie-t. Në brendinë e pafajësisë së tij. E cila nuk ekziston. Fare. Autorët e ‘Adolescence’, nuk lënë vend për dyshim. Vrasja ka ndodhur. Pikë. Jamie është vrasës. Pikë. Pikëpyetjet që shpërthejnë me shpejtësi ngulfatëse në fund të këtij kapitulli të parë shfaqin marrëzinë e një akti të këtillë më mes të trembëdhjetëvjeçarëve. Ajo pse-ja sillet dhe mbështillet në njëqind forma. Dhe asnjëra nuk lë vend për arsye dhe për ngushëllim. Pikë. Në episodin e dytë, të vendosur në ditën e tretë pas vrasjes, shohim dy inspektorët e policisë të cilët vizitojnë shkollën e Jamie-t dhe Katie-t, në kërkim të motivit të vrasjes, dhe armës (thikës), me të cilën është bërë ajo. Kamera e regjisorit Barantini na sjell oborrit, shkallëve dhe dhomave të mësimit të shkollës, e cila e tëra është një lëmsh dhe rrëmujë, ku askush askënd nuk e dëgjon dhe nuk e përfillë. Ku nuk ka rend, rregull, disiplinë. Ku nuk ka as arsim dhe as edukim. Ku shfaqet në trajtën më të keqe të mundshme kolapsi i shkollimit. Dhe i mbarë shoqërisë. Ku me gjasë, as një batalion policësh nuk do të mund të kuptojë dot se çka e ka shtyrë një djalosh të vrasë me gjakftohtësi një vajzë. Inspektori Luke Bascombe (të cilin e personifikon aktori Ashley Walters), do të mund ta kalonte dhe një vit të tërë aty pa zënë fillin e ngjarjes së rëndë, po mos të ishte i biri i tij Adam (të cilin e luan Amari Bacchus), poashtu nxënës në këtë shkollë, i cili e tërheq në një skutë (të një klase), për ta udhëzuar të atin me porosinë: Po e kërkon në vende të gabuara të vërtetën. Ajo nuk gjendet në klasë, në shkollë, por në Rrjetet shoqërore. Në Internet. Por i ati i tij i përgjigjet Adam-it që policia tashmë e ka bërë këtë, apo që i ka kontrolluar te dy llogaritë në rrjetet shoqërore të Jamie-t dhe Katie-t, dhe në bazë të komunikimit në mes këtyre të dyve, del që këta kanë qenë miq, në mos edhe diçka më shumë. Në këtë përfundim ka ardhur policia. Ta merr mendja që e tëra është ‘krim i pasionit’, si i thonë. Por Adam i tregon babait që në të vërtetë ka qenë e kundërta, dhe që as ai, si inspektor dhe as policia duket se nuk e kanë kuptuar natyrën e simboleve dhe të emoji-ve, të cilat Katie ia ka postuar Jamie-t, në komunikimin përmes mediave sociale. Adam ia shpjegon në detale, duke interpretuar çdo simbol dhe çdo emoji, se për çka bëhej fjala në këtë rast, apo që Katie është sjellë keq me Jamie-n, duke e bullizuar atë, dhe duke i thënë që ky përjetë do të mbetet Incel (shkurtesë për involuntary celibacy, apo celibat i padëshiruar), gjegjësisht që ky asnjëherë nuk do të arrijë të krijojë një lidhje romantike me një femër. Të qenit pjesë e komunitetit Incel, midis tjerash është ftesë për urrejtje ndaj femrave, sepse ato janë fajtore (sipas kësaj logjike të mbrapsht, natyrisht), që meshkujt nuk kanë lidhje dashurie me to. Pastaj, Adam ndanë me të atin edhe teorinë 80:20 të Andrew Tate, një ish kick boksier dhe personalitet ndikues (për të keq) në mediat shoqërore. Sipas kësaj teorie, 80% të femrave kanë interesim për 20% të meshkujve, që shfaq një shpërputhje të madhe të interesimit, të joshjes ndër-gjinore, dhe njëkohësisht, është burim i frustrimeve të mëdha mashkullore, dhe më në fund, edhe i urrejtjes dhe dhunës së këtyre meshkujve të margjinalizuar ndaj femrave, ku përfshihen edhe vrasjet. Këta të gjithë, që e shohin veten të tillë, janë pjesë e Manosferës, apo qarkullimit on-line, ku gravitojnë meshkujt që janë mizogjen. Është kjo një Botë e tërë simbolesh dhe domethëniesh krejtësisht të panjohura për inspektorin Bascombe dhe policinë. Bascombe i falënderohet të birit Adam për këtë ndihmë, teksa më pas e thërret të dalin edhe për drekë së bashku, i vetëdijshëm që edhe ai vet kohëve të fundit nuk ka qenë i afërt sa duhet me të birin. Vetëm pas këtij sqarimi të hollësishëm të Adam-it, i ati i tij dhe të gjithë ne marrim vesh për motivin eventual që ka mundur të ketë Jamie për të reaguar në mënyrë aq brutale ndaj mocatares së tij në shkollë. Prej emoji-t deri te thika, prej realitetit virtual deri te ai realiteti vdekjeprurës, është vetëm një hap i vogël. Dhe është edhe një vakum i madh i cili shkëputë komunikimin e duhur brenda familjes, në shkollë, në shoqëri, me pasoja lehtë të parashikueshme. E mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, dashuria dhe urrejtja, miqësia dhe konfrontimi, vlerësohen dhe vlejnë vetëm në këtë Botën virtuale e jo atë të njëmendtën. Episodi i tretë i serisë i quajtur tashmë në këtë shkrim, ‘e Vërteta e brendshme’, zhvillohet në tërësi në një dhomë të veçantë, brenda burgut në të cilin gjendet Jamie, në pritje të gjykimit. Këtu ndodhë biseda e pestë (siç kuptojmë nga rrjedha e këtij kapitulli), në mes të psikologes forenzike, Briony Ariston, të cilën e luan Erin Doherty dhe Jamie-t. Kjo nuk është psikologja e parë që provon të merr vesh, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke biseduar me Jamie-n, për shkaqet dhe arsyet që e kanë shtyrë atë ta bëjë krimin e rëndë. Asnjëri prej pararendësve të saj, nuk ka depërtuar dot në brendinë e Jamie-t (në atë ‘të Vërtetën e brendshme’), i cili tutje refuzon të pranojë që ka të bëjë fare me vdekjen e Katie-t. Atmosfera në këtë dhomë është shumë e rëndë. Ajo i ngjet një shfaqje teatrore. Kohë pas kohe dëgjohen rigat e shiut që godasin herë më rreptë, e herë më qetë kulmin e ndërtesës së burgut. Thuajse në këtë mënyrë përcjellin tonet e kësaj bisede. Gjatë gjithë rrjedhës së këtij episodi shfaqet, për herë të parë dhe të fundit, Jamie, i kryqëzuar nga brenda, në vetvete, dhe nga psikologja e cila me butësinë por edhe kokëfortësinë e saj përpiqet të merr vesh se kush është në të vërtetë Jamie, cila është familja e tij, cila është shoqëria e tij dhe çfarë ka qenë raporti i tij me viktimën. Ajo nuk e fsheh qëllimin e saj në këtë dialog. Briony i thotë Jamie-t, që dëshiron të merr vesh se si ky e mendon gjithë këtë situatë e cila e ka pllakosë në një moshë kaq të re. Ai vetëm kohë pas kohe jepet dhe i rrëfen ato ‘lidhjet e shkurta’ të tij me realitetin, me familjen, me shokët, mbi të gjitha me vet Katie-n, të cilat e kanë ‘ndezur’ veprimin e tij prej një vrasësi. Dy herë madje shpërthen në britma krejtësisht kundërshtuese ndaj psikologes, e cila e ruan qetësinë. Ajo është profesioniste. Ajo e do punën e saj. Për dallim prej oficerit të policisë, i cili e shoqëron atë deri te dhoma e Jamie-t, i cili e urren punën e tij dhe vendin ku gjendet. Nuk ka faj. Do të mund të shtohej këtu. Megjithatë, ne kot presim që Jamie-n të na shfaqet me fjalët që e zbardhin ndërgjegjen e vrarë të tij. Ai nuk mbërrin dot në këtë stad sepse e ka bindur veten që ky nuk ka lidhje me këtë krim. Jamie-t, përkundër të gjitha përplasjeve me Briony-n, dëshiron me çdo kusht t’i vazhdojë këto sesionet me te, teksa kjo në fund i thotë që ajo nuk do të vjen më ta shoh dhe të flasë me te. Ajo tashmë e ka krijuar mendimin e saj për te, të cilin duhet ta ndajë me gjykatën që do të merret me Jamie-n. Jamie-n e ndajnë dhunshëm nga psikologja. Atij i duhet që ta merr një pëlqim prej saj (jo atë like-n e mediave sociale), se aq shumë i duhet tani, kur i ka braktisur të gjithë ata me të cilët ka jetuar deri tash. Teksa ai largohet për në qelinë e tij, duke qenë i dhunshëm në piskamën e tij, kamera fokusohet në fytyrën e psikologes. Ajo merr frymë me të shpejtë. I mbushen sytë me lot. E kupton që ajo çfarë ka marrë vesh në gjitha këto ballafaqime me Jamie-n, në instancë të fundit nuk sqarojnë as nuk shpjegojnë gjë prej gjëje. Jamie është një djalë i mençur (këtë e thonë edhe në polici, kur ia bëjnë ekzaminimin fillestar psikologjik, në episodin e parë), i cili mendon që është i shëmtuar (e fare nuk është), i padobishëm, i dështuar, (këtë përshtypje ia ka imponuar komunikimi në mediat sociale, veçmas me Kate-n), i cili ka lënë në lloç, si thuhet, familjen e tij dhe para se të gjithash vetë jetën e tij. Dhe atë, si një trembëdhjetëvjeçarë. Këtë të vërtetë të kuptuar dhe këtë dështim me Jamie-n, psikologja e shfaq duke dënesur. Perdja bie. Kapitulli i katërt dhe final i serisë ‘Adolescence’, apo ‘Ikja nga e Vërteta’ (siç u pagëzua këtu, në këtë shkrim), i tëri përqendrohet në ditën kur babai i Jamie-t, Eddie Miller, i cili mishërohet shkëlqyeshëm nga ko-autori i serisë dhe aktori me nam Stephen Graham, feston 50 vjetorin e lindjes. Kanë kaluar trembëdhjetë muaj nga ngjarja tragjike. Jamie po e pret gjykimin, duke refuzuar (tutje), që e ka vrarë Katie-n. E ëma e Jamie-t, Manda, të cilën e luan aktorja Christine Tremarco, është bërë gati në mënyrë të veçantë për këtë ditëlindje të burrit të saj, për t’ia kthyer disi, së paku për një ditë, apo për disa orë (tek e fundit), qetësinë dhe harenë e përkohshme familjes Miller. Ato shenjat e rëndomta në këto raste, përqafimet dhe puthjet, urimet për ditëlindje, leximi i letrave të cilat kanë mbërri në adresë të Eddie-t, vakti i veçantë dhe i pasur i mëngjesit, të gjitha këto humbin vlerën brenda një çasti të vetëm kur Lisa (e luan Amelie Pease), motra e Jamie-t, e lajmëron të atin që dikush ka fëlliqur me ngjyrë kamionetin e tij të punës duke shkruar aty ‘Nonse’. Nonce, në anglisht ka domethënien e fëmijës së akuzuar apo edhe të dënuar si abuzues seksual. Aludimet janë të qarta: Në Jamie-n. Eddie, megjithatë, nuk dorëzohet. Dëshiron me mish e me shpirt ta shpëtojë këtë ditë së paku, nëse nuk mundi ta shpëtojë të birin e tij. E merr shkumën dhe sfungjerin, në përpjekje sizifiane për të pastruar a shlyer diçka që nuk mundet: Atë njollën në kamionetë. Mësa që nuk mundet dot ta rehatojë njollën e madhe në ndërgjegjen e tij, e cila sa vjen e rritet. Kur nuk ia del, e merr gruan dhe vajzën dhe niset për në një market të madh ku me siguri duhet të ketë farë mjeti që e pastron kamionetin, dhe e kthen në gjendjen e përparshme. Pasi ai vet dhe familja e tij kurrë më nuk do të kthehen në atë gjendjen e pafajësisë. Te tretë udhëtojnë së bashku kah marketi. Te tretë bëhen thuajse kjo është një ditë e zakonshme, e një ditëlindjeje të veçantë. Flasin për kohën kur janë njohur Eddie dhe Manda. Kur kanë filluar dashurinë. Për muzikën që e kanë dëgjuar asokohe. Eddie disa herë rrugës ua përsërit Manda-s dhe Lisa-s që ‘Do ta shpëtojmë ditën’ (apo, do të jemi të lumtur, së paku sot). Bëjnë plane për të shkuar në kinema pastaj, madje, edhe në kopshtin zoologjik. Të gëzohen pak. Kjo fjali (që ‘Do ta shpëtojmë ditën’), duhet të jetë një lloj i password-it që përpiqet të mbërrijë tek ajo fjalia tjetër, ‘Do ta shpëtojmë jetën’ (‘Do ta kthejmë jetën’), por te tretë, në vete, pa ia thënë njeri-tjetrit, (sepse besojnë që duke e fshehur këtë bindje nga njeri-tjetri, ajo nuk ekziston, mbase), e dinë që kjo nuk do të ndodhë, që kjo nuk mund të ndodhë, se jeta e tyre e deritashme, është ngujuar së bashku me Jamie-n në qelinë e burgut, dhe që kjo jetë, nuk do të lirohet dhe as nuk do të mëkëmbet asnjëherë. Eddie nuk gjen në market mjet për ta pastruar atë porosinë fyese të shkruar në kamionët. E mbledh pafuqinë e tij për ta shpëtuar këtë ditë së bashku me një govatë ngjyre të kaltër (siç është ngjyra e kamionetit të tij), të cilën e blenë në shitore, dhe e hedhë (pafuqinë dhe ngjyrën), mbi fjalën ‘Nonse’. Kot. Nuk ia del dot që ta mbulojë ‘mbaren’. Se ai ndihet i fyer dhe i turpëruar me krejt këtë çfarë i ndodhi këtë ditë. Nuk e ka merituar këtë. Jo. Nuk e ka merituar, assesi, të jetë as baba i një vrasësi. Jo. I ndjek pastaj disa adoleshentë atypari, duke menduar që ata ia kanë bërë këtë sherr (të njollosjes së kamionetit), zihet me njërin. Del prej lëkure si thuhet. Mërzia dhe dëshpërimi me krejt çka i ndodhë atij, familjes së tij, duhet disi të shpërthejë. Rrugës për në shtëpi, pranojnë thirrjen telefonike nga burgu, nga Jamie. Ai tashmë ia kishte dërguar të atit një kartolinë me një vizatim, me urimin për ditëlindjen. Në bisedë e sipër, Jamie i thotë babait (duke mos e ditur që këtë bisedë po e dëgjojnë edhe e ëma dhe motra e tij, sepse këta flasin në speakerphone), që ka vendosur ta pranojë fajin për vrasjen e bërë prej tij. Eddie, Manda dhe Lisa e kanë ditur qëmoti që Jamie e ka mbytur Katie-n. Megjithatë, pasi deri në këtë çast ai vet nuk e kishte pranuar këtë krim, disi ende kanë gjetur strehë në një supozim që mrekullitë janë të mundshme, apo që në fund, kush e di se si, do të del që i biri dhe vëllai i tyre është i pastër, është i dëlirë, sepse është Jamie i tyre, ai është djalë i mirë, ai nuk mund t’i bëj keq kurrkujt, e lëre më të mbytë dikë. Tash, përmes zërit të Jamie-t e kuptojnë që mrekullia nuk do të ndodhë. Në fund të bisedës, Jamie i kërkon falje të atit dhe ia uron ditëlindjen. Jamie e di që nuk ka këtu vend për urime. Por rendi e do kështu. Siç e do rendi që Eddie dhe familja e tij të shtiren që po festojnë diçka. Po e kremtojnë ditëlindjen. Kthehen në shtëpi, te tretë, si pas një varrimi: Me lot në sy, me mërzi të thellë, me dëshpërim të pamatshëm. Nuk është më rend feste. Këtë e dinë te tretë. Është rendi i vuajtjes dhe dëshpërimit. Të pamasë. Fundi i këtij episodi dhe i gjithë serisë ‘Adolescence’ na shfaqë fare të lakuriquar (shpirtërisht), prindërit e Jamie-t, Eddie-n dhe Manda-n, të cilët kërkojnë disi ngushëllim te njeri-tjetri dhe lypin shpjegim, poashtu te njeri-tjetri për këtë të keqe të madhe që i ka gjetur. Gruaja i thotë burrit: Duhet disi ta mbijetojmë gjithë këtë (gjendje). Burri ia kthen gruas: Çka nëse nuk mundemi? Një familje normale, është bërë kështu copë e grimë (me siguri si edhe familja e Katie-t, viktimës), për shkak të një akti krejtësisht çoroditës, abnormal, të një fëmije, të cilin këta kanë provuar ta rrisin ashtu si duhet. Si tek çdo familje e këtillë, këta të dy nisin ta kërkojnë fajin në vetvete, duke ia hequr me ka krejt përgjegjësinë e të birit. Është dashur të bëjnë më shumë. E dinë te dytë. Por çka është dashur të bëjnë më shumë? Këtë nuk e dinë. Kush mund ta di zaten, do të mund të flisnim këtu të gjithë ne të cilët e kemi përcjellur këtë seri. E keqja është e pafund. E pa-rrënjë. Sikurse edhe e mira. Eddie ia tregon bashkëshortes së tij se si e ka ‘edukuar’ i ati i tij duke e rrahur me rryp, sa herë ai ka menduar që i biri ka gabuar diçka. Ky ishte zotuar qysh atëherë se kurrë nuk do të përdorë dhunë ndaj fëmijëve të tij. Eddie e kishte mbajtur këtë zotim. Por ja që krejt çka ai dhe gruaja e tij kishin bërë, ishte treguar e kotë. Jamie ishte bërë vrasës. ‘Si e bëmë atë vrasës’, pyeten te dytë teksa përqafohen. Kur në skenë del Lisa, e bija e tyre, e cila është një tetëmbëdhjetë vjeçe e zakonshme, e veshur me shije, e bukur, i thonë njeri-tjetrit: ‘Në të njëjtën mënyrë si e bëmë këtë…’ (fëmijë të mbarë). Fare në fund, në dhomën e Jamie-t, i ulur mi shtratin e tij, mbetet vetëm Eddie. I humbur, i zbrazët, i pafuqishëm. I lodhur. I dorëzuar, madje. Pa fije shprese. Atëherë ky nisë të qajë me zë. Nuk di më çka të bëj me veten dhe me këtë fatin e tij, të Jamie-t dhe të familjes së tij. Aty ku duhej të ishte koka e Jamie-t gjendet tani një pellush ariu. Eddie e mbulon me batanije deri te koka (këtë pellush), dhe i drejtohet me fjalë, thuajse Jamie mund ta dëgjojë, duke qarë me zë: ‘Më fal, biri im, është dashtë të bëjë më shumë për ty…’. Është kjo një skenë shumë prekëse. Kështu bie perdja finale në serinë ‘Adolescence’. Me dhimbjen që nuk matet dot. Nuk ka njësi matëse për këtë dhimbje dhe për këtë epilog të kësaj serie të madhe. A do të ketë vazhdim seria ‘Adolescence’? A do ketë pra ‘Adolescence 2’, apo edhe ‘Adolescence 3’? Seritë shumë të suksesshme thërrasin për vazhdime të tjera. Kjo është logjika e show business-it. Zaten. Pse mos të jetë kështu edhe me këtë rast. Ta zëmë, ata që janë magjepsur me këtë seri (e të tillët janë të shumtë, pa dyshim), thonë që në vazhdimin tjetër të serisë, do të mund të trajtohej gjykimi i Jamie-t, sjellja e tij në gjykatore, jeta e mëtejmë e familjes Miller. Ndoshta. Por, do të ishte gabim po të bëhej diçka e tillë. Krejt çka është dashur të shohim, të kuptojmë, të bashkë-ndjejmë me familjen Miller, këtë tashmë e kemi bërë. Këtë e kanë arritur në mënyrë të jashtëzakonshme autorët e ‘Adolescence’. Jeta vazhdon më tej. Nuk ka fjalë. Jetohet gjithqysh. Me të këqijat dhe të mirat e saj. A nuk na e dëshmon këtë edhe kjo seri? A nuk na kallëzon ‘Adolescence’ magjia e realizmit, e jetës, është gjithmonë një hap të madh tej çdo imagjinate të mundshme, qoftë nëse kemi të bëjmë edhe me atë ‘Realizmin magjik’ të shkrimtarëve të Amerikës Latine, të cilëve u priu Marquez i madh? Jeta është magji. Dhe është mallkim. Dhe është bekim. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.