Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Serbia dhe sanksionet ndaj Rusisë

123
string(15) "Roberto Belloni" string(68) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/11/Roberto-Belloni.png"
nga Roberto Belloni 25.11.2023 14:26
Roberto Belloni

Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk ka miratuar sanksione kundër Rusisë pas agresionit kundër Ukrainës të nisur nga Putin në shkurt të 2022-ës. Vendimi për të mos u bashkuar me Brukselin për të vendosur masa që nga nisja e konfliktit,  është megjithatë kundërthënëse.

Serbia, si vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duhet, që sa më shpejt të jetë e mundur teknikisht, të rreshtohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Mospërmbushja e kësaj pritshmërie është burim i një irritimi të jashtëzakonshëm për zyrtarët evropianë, dhe mbi të gjitha, nxjerr kompleksitetin e situatës gjeopolitike në Serbi, një vend që mbetet fort i ndarë midis Lindjes dhe Perëndimit, pra midis marrëdhënieve politike, kulturore dhe afërsisë religjioze me Moskën, si dhe dëshirës për të pasur përfitime që vijnë nga anëtarësimi në Union.

Mungesa e përafrimit të politikës së jashtme serbe me politikën evropiane demonstron vështirësitë në menaxhimin e një identiteti kompleks dhe prioriteteve të ndryshme serbe.

Megjithëse në vitin 2012, presidenti Aleksandar Vuçiq erdhi në pushtet në një platformë politike me orientim të fortë pro-evropian, në vetëm pak vite ka pasur një kolaps në rreshtimin e politikës së jashtme serbe me atë të BE-së, e cila nga 89 përqind gjatë vitit 2013 shkoi në 53 përqind më 2019. Një rënie e dukshme për të cilën mund t’i identifikojmë të paktën dy arsye kryesore.

E para, është produkti i politikës së “mosnjohjes së përjetshme” të pavarësisë së Kosovës të miratuar nga Beogradi për të kundërshtuar shpalljen e pavarësisë nga Prishtina në shkurt të 2008-ës. Serbia I është shmangur në fakt rreshtimit me deklaratat dhe masat evropiane drejt atyre vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë Rusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut.

E dyta, refuzimi i Beogradit për të miratuar sanksione kundër Moskës pas aneksimit të Krimesë dhe Sevastopolit nga Rusia në mars 2014-ës, ishte justifikuar në baza ekonomike, veçanërisht duke këmbëngulur në varësinë energjetike që ka nga Moska. Vendimi i qeverisë ka gjetur mbështetje nga shumica e qytetarëve, shumë prej të cilëve, duke pasur parasysh vuajtjet e viteve ‘90, kur bashkësia ndërkombëtare vendosi sanksione kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit, sanksionet ekonomike I llogarisin një instrument të padobishëm ndëshkimi kolektiv me kosto të mëdha për popullatën civile.

Shtrëngimi I sanksioneve të rrepta ndaj Moskës, në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022, ka theksuar edhe më shumë qartazi si Serbia, si një bashkësi politike, është një vend i ndarë mes Perëndimit dhe Lindjes.

Serbët e vlerësuan përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë jo në merita, duke dënuar agresorin dhe, në këtë bazë, duke vendosur nëse dhe si ta shprehin mbështetjen e tyre për të sulmuarit, por në bazë të përvojës së përjetuar nga vendi i tyre në vitin 1999, kur NATO ndërhyri ushtarakisht për të mbrojtur të drejtat e komunitetit shqiptar në Kosovë, pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Qytetarët serbë besojnë se zemërimi evropian dhe transatlantik mbi sjelljen ruse është në thelb hipokrizi. Ata nuk shprehin ndonjë armiqësi të veçantë ndaj Ukrainës, një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por për më tepër, kanë demonstruar këmbënguljen e një antipatie të thellë si ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Një sondazh i kryer nga Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie në Beograd, ka gjetur që 66 përqind e serbëve besojnë që Rusia ishte e “detyruar” që ta niste luftën për shkak të zgjerimit të NATO-s në drejtim të lindjes, ndërsa 2/3 e qytetarëve e cilësojnë Rusinë si vendin “më mik të Serbisë”.

Në këtë kuptim, të gjitha hulumtimet e pavarura nga institutet të certifikuara vërtetojnë që më shumë se 80 përqind e serbëve janë kundër miratimit të sanksioneve kundër Rusisë. Sanksionet janë një mjet i politikës së jashtme që i detyron shtetet të zgjedhin anë midis “ne” dhe “ata”. Nëse miratohen, do të minojnë rëndë themelet e politikës së jashtme serbe, e cila ka për synim të mbajë marrëdhënie të afërta me Moskën dhe në të njëjtën kohë dëshiron të hyjë në BE. Nuk është befasuese se që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, rreshtimi serb me politikën e jashtme të Brukselit ka rënë nën 50 përqind.

Kundërshtimi i sanksioneve dhe mbështetja për Rusinë gjithashtu varet nga roli i medias, e cila shpesh ka nxjerr interpretimin rus mbi zhvillimet e luftës. Rasti më sensacional është ndoshta ai i gazetës Informer, e cila në ditën e parë të luftës shkoi aq larg sa pretendonte se Ukraina kishte sulmuar Rusinë. Përgjithësisht, mediat serbe shprehën mbështetjen e tyre për politikën e qeverisë që synon ruajtjen e një ekuilibri gjeopolitik midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian dhe nënvizuan rëndësinë e rolit të Vuçiqit përballë sfidave të mëdha në politikën ndërkombëtare.

Presidenti serb mori epërsi politike nga lufta në Ukrainë, duke e përshkruar Serbinë si viktimë të një gare gjeopolitike dhe duke prezantuar veten si “zgjidhjen”  e vetme reale ndaj infektimit.

Në zgjedhjet e prillit 2022, me sloganin zgjedhor “Paqe-Stabilitet” Vuçiq e avancoi efektivisht rolin e tij qendror në politikën serbe, duke bindur 44 përqind të qytetarëve që të zgjedhin partinë e tij. Partitë politike me agjendë pro-ruse fituan 25 përqind shtesë. Zgjedhjet e planifikuara për në dhjetor 2023 duket se do të konfirmojnë dominimin e Vuçiqit mbi politikën serbe, dhe rrjedhimisht, do të forcojnë politikën aktuale të jashtme.

Sidoqoftë, duhet theksuar se kjo politikë e barazisë dhe refuzimi i lidhur me miratimin e sanksioneve ndaj Moskës po pengon procesin e ngadaltë dhe të mundimshëm të vendit për t’iu afruar anëtarësimit në BE. Komisioni dhe shumë vende anëtare kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj sjelljes së Beogradit. Parlamenti Evropian ka kërkuar në mënyrë eksplicite që përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit të kushtëzohet me rreshtimin e vendit me regjimin e sanksioneve kundër Rusisë. Në fakt, çështja e sanksioneve po del si një “kapitull” i ri negociator në procesin tashmë të komplikuar të anëtarësimit.

Për më tepër, kërkesat dhe presionet këmbëngulëse evropiane po përforcojnë një fenomen të skepticizmit latent dhe po rrisin presionin ndaj procesit të zgjerimit. Tre të katërtat e qytetarëve serbë e interpretojnë presionin nga Brukseli si të tepruar dhe të papërshtatshëm, një simptomë e mungesës së respektit dhe barazisë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe BE-së.

Tash janë të paktë ata që besojnë në sinqeritetin e BE-së lidhur me dëshirën për të mirëpritur Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në gjirin e tij. Përvoja e Maqedonisë së Veriut, e cila pësoi poshtërimin e ndryshimit të Kushtetutës dhe emrit të saj nën presionin e jashtëm pa ndonjë përparim të rëndësishëm në rrugën e saj të anëtarësimit, është e njohur për qytetarët dhe elitat politike serbe.

Nga premisat, çështja e sanksioneve duket të jetë një kufi i ri në marrëdhëniet midis Brukselit dhe Beogradit, që në fakt, është duke I distancuar edhe më qytetarët serbë nga institucionet evropiane dhe nuk po kontribuon në asnjë mënyrë në zbutjen e lidhjes midis Serbisë dhe Rusisë.

Roberto Belloni është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Trentos të Italisë. Ai ka edhe një libër të botuar mbi luftërat në Ballkan.

Tekst i Balcanicaucaso, përkthyer nga KlanKosova.tv.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme