Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Sakrificë dhe njerëzillëk

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 22.07.2024 09:57
Blerim Shala
Blerim Shala

Në librin e tij ‘Premtomë baba’, kushtuar kujtimit të të birit të tij Joseph Robinette Beau Biden, i cili do të vdes i ri nga kanceri, Joseph Biden, Presidenti i SHBA-së që nga viti 2021, pos tjerash shkruan: ‘Gjithmonë kam qenë i mendimit që për aq kohë sa problemi është i dukshëm, është i zgjidhshëm’.

Të dielen, me 21 korrik, në orët e hershme të pasdites, Presidenti Biden nga shtëpia e tij në Delawere, ku u vet-izolua pas infektimit të sërishëm me virusin Covid-19, shpalli vendimin e tij që të heq dorë nga gara zgjedhore për t’a marrë mandatin e dytë presidencial.

Në këtë mënyrë, ai i hapi udhë Zëvendës-Presidentes së Amerikës, Kamala Harris, që është afro-amerikanja e parë që është ngjitur aq lartë në Shtëpinë e Bardhë, të vazhdojë hapave të tij për ta mbajtur për Partinë Demokratike postin më të rëndësishëm në SHBA dhe në mbarë Botën.

Biden pra i mbeti besnik këtij qëndrimi të theksuar lartë në librin e tij në të cilin ka shumë emocione, shumë dhimbje, shumë dashuri për familje dhe për atdheun e tij, por më së shumti ka njerëzillëk, që është tipari më i munguar në politikën e tashme kudo në Botë, jo vetëm në Amerikë.

Biden u gjet nën një presion të jashtëzakonshëm të demokratëve dhe të mediave më të njohura amerikane që anojnë kah ky krah,  (CNN, ‘The New York Times’, ‘The Washington Post’), që t’a braktisë dyluftimin e dytë me radhë me Donald Trumpin, ish-Presidentin e Amerikës, pas një debati televiziv ku nuk kaloi fare mirë, ku u shfaqën, sërish, problemet e tij me gjindshmërinë në formulimin e qëndrimeve të tij.

Sekush që shikon vetëm për pak çaste pamjet e debateve televizive Biden – Trump të vitit 2020, do të kuptojë për çka bëhet fjalë në të vërtetë.

Ai e kuptoi pra që nuk mund ta mbajë peng këtë garë për zgjedhjen e Presidentit Amerikan me gjendjen e tij shëndetësore, sepse, tek e fundit, siç pohojnë vazhdimisht demokratët dhe liberalët në Amerikë, kësaj radhe  (sërish, kështu është prej vitit 2016 e këndej), nuk është në pyetje vetëm kush do t’i prijë Shtëpisë së Bardhë, por a do të rrezikohen arritjet më të mëdha demokratike të shtetit më të fuqishëm në Botë.

Në librin e tij ‘Premtomë baba’, Biden, me ndjeshmërinë e një prindi i cili humb të birin nga një sëmundje e pashërueshme, portretizon figurën e Beau Bidenit që i kishte të gjitha predispozitat për t’u bërë trashëgimtari i tij në politikë  (zatën, ky edhe e kishte emrin e të atit), dhe në anën tjetër, paralajmëron përmbylljen e karierës së tij politike jetëgjatë në Amerikë.

Këtu, në këtë libër pra, lexuesi kupton që Biden ishte i gatshëm të kandidohet për trashëgimtarin e Barack Obamas në Shtëpinë e Bardhë, në zgjedhjet për president të vitit 2016.

Kjo duhej të ishte zgjedhja më e logjikshme, kur dihet që Biden për tetë vjet shërbeu si Zëvendës-President i Amerikës.

Por Obama, siç shpjegon Biden, u përcaktua për Hillary Clintonin, ish-Sekretaren e Shtetit dhe gruan e Presidentit Clinton.

Në këtë mënyrë, siç do të kuptohet më pas, në nëntorin e vitit 2016, u hap rruga për befasinë më të madhe në historinë e re të Amerikës, apo, për ngadhnjimin e Donald Trumpit, i cili u gjet në arenën politike si një autsajder i madh, sepse nuk vinte nga qarqet tradicionale politike në SHBA.

S’do mend që po të ishte Biden kandidat i demokratëve në zgjedhjet e vitit 2016, Trump nuk do të bëhej kurrë President, dhe tashmë do të ishte i harruar.

Zatën, Biden mori ‘pishtarin’ në fushëbetejën presidenciale me Donald Trumpin, në vitin 2020, sepse vlerësimet e elitave politike demokrate dhe mediatike, dhe hulumtimet e opinionit publik, dëshmonin që ai ishte i vetmi emër i përveçëm i Partisë Demokratike që mund t’a largojë Trumpin nga Shtëpia e Bardhë.

Kështu u bë, më pas.

‘Argumenti Trump’ ishte vendimtar katër vite më parë, dhe mbeti decisiv edhe tani, në rrethana krejtësisht të tjera.

Biden u bind që ai nuk mund t’a mbajë dhe mbrojë Shtëpinë e Bardhë nga një mësymje e madhe e Trumpit dhe ithtarëve të tij. Apo, që ai është pjesë e problemit, në këtë kontekst, të cilin realisht vetëm ai mund t’a zgjidhë.

Këtë edhe e bëri. U sakrifikua si politikan në interes të Amerikës. E përmbylli në këtë mënyrë jetëshkrimin e tij të bujshëm politik që zgjati pesëdhjetë vjet të plota.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme