Rregull perëndimor apo rrëmujë lindore 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 24.08.2023 19:50 24.08.2023 19:50 Blerim Shala Kush kujt iu desh këtu më shumë: Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy Takimit të Athinës dhe nikoqirit të tij, Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotaksit, apo anasjelltas? Natyrisht, për diplomatët dhe politikanët e Brukselit, kjo pyetje nuk ka fort kuptim. Prania e liderit të Ukrainës në Athinë, pa dyshim emrit më të njohur në Botë (në politikë), që nga shkurti i vitit të kaluar, kur Rusia e Vladimir Putinit ia mësyu ta okupojë një herë, e pastaj edhe ta zhdukë një shtet (Ukrainën), është si thuhet ‘vlerë e shtuar’ por edhe diçka e nënkuptueshme, pasiqë në Mbledhjen e Athinës u fol mbi të gjitha për perspektivën e Ballkanit Perëndimor, të Ukrainës dhe të Moldavisë, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Pra, të gjithë ata që u mblodhën këtu në Athinë, parimisht flasin me të njëjtën ‘gjuhë’ kur shqyrtohet inkuadrimi i tetë shteteve (dyshes Ukrainë, Moldavi dhe gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, e cila nuk përmendet veç e veç për të mos ndodhë konfrontimi, edhe brenda një Deklarate, në mes të Kosovës dhe Serbisë), në Bashkimin Evropian. Për më shumë, Takimi i Athinës ndodhi në njëzetvjetorin e Samitit të BE-së në Selanik (2003), i cili asokohe u pa si një demonstrim i fuqisë dhe vullnetit politik të Brukselit zyrtar për të përfshirë në hartën politike të Bashkimit Evropian të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky krahasim në mes të Selanikut të vitit 2003 dhe Athinës së vitit 2023, tregon se çfarë ka ndodhur në dy deceniet e kaluara në BE, në Ballkan, në Evropë dhe në Botë. Vlera politike, ekonomike dhe qytetëruese e BE-së ka rënë në mënyrë dramatike. Mbase, do të binte edhe më shumë po mos të ishte agresioni rus në Ukrainë, i cili këndelli Brukselin, veçmas vitin e kaluar. BE-ja, edhe kjo si është, e cila në ndërkohë mbeti pa Britaninë e Madhe (pas Brexit-it), nuk është pa potencial politik dhe ekonomik për të vënë Rend dhe rregull në Ballkanin Perëndimor, edhe pse ata që janë euro-skeptik, do të mund të shtojnë këtu që Brukseli nuk di çka t’i bëjë një Viktor Orbani dhe Hungarisë, e lëre më gjashtë shteteve të kësaj pjese të Evropës. Megjithatë, Brukseli dhe Washingtoni (së bashku, si Perëndim), e kanë goxha të qartë se çka duhet bërë në Ballkanin Perëndimor, që ky rajon të mëkëmbet në të gjitha mënyrat e mundshme, dhe që brenda një periudhe afatmesme kohore të ndodhë zgjerimi i BE-së me gjashtë shtetet e kësaj pjese të Evropës, e pse jo edhe me Ukrainën dhe Moldavinë. Lufta në Ukrainë, pos tjerash, e ka bërë me dije në mënyrën më brutale të mundshme se çka është Ballkani Perëndimor, apo, kujt i takon. Mbase, ky nuk është lajm i ri. Ai ka qenë në fuqi që nga fundi i ‘Luftës së Ftohtë’ (1989-1991). Por, në ndërkohë, për shkaqe të shumta, të cilat vinin nga katër anët e Botës në një qendër (në Bruksel), u imponua një lloj asnjanësie në ndërmarrjen e BE-së për zgjerimin kah shtetet e Ballkanit Perëndimor, e cila (asnjanësi) u përdor maksimalisht nga Rusia e Putinit, por edhe nga Kina. Në Ballkanin Perëndimor, siç u mor vesh prej dimrit të vitit të shkuar, nuk mund të bashkëjetojnë dot Perëndimi (SHBA, BE), dhe Lindja (Rusia dhe Kina). Hapësirë e vogël është kjo. Teksa dihet se çfarë potenciali telashenxitës kanë këto anë të Evropës. Natyrisht, lojtari kryesor politik në Ballkanin Perëndimor, i cili tutje mendon që diçka e tillë është e mundshme është Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai u shfaq, në këtë kontekst, si fitues edhe pas Takimit të Athinës, duke thënë që ai mund të takohet dhe të bisedojë edhe me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy, edhe me atë të Rusisë, Putin. Për më shumë, ky u krenua që falë tij janë bërë dy intervenime në Deklaratën e përbashkët të Athinës, të cilat në fakt e zbutën tej mase atë, duke ri-sjellë atë asnjanësinë evropiane, e cila llogaritej që ka marrë fund, në të vërtetë. Me një ambiguitet të këtillë, vështirë është të ecet para me një Projekt madhor perëndimor, i cili do të duhej t’i definonte përfundimisht kufijtë politik të Perëndimit në Evropë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.