Roli i prindërve në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve 123 string(15) "Albert Kurtulaj" string(59) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/10/albert.png" nga Albert Kurtulaj 03.10.2022 17:16 03.10.2022 17:16 Ne prindërit të ndihmojmë për një vit të mbarë e të suksesshëm. Prindërit dhe mësuesit janë partnerë në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Prindërit, në ditët e sotme, është e domosdoshme të përfshihen në bashkëpunim të ngushtë në procesin edukativo-arsimor në shkollë. Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi duhet të jetë sigurimi i një mjedisi shkollor pozitiv si parakusht për edukimin dhe arsimimin e mirëfilltë të nxënësve. Që kjo të arrihet është e domosdoshme që mësimdhënësit dhe prindërit të respektohen reciprokisht me qëllim të rritjes së autoritetit të tyre në sytë e nxënësve. Në procesin edukativo-arsimor trekëndëshi pedagogjik është shumë i rëndësishëm, ku secili pjesëmarrës ka përgjegjësi dhe obligime. Në këtë rast unë po vë në fokus rolin dhe përgjegjësitë e prindërve në mirëfunksionimin e këtij trekëndëshi. Prindërit kanë përgjegjësi të shumta karshi shkollës si partnerë të edukimit të fëmijëve të tyre, në të njëjtën kohë edhe shkolla e mësimdhënësit duhet të jenë të hapur e bashkëpunues me prindër. Secila shkollë ka ose do të duhej të kishte qëllimet, objektivat, vizionin, kodin e shkollës, i cili duhet mirëkuptuar dhe mbështetet nga prindërit. Nga nevoja e ditëve të sotme, nga praktikat e deritanishme dhe nga literatura pedagogjike shohim se prindërit kanë detyra dhe përgjegjësi të shumta, disa nga to po i listoj këtu: Prindërit duhet të komunikojnë rregullisht me shkollën; Të inkurajojnë dhe ndihmojnë fëmijët e tyre në zbatimin e rregullores së shkollës; Të përfshihen në mënyrë aktive në mësim-nxënien dhe përparimin e fëmijës së tyre; Të ndihmojë fëmijën në përpilimin e orarit të mësimeve në shtëpi me qëllim të krijimit të shprehive të mësimit; Të jenë shembull i sjelljeve të përshtatshme dhe të pranueshme; Të mbikëqyrin grupin e fëmijëve, me të cilët shoqërohet fëmija i tyre; Të monitorojnë në mënyrë të padiktueshme përdorimin e internetit nga fëmija i tyre. Prindërit kanë obligim dhe përgjegjësi që fëmija i tyre të shkojë në shkollë i përgatitur dhe me detyrat e shtëpisë të përfunduara. Këtu shtrohet pyetja pastaj a janë të gjithë prindërit të përgatitur me kompetencë që t’u ofrojnë fëmijëve të tyre ndihmën që duhet ofruar. Në shumë raste është vërejtur se vetë prindi duhet të mësojë e përvetësojë metodat e punës, ndodh kur prindërit, në mungesë të bashkëpunimit me mësimdhënësin, vështirësojnë të nxënit e fëmijës, duke përdorur metodologji e praktika të ndryshme nga mësimdhënësi. Nga përvoja ime mund të them dhe të rekomandoj se: Prindi në asnjë rast nuk duhet t’i bëjë detyrat e fëmijës, në të kundërtën efektet janë shumë negative; Metodat e prindit nuk duhet të bien ndesh me ato të mësimdhënësit; Ne prindërit në asnjë rast nuk duhet ta denigrojmë mësuesen ose mësuesin, duke u treguar te fëmija si më i dijshëm se ta; Prindërit, të cilët për arsye të ndryshme i kanë fëmijët në qëndrim ditor, duhet ta shtojnë kujdesin e kontrollin, që në asnjë rast të mos lejohet që fëmijëve t’u jepen detyrat e gatshme vetëm të kërkohet të përshkruhen nga ta. Prindërit gjithashtu kanë funksion mbikëqyrës ndaj fëmijës së tij duke: Mbikëqyrur a i respekton rregullat mësimore fëmija i tyre; Duhet mbikëqyrur procesin e bërjes së detyrave; Duhet të vlerësojë detyrën edhe kur është e nevojshme të kërkojë të korrigjohet; Duhet të konsultohet me mësuesit për vështirësitë eventuale gjatë përvetësimit të shkathtësive dhe të mbikëqyrë vazhdimisht përvetësimin e këtyre shkathtësive. Siç e dimë të gjithë, prindi dhe mësimdhënësi janë pasqyrë dhe model për fëmijën, respektivisht nxënësin, prandaj prindi duhet të ketë rol stimulues, duke lexuar edhe vetë në prani të fëmijës, duke mundësuar pyetje e debate mes prindërve dhe fëmijëve në familje. Prindi i ditëve të sotme duhet gjithashtu të jetë i vëmendshëm dhe syçelë në përdorimin e teknologjisë nga ana e fëmijës. E dimë të gjithë se teknologjia, televizioni, telefonat e interneti në përgjithësi po kalojnë në varësi, ku fëmijët tanë po rriten e po jetojnë me këto pajisje teknologjike sa të dobishme aq edhe të rrezikshme, varësisht nga përdorimi i tyre. Suksesi i prindërve është i matshëm me edukimin, mirërritjen dhe lumturinë e fëmijës së tyre dhe ky proces është bukur sfidues dhe kompleks… Mendoj se duhet të bëjmë përpjekje që në dhomat e fëmijëve të mos ketë televizor; Duhet të bëjmë përpjekje në bllokimin dhe fshirjen e programeve që nuk janë për fëmijë; Mundësisht caktimi i kohës kur dhe sa mund të shikohet TV; Vetëdijesimi i fëmijës për përparësitë dhe rreziqet që vinë nga përdorimi i teknologjisë në përgjithësi, varësisht se si shfrytëzohet. Mendoj se do të ishte mirë që televizionet tona të kenë bashkëpunëtorë profesionalë si pedagogun e psikologun në realizimin e emisioneve për fëmijë. Roli i prindërve, të cilët janë pjesë e këshillave të prindërve, është tepër i rëndësishëm në menaxhimin dhe funksionimin e mirë të qeverisjes së shkollës. Këshilli Drejtues i shkollës është organi më i lartë në shkollë dhe drejtohet nga një prind. Plani Zhvillimor i Shkollës dhe Plani i Punës hartohen dhe miratohen nga ky këshill. Prandaj është e domosdoshme që të gjithë këshillat e shkollës, organet drejtuese të jenë funksionale dhe jo vetëm në letër, sa për të plotësuar një obligim ligjor.