Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Riciklimi i marrëveshjeve të arritura në dialog

123
string(14) "Bekim Çollaku" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/03/collakuuuuuuu.png"
nga Bekim Çollaku 21.06.2022 20:39

Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka vite që nuk ka shënuar ndonjë progres që ia vlen të theksohet. Mungesa e rezultateve konkrete në këtë proces është jo vetëm reflektim i mungesës së vullnetit politik në Kosovë dhe Serbi, mirëpo edhe i interesimit të BE-së dhe aktorëve tjerë. Si rrjedhojë, gjatë viteve të fundit, palët e përfshira në këtë proces kanë investuar në ruajtjen e status quo-s, përkundër faktit se e njëjta konsiderohet e paqëndrueshme dhe e rrezikshme. Megjithatë, duke qenë të vetëdijshëm për mungesën e progresit në këtë proces dhe të nxitur për të bërë diçka, palët negociatore dhe ndërmjetësuesi zyrtar kanë vendosur të rihapin për diskutim marrëveshjet e arritura në të kaluarën. Pra, palët kanë vendosur të riciklojnë marrëveshjet e arritura vite më parë, në përpjekjen e tyre për ta mbajtur gjallë këtë proces.

Kosova sigurisht që është duke humbur shumë në aspektin e përmbylljes së shtetndërtimit, në mungesë të një marrëveshjeje përfundimtare, e cila duhet të përfundojë me njohje reciproke, pavarësisht se a vendoset kjo pikë në fillim, në mes apo në fund të dokumentit të marrëveshjes. Retorika politike dhe loja me fjalë për formatin dhe renditjen e pikave apo neneve të marrëveshjes është e pakuptimtë në mungesë të vullnetit politik për të arritur marrëveshje përfundimtare. Në anën tjetër, mungesa e vullnetit dhe guximit politik nga ana e qeverisë së Kosovës për të arritur marrëveshje është pothuajse krejtësisht në përputhje me politikën e proklamuar vite me parë nga partia që sot udhëheq me institucionet shtetërore. Diskursi dhe veprimet politike të qeverisë aktuale kanë qenë kundër dialogut me Serbinë dhe kundër çdo marrëveshjeje të arritur në të kaluarën, në kuadër të këtij procesi. Kjo qasje kundërshtuese kundër dialogut me Serbinë, kundër marrëveshjeve me Serbinë, ka qenë një ndër arsyet kryesore që e solli partinë shtet në majat e udhëheqjes së institucioneve shtetërore. Prandaj, është e kotë dhe e pashpresë të pritet që qeveria aktuale do të bëjë hapa seriozë për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

Në dy ditët në vazhdim, më 23 dhe 24 qershor, Këshilli i BE-së do të mbajë takimin e radhës me liderët e Ballkanit Perëndimor, i cili nuk do të duhej të ishte vetëm një përsëritje e mesazheve retorike që vazhdojnë të përsëriten që nga samiti i Zagrebit 2000 dhe ai i Selanikut 2003 në favor të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ky samit do të duhej të ishte një rast ideal që BE-ja të marrë vendime meritore për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë të rraskapitura nga rrugëtimi i gjatë dhe progresi i mangët në kuadër të procesit të integrimit në BE. Përkundër disa sinjaleve inkurajuese nga disa shtete anëtare të BE-së, ende nuk ka një siguri se Këshilli Evropian do të marrë vendimet e merituara në favor të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Humbja e një rasti të tillë do të ishte një tjetër mesazh dekurajues dhe minues për kredibilitetin e BE-së. Sidomos në relacion me Kosovën, shtyrja e vendimit të këshillit për liberalizimin e vizave do ta ngritë dozën e zhgënjimit te kosovarët e diskriminuar dhe të izoluar.

Në këtë takim të radhës, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj duket se janë shumë të gatshme për t’u treguar dorëlirë në vendimmarrjen e tyre ndaj shteteve të partneritetit lindor (Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë). Pas rekomandimit pozitiv në opinionin e Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat Ukrainës për anëtarësim në BE, pritet që edhe këshilli i BE-së ta bëjë të njëjtën gjë. Kjo është një gjë e kuptueshme në kontekstin e tanishëm gjeopolitik. Mirëpo, BE-ja nuk do të duhej ta anashkalonte Ballkanin Perëndimor në asnjë mënyrë. Siguria e brishtë në Ballkan nuk guxon të merret si diçka e garantuar. BE-ja duhet të përshpejtojë hapat e integrimit për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor bazuar në merita.

Pritjet e kosovarëve që BE-ja të marrë vendimin e vonuar për liberalizimin e vizave janë krejt të arsyeshme. Mirëpo, bazuar në praktikën dhe përvojën e hidhur të deritanishme, edhe mungesa e një vendimi të tillë gjatë këtij samiti, është krejtësisht e pritshme. Megjithëkëtë, në përpjekjen e saj për të krijuar një momentum, qeveria e Kosovës arriti të rinënshkruajë një marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë. Kjo rimarrëveshje për një plan tjetër rizbatimi ndodhi pikërisht në prag të samitit të radhës ndërmjet BE-së dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor. Sigurisht që njohësit e zhvillimeve rajonale dhe evropiane nuk e kanë të vështirë të ndërlidhin arritjen e kësaj marrëveshjeje të re për marrëveshjen e vjetër, me përpjekjet për të dërguar një mesazh te shtetet anëtare të BE-së se dialogu për normalizim nuk ka vdekur ende. Por kjo nuk jep asnjë garanci se shtetet anëtare të BE-së do ta konsiderojnë riciklimin e marrëveshjeve të arritura vite më parë, si të mjaftueshëm për të marrë një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.

BE-ja është treguar e padrejtë në relacion më Kosovën për vite me radhe. Me gabimet e saj të vazhdueshme dhe autogolat tanë politikë, kosovarët kanë mbetur të izoluar për më tepër se dhjetë vjet. Kjo qasje e saj ka dëshmuar se askujt nuk i bëhet vonë për ne. Ndërsa qeveria aktuale, me qasjen e saj në dialog, po dëshmon se mbetet e interesuar për të ruajtur status-quo-në, nëpërmjet riciklimit të marrëveshjeve të vjetra, tani mbetet të presim nëse partia në pushtet do të organizojë protesta kundër këtyre marrëveshjeve të arritura me Serbinë. Në cilindo rast, nuk besoj se do të jenë të shumtë ata që do të befasoheshin në rast se do të ketë protesta dhe anasjelltas.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme