Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Reforma e duhur fiskale

123
string(15) "Gazmend Demolli" string(71) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/03/g-1-e1648732229324.jpg"
nga Gazmend Demolli 20.11.2024 14:07
Gazmend Demolli
Gazmend Demolli

Shpeshherë, mungesa e fuqisë blerëse ngatërrohet me koston e lartë të jetesës. Me jetën e shtrenjtë. Edhe pse përshkruajnë një situatë, mënyra se si zgjidhim këtë çështje varet nga këndvështrimi: a është jeta që është e shtrenjtë, apo mungon fuqia blerëse për ta përballuar atë?

Kur një ofertë politike thotë se “jeta është e shtrenjtë,” synohet zakonisht ulja e çmimeve për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve. Por nëse problemi qëndron tek mungesa e fuqisë blerëse, zgjidhja kërkon krijimin e kushteve për punë dhe mirëqenie, në mënyrë që njerëzit të kenë të ardhura të mjaftueshme për çmimet ekzistuese.

Populistët do thonë të dyja: të ulen çmimet dhe të rriten pagat. Iluzore. Rritja e pagave rrit kostot për punëdhënësit dhe bizneset, duke çuar në rritje çmimesh dhe inflacioni. Dhe, përmirësimi i përballueshmërisë bënë që çmimet të ndjekin ritmin e përmirësimit të standardit të jetesës. Nuk ka edhe-edhe. Edhe qumshtin – edhe djathin. Baqicen.

Atëherë, cili është drejtimi i duhur? A duhet të fokusohemi tek rritja e standardit të jetesës – rroga më të larta, më shumë punësim, përmirësim i pensioneve – apo tek zbritja e çmimeve? Disa propozojnë uljen e çmimeve për produktet bazë përmes heqjes së taksave mbi to, disa kontrollin. Kosova, në relative, duket e shtrenjtë për shkak të fuqisë së ulët blerëse, megjithëse çmimet në vetvete, në absolute, nuk janë më të lartat.

Ekziston një reformë fiskale që, kur është zbatuar me kujdes – në vende si vendet skandinave, Gjermania, Hungaria dhe në masë të vogël Franca – ka pasur sukses në rritjen e fuqisë blerëse përtej ritmit të çmimeve. E quajtur “TVSH Sociale,” kjo reformë mund të jetë e përshtatshme për Kosovën. (E dëgjoj kundërshtimin: “TVSH? Veç sociale nuk është”).

Ndonjëherë, përparimi kërkon një kërcim të guximshëm, jo hapa të kujdesshëm. Unë pasi që nuk kërkoj votë, jam edhe i guximshëm. Kosova është në një udhëkryq të tillë. Me papunësi të lartë, sidomos të grave, sidomos në provincë, rritje relativisht të ngadaltë ekonomike dhe shërbime sociale të munguara dhe të nënfinancuara, vendi ka nevojë për zgjidhje inovative. Një reformë e guximshme në taksa—zhvendosja e barrës tatimore nga puna tek konsumi—mund të jetë çelësi për të rigjallëruar ekonominë dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Propozimi është i thjeshtë, por transformues: rritja e TVSH-së nga 18% në 25%, ndërsa njëkohësisht ulen taksat mbi të ardhurat personale dhe fitimet e korporatave. Konkretisht, taksa mbi të ardhurat personale do të zbriste nga 2.7% e BPV-së në 0.5%, dhe taksa për korporatat do të përgjysmohej nga 2% në 1% të BPV-së. Për më tepër, një kontribut për sigurimin shëndetësor, baraz me 2% të BPV-së, do të largohej nga pagat dhe do të përfshihej brenda 25%-shit të ri të TVSH-së.

Përfitimet nuk kufizohen vetëm në ekuilibrin financiar. Ulja e taksave mbi punën dhe fitimet lehtëson koston e punësimit dhe rrit konkurrueshmërinë e bizneseve. Me taksa më të ulëta mbi të ardhurat personale, punëtorët – veçanërisht ata me të ardhura më të ulëta – mbajnë më shumë nga fitimet e tyre, duke rritur fuqinë e tyre blerëse. Kjo do të stimulojë konsumin, duke nxitur kërkesën dhe krijuar më shumë vende pune.

Kosova aktualisht mbledh rreth 1.3 miliardë euro nga TVSH-ja me normën 18%, që përbën 13.3% të BPV-së. Rritja e TVSH-së në 25% pritet të sjellë rreth 1.85 miliardë euro, duke rritur të ardhurat për 520 milionë euro. Këto të ardhura shtesë kompensojnë uljet e taksave mbi të ardhurat personale dhe të korporatave, që pakësohen përkatësisht me 220 dhe 100 milionë euro. Fitimi neto prej 200 milionë eurosh mbulon plotësisht kontributin e propozuar për sigurimin shëndetësor, duke bërë reformën fiskalisht neutrale dhe duke rritur shërbimet sociale.

Gjithashtu, përgjysmimi i taksave për korporatat e bën Kosovën më tërheqëse për investitorët. Në një ekonomi globale ku kapitali rrjedh drejt vendeve me kushte të favorshme, taksat konkurruese janë thelbësore. Duke lehtësuar barrën tatimore mbi bizneset, Kosova dërgon mesazhin: jemi të hapur për biznes, për inovacion dhe rritje. Rritja e TVSH-së shpërndan barrën më drejt, duke përfshirë të gjithë konsumatorët dhe formalizuar ekonominë informale.

Pronaret e shumtë të pasurive të patundshme, qiramarrësit dhe ata që mbështeten nga remitencat e diasporës kontribuojnë pak në mirëqenien e shoqërisë, ndërkohë që këtë barrë e mbajnë punëtorët. Kontributet për “sigurimin” shëndetësor, që në fakt është një taksë, do të paguhen vetëm nga punëtorët, ndërsa do të shfrytëzohen nga të gjithë.

Po çfarë ndodh me çmimet kur TVSH-ja rritet nga 18% në 25%? Studimet tregojnë se rreth 70% e çmimeve përcaktohen nga kërkesa dhe oferta. Shumë çmime nuk ndryshojnë vetëm për shkak të TVSH-së. Ndërkohë, për produkte ku marzhi i fitimit është ngushtë i lidhur me koston, rritja e TVSH-së do të ndikojë. Bizneset vendore, duke përfituar nga ulja e taksave mbi punën dhe fitimet, do të kenë mundësi të ruajnë çmimet, madje edhe t’i ulin. Për produktet e importuara, çmimet mund të shtrenjtohen rreth 5%, për shkak se lirimet tatimore nuk i prekin. Pra, një litër qumshtë vendor mund të mbetet 1.20 €, ndërsa ai i importuar do të b 1.26 €. Nëse të dyja arrijnë 1.25 €, prodhuesi vendor fiton, duke rritur marzhin e tij, ai i importit do gërryen marzhin. Djathi i importuar do të kushtonte 25 cent më shtrenjtë. Po. Por jo ai vendori, që është më i mirë.

Duke shtuar TVSH-në për diasporën dhe për importet, barrën po e zhvendosim nga punëtorët dhe bizneset vendore drejt konsumatorëve të huaj dhe konsumit jo-produktiv. Prodhimet e importit do të shtrenjtohen, duke nxitur blerjen e produkteve vendore. Në këtë mënyrë, reforma është gjithashtu pro-mjedisore dhe mbështet prodhuesit lokalë.

Sigurisht që çmimet do të ngrihen pak, mesatarisht 3-4%. Për një familje prej 5 anëtarësh, kjo mund të nënkuptojë 20-25 € më shumë në muaj. Megjithatë, kjo rritje kompensohet nga të ardhurat më të larta, shërbime publike më cilësore dhe më pak shpenzime në shëndetësi, duke rritur fuqinë blerëse të familjeve.

Pensionistët, që shpenzojnë më së shumti në barna dhe shërbime shëndetësore, do të përfitojnë nga reduktimi i kostove për këto shërbime. Gjithashtu, punësimi i të papunëve do të bëhet më i lehtë. Kështu, reforma duket se ka pak humbës dhe përfitues të shumtë – përfshirë shtetin, që do të formalizonte më tej ekonominë.

Në fund, kjo nuk është vetëm një reformë fiskale. Ajo është një mundësi për të ridimensionuar sistemin dhe për ta bërë më të drejtë. Dhe ndërkohë që do të kemi disa pasiguri dhe mundësi rritjeje të çmimeve, ajo që do të fitojmë është më shumë mundësi për punë, shërbime më të mira dhe një shoqëri që përparon. Reformat nuk janë gjithmonë të lehta, por kjo është një mundësi që mund të na çojë përpara.

Unë pres nga të gjitha ofertat politike të më tregojnë për taksat. Sepse aty është leva transformuese. Për reformat fiskale. Për tatimin. Tatimi, taksa, nuk është vetëm dëshmi e pranisë së një shteti, por është edhe tregues i një sistemi shoqëror që lejon individin të ekzistojë. Në të vërtetë, taksa materializon ndarjen ndërmjet individit dhe shtetit. Ajo ekziston vetëm sepse sfera publike dhe private janë të ndara. Pa pranueshmëri të tatimit dhe taksës nuk ka pranueshmëri të shtetit. Nuk mund të thuhet se dikush e njeh shtetin e tij nëse nuk pranon të ndajë taksën e nevojshme që ai shtet të ekzistojë. Ekziston një alkimi, ku taksa është gurthemeli i saj, që lejon që individi të shndërrohet në shoqëri, njeriu në qytetar. Pa taksa nuk ka shtet, pa shtet nuk ka rregulla, dhe pa rregulla nuk ka shoqëri. Ose më mirë, është sundimi i më të fortëve, sundimi absolut i mashtruesve dhe dinakëve, organizimi mafioz i shoqërisë. Megjithatë, pa këtë pëlqim, pa këtë pajtueshmëri ndaj tatimit, shteti mbetet i brishtë, i papërshtatshëm për konkurrencën globale, i lidhur me kultin e liderëve, subjekt i krizës, revoltave, represioneve dhe revolucionit.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme