Realiteti që zhvlerësoi një politikë dhe një shtet 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 02.01.2023 11:09 02.01.2023 11:09 Blerim Shala Dmitry Medvedev ka qenë President i Federatës së Rusisë (në vitet 2008-2012), gjithashtu edhe Kryeministër i këtij shteti (në vitet 2012-2020). Në ato vite madje, kur ky ishte President e Vladimir Putin Kryeministër, në kryeqendrat perëndimore, Medvedev llogaritej si trashëgimtar i Putinit në një të ardhme afatmesme, dhe si një politikan i gjeneratës së mesme, që anon kah vlerat politike perëndimore. Medvedev është aktualisht Zëvendës-Kryesues i Këshillit të Sigurisë së Rusisë. Që prej se ka shpërthyer lufta në Ukrainë, me pushtimin e ushtrisë ruse në një shtet sovran, Medvedev është bërë një zëdhënës i Putinit, duke fyer ukrainasit, duke poshtëruar verbalisht Perëndimin, dhe duke paralajmëruar një apokalips bërthamor në Ukrainë (me përdorimin e potencialit atomik të Rusisë). Kaq sa për animin e tij kah vlerat perëndimore. Pak ditë më parë, Medvedev u bë sërish lajm ndërkombëtar. Kësaj here, me dhjetë parashikimet e tij për ngjarjet kryesore në Botë, në vitin 2023. Sipas Medvedevit, çmimet e naftës dhe të gazit do të rriten në mënyrë dramatike; Britania e Madhe do të kthehet në Bashkimin Evropian; BE-ja do të kolapson pas kthimit të Britanisë së Madhe, dhe Euro nuk do të jetë më valutë zyrtare e BE-së; Polonia dhe Hungaria do të okupojnë rajonet perëndimore të ish shtetit të Ukrainës (i cili më nuk do të ekzistojë, sipas Medvedevit); Rajhu i katërt do të krijohet, në përbërje të Gjermanisë, Polonisë, shteteve baltike, Çekisë, Sllovakisë, Republikës së Kijevit , etj; Lufta do të shpërthejë në mes të Francës dhe Rajhut të katërt. Evropa do të ndahet, Polonia do të përjetojë një ndarje të sërishme; Irlanda e Veriut do të largohet nga Britania e Madhe dhe do të bashkohet me Republikën e Irlandës; Lufta civile do të shpërthejë në SHBA. Kalifornia dhe Teksasi do të bëhen shtete të pavarura. Teksasi do t’i bashkohet Meksikos. Elon Musk do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale; Bursat më të mëdha do të largohen nga SHBA dhe BE dhe do të vendosen në Azi; Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore do të shkatërrohen. Euro dhe dollari nuk do të përdoren më si valuta rezervë. Si zëvendësim, do të përdoren valutat digjitale. Shkurt dhe shqip, Perëndimi si organizim politik, ekonomik, financiar, qytetërues (tek e fundit), do të hyjë në fazën më të rëndë që prej se ekziston si i tillë, SHBA-ja dhe BE-ja do të shkatërrohen, epiqendra e Botës do të zhvendoset në Azi dhe kështu me radhë. Natyrisht, këto parashikimet e Medvedevit, nuk kanë të bëjnë gjë me realitetin, apo, ato janë pjellë e një imagjinate të një politikani, i cili ka humbur çdo sens të kuptimit të dukurive dhe të proceseve në Evropë dhe në Botë. Në të vërtetë, kjo Listë e dhjetë parashikimeve të Medvedevit për ngjarjet kryesore të vitit 2023, është një Listë dëshirash të Zëvendës-Kryesuesit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, të cilat me siguri pëlqehen edhe nga Vladimir Putinit, Presidenti i Rusisë. Një politikë e merr një teposhtën të pakthyeshme në momentin kur analizat serioze dhe parashikimet e bazuara, i lënë vend dëshirave dhe synimeve joreale. Po të ishte ndryshe, në rastin e Vladimir Putinit dhe të lidershipit të Rusisë, nuk do të kishte fare luftë në Ukrainë. Realiteti në këtë shtet, në muajin shkurt të këtij viti, nuk u mor parasysh fare më Moskë. Ky realitet u shpall i pavlefshëm. Çka çonte peshë në Kremlin ishin dëshirat e Putinit dhe vartësve të tij më të afërt, ky gjithsesi hyn edhe Dimitri Medvedev. Dëshirat e Putinit u bënë politikë shtetërore. Ai mendonte që për një javë Ukraina do të bie, që populli i Ukrainës do t’i pres me lule ushtarët rus, që Perëndimi nuk do të guxojë të bëjë gjë në përkrahje të Kijevit zyrtar, që pastaj, do të instalojë një regjim besnik ndaj Rusisë, që pas Ukrainës, Moldavia do të jetë shteti tjetër ku do të ndodhë invadimi i forcave ruse, etj.etj. Gjithçka që ndodhi në Ukrainë, prej muajit shkurt të vitit të kaluar e këndej, bëri shkrumb dhe hi dëshirat dhe qëllimet e Rusisë së Vladimir Putinit. Nuk bëhet politikë sipër dëshirave të pambështetura nga gjendja reale që mbretëron në një shtet, apo, edhe në fqinjësinë e tij. Sidoqoftë, Lista e Medvedevit është një tjetër dëshmi për gjendjen e lidershipit të Rusisë, i cili jeton në një Botë të veten, apo në një Botë paralele, që nuk ka gjë të përbashkët me realitetin. Zatën, pasi që ti e shpall të pavlefshëm realitetin, vjen çasti kur realiteti të bën ty të pavlefshëm. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.