Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Qartësia përcaktuese

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.09.2024 16:13
Blerim Shala
Blerim Shala

Një: Nuk do të ketë Marrëveshje të re. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Parimi bazë është Pacta sunt servanda – çka është dakorduar duhet të implementohet.

Dy: Shoqëritë e Kosovës dhe Serbisë nuk janë gati për normalizim.

Tre: Ka rrezik të destabilizimit në gjithë Ballkanin Perëndimor, nëse palët nuk do të angazhohen në dialog dhe në zbatimin e Marrëveshjes.

Katër: Si do të përfundojë dialogu, apo, a duhet të përfshihet në këtë epilog edhe njohja reciproke  (në mes të Kosovës dhe Serbisë), këtë duhet ta vendosin vetë palët e përfshira në këtë proces.

Këto janë katër porositë kryesore të Miroslav Lajčakut, Emisarit Special për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, të artikuluara në intervistën për Radio Evropën e Lirë  (REL), në margjinat e Globsec Forumit që kësaj here u mbajt në Pragë.

Lajčak, siç dihet, do të qëndrojë në këtë detyrë deri me 31 janar  (të vitit të ardhshëm), duke i bërë kështu pesë vjet të plota si EUSR, një afat shumë i rrallë i përdorimit, kur bëhet fjalë për një mandat të këtij lloji.

Në vitet 2011-2020, apo, në decenien e parë të dialogut të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, nuk ka pasur fare EUSR. Dialogu është udhëhequr nga vetë HR  (Catherine Ashton dhe Federica Mogherini), dhe kabineti i Përfaqësuesve të Lartë.

Dyfishimi i angazhimit të BE-së në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, (pra, pos HR-së Josep Borrellit, edhe EUSR Miroslav Lajčak), nuk solli as për së afërmi rezultatet e synuara.

Kosova dhe Serbia janë realisht sot më larg se kurrë normalizimit të marrëdhënieve në mes tyre. Çfarë është ’normalizuar’ është një humnerë e madhe politike, e sigurisë, ekonomike, qytetëruese  (tek e mbrama), që i ndanë dy vende, dy shtete, dy popuj, dy shoqëri.

Dhe kjo humnerë është gjithnjë e më e rrezikshme. Kjo dihet.

Nëse ky realitet nuk do të jetë pikënisje e përpjekjeve të reja të BE-së dhe të SHBA-së për ta kthyer në binarë të mbarë gjithë këtë ndërmarrje ndërkombëtare, nga e cila, sërish sipas fjalëve të Lajčakut, varet e gjithë e ardhmja evropiane e shteteve të Ballkanit Perëndimor, atëherë pas tre-katër vitesh, dikush tjetër, një diplomat i radhës i BE-së, do të mund t’i ritheksojë dhe përsëris fjalë për fjalë këto mendimet përfundimtare të diplomatit që ka përvojë thuaja me të gjitha shtetet e kësaj pjese të Evropës.

Natyrisht, në ndërkohë Zoti e di se çka mund të ndodhë me këtë rajon, me Evropën dhe me Botën.

Dhe pak a shumë, mund të parashikohet se sa do të thellohet, edhe më shumë, hendeku që ndanë Kosovën dhe Serbinë.

Mësimi që është nxjerrë nga të gjithë ata diplomatë dhe politikanë perëndimorë që janë marrë me këtë dialog sa të duash të ndërlikuar dhe sa të duash të rëndë, e të cilin (mësim), nuk janë të gatshëm ta shprehin publikisht, është që të gjitha përpjekjet e bëra nga Perëndimi që nga viti 2011 e tutje, për t’i bindur te dy palët për t’i dhënë fund historisë tragjike dhe për t’i normalizuar marrëdhëniet, kanë vuajtur nga një e metë e madhe: Mungesa e qartësisë.

Ka qenë edhe më e vështirë që Kosova, në harkun kohor 1999-2008, të sigurojë paqen, pastaj, ta ndërtojë demokracinë dhe më në fund të bëhet edhe shtet. Perëndimi ka bërë luftë të mirëfilltë për imponimin e paqes, ka organizuar administratë ndërkombëtare  (UNMIK), ka udhëhequr me negocitatat e Vienës për adresimin e statusit të Kosovës.

Suksesi është arritur, në të gjitha këto etapa disa herë më të rënda se dialogu i Brukselit, pos tjerash, falë qartësisë evidente.

Një punë shumë e madhe që realisht ishte kryer prej Kosovës dhe Perëndimit në një periudhë dhjetëvjeçare  (1998-2008), është vënë, sërish realisht  (mund të thuhet), në dyshim përmes një dialogu që së shpejti do të hyjë në vitin e 14-të të tij, teksa gati askush nuk di se kur dhe si do të përmbyllet ai.

Pra, krejt ajo çka është arritur në ato vitet e paharrueshme të Kosovës dhe të Perëndimit, kur Kosova u bë një herë vend i lirë e pastaj shtet i pavarur, janë vlera të cilat nuk mund dhe nuk bën të mos konsiderohen si elemente kyç të Marrëveshjes ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është qartësia aq shumë e duhur për dialogun e Kosovës dhe Serbisë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme