Putin dhe Kosova (II) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 29.04.2022 15:53 29.04.2022 15:53 Në të Drejtën Ndërkombëtare njihen dy teori të bërjes së shteteve të reja: Teoria deklarative, dhe Teoria konstitutive. Kosova i ka përmbushur te dy këto teori. Në deklaratën e tij për media, pas takimit të tij me Antonio Gueterresin, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, i cili ndodhi këtë të martë, (me 26 prill), Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë, e thjeshtësoi tej mase krijimin e një shteti të ri të pavarur, duke e lidhur kryekëput, realisht, me vullnetin e politikanëve dhe qytetarëve të këtij shteti, të cilët ndërmarrin këtë veprim edhe në kundërshtim me qëndrimin e kryeqytetit të shtetit të tyre të deritashëm të përbashkët. Këtë e bëri, siç u analizua tashmë, duke tërhequr paralelen midis shembullit të krijmit të shtetit të Kosovës, me atë të Republikave të vetëshpallura Donjeck dhe Lugansk. Thjeshtë, sipas logjikës së Putinit, këto dy rajone të Donbasit, në lindje të Ukrainës, shpallën pavarësinë, Rusia e njohu këtë mëvetësi, dhe me kaq mori fund e tëra. Por, a është aq i thjeshtë dhe aq drejtëvizor, pa kurfarë pasojash, tensionesh dhe prapakthimesh procesi i krijimit të shteteve të reja, siç pretendon, përmes këtij interpretimi të tij, Presidenti rus? Me përjashtim të ndërmarrjes së njohur të krijimit të shteteve të reja në periudhën e dekolonializmit, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, janë shumë të rralla rastet kur shtetet e reja janë krijuar në mënyrë paqësore, përkundër kundërshtimeve të udhëheqësisë së shtetit të përbashkët. Kjo ka ndodhur me ish-Bashkimin Sovjetik, falë më së shumti largpamësisë politike dhe maturisë së liderit të fundit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev. Disa shtete të moçme, si Estonia, Letonia dhe Litvania (të cilat ishin aneksuar nga Bashkimi Sovjetik në kohën e Stalinit dhe në vijim të përmbysjes së madhe të shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore), rifituan pavarësinë në vitin e zhbërjes së Bashkimit Sovjetik, disa të tjera u krijuan në vijim të këtij qëndrimi të Gorbachevit, si Ukraina, Bjellorusia, Gruzia, Kazakhistani, Turkemistani, Armenia, Azerbejxhani, ndërsa në te dy rastet, kishim të bëjmë me ish-republikat e Bashkimit Sovjetik. Pastaj, ndodhi edhe shuarja e shtetit të Gjermanisë Demokratike, apo bashkimi i saj me Gjermaninë Federale, në vitin 1990. Nuk ka kurfarë dyshimi që pa vullnetin e Gorbachevit dhe pushtetit qendror të Bashkimit Sovjetik, do të ishte shumë vështirë që të niste kjo vala e madhe e krijimit të shteteve të reja në Evropë, dhe pastaj, do të ishte mbase e pamundur që këto shtete të pranoheshin prej SHBA-së dhe Evropës, dhe që të njejtat, madje të anëtarësohen në OKB. I njejti proces i krijimit të shteteve të reja pas shpartallimit të RSFJ-së, në vitin 1991, do të sjell përplasjen politike dhe ushtarake në mes të Serbisë (si personifikim të pushtetit qendror të Beogradit), dhe shteteve në krijim e sipër/ apo ish njësive federale. Lufta do të niste në Slloveni dhe Kroaci, në vitin 1991, do të vazhdonte në Bosnjë dhe Hercegovinë, në vitet 1992-1995, dhe do të përfundonte në Kosovë, në vitet 1998, 1999. Ndryshe, në të Drejtën Ndërkombëtare njihen dy teori të bërjes së shteteve të reja: Teoria deklarative, dhe Teoria konstitutive. E para, apo kjo Teoria deklarative lidhet me Konventën e Montevideos (1933), e cila citohet shumë shpesh nga njohësit e politikës, për shkak të definicionit sipas të të cilit një shtet për të ekzistuar, duhet ta ketë territorin e definuar qartë, popullatën e përhershme, qeverinë dhe kapacitetin për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera. Mungesa e njërit prej këtyre elementeve sjell dëme të pariparueshme për ekzistencën e një shteti. Sipas Teorisë deklarative, një shtet mund të shpallet si i tillë nëse sovraniteti i tij nuk është arritur me forcë ushtarake. Kjo Teori pra e sheh krejtësisht të mjaftueshme deklarimin e ekzistimit të një shteti (nga udhëheqësit e tij), që ai shtet të nisë të funksionojë. Por realisht, Teoria konstitutive është më realiste, në aspektin politik, dhe këtë e ka konfirmuar tek e fundit edhe përvoja historike. Sipas kësaj Teorie, një shtet nuk mund të sigurojë ekzistencën e tij afatgjatë, nëse ky shtet nuk do të njihet prej shteteve të tjera. Kjo njohje, pastaj, mundëson anëtarësimin e këtij shteti në organizata ndërkombëtare, në OKB dhe gjetiu. Vet akti i shpalljes së një shteti, sado legjitim që mund të jetë ai, sado që është i bazuar në rrjedhat historike dhe politike në një hapësirë, nuk mjafton pra që ky shtet ta sigurojë ekzistencën e vet. Po të vlente vetëm Teoria deklarative, atëherë, gjithandej Rruzullit tokësor, duke përfshirë edhe vet territorin e Rusisë, do të mund të krijoheshin shumë shtete të reja. Por nëse ato nuk pranohen dhe nuk njihen nga shtetet e tjera, atëherë është e qartë që ato nuk do ta kenë fare ardhmëninë e sigurtë. Tek e mbrama, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, edhe Kosova, sipas Teorisë deklarative, do të ishin bërë shtete të pavarura shumë më herët (sepse dihet se kur ato kanë deklaruar pavarësinë e tyre), por ato vetëm kur janë njohur prej shteteve të tjera, kanë nisur ekzistencën e tyre si shtete të pavarura. Po të mos njihej Kosova nga ShBA-ja, 22 shtetet e BE-së dhe shtete të tjera në Botë, do të ishte, thënë fare troç, e pamundur të fitohet beteje legale me Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kosova, në periudhën kur u bë shtet i pavarur, në muajin shkurt të vitit 2008, i plotësonte të katër kriteret e Konventës së Montevideos, pastaj, ndodhi shpallja e pavarësisë në Kuvend, dhe më në fund pasuan edhe njohjen e shtetit të Kosovës. I gjithë ky proces pati pikën kulminante me Mendimin këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.