Putin dhe Kosova (I) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 28.04.2022 09:32 28.04.2022 09:32 Rasti i Kosovës nuk mund të merret si shembull për pavarësimin e rajoneve Donjeck dhe Lugansk në Ukrainë. Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, sërish përmendi shembullin e Kosovës, në synimet e tij politike dhe diplomatike për të justifikuar Luftën në Ukrainë, (të nisur me 24 shkurt) dhe njohjen nga Rusia të dy Republikave të vetëshpallura në lindje të Ukrainës, apo Republikat e Donjeckut dhe Luganskit (e cila ndodhi me 21 shkurt). Pas takimit që pati me Antonio Gueterres, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, këtë martë (me 26 prill), në Moskë, Putin pohoi që Donjeck dhe Lugansk u bënë të pavarur, në analogji me Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) për Kosovën. Putin, për më shumë, theksoi që ka lexuar me kujdes dokumentet e kësaj Gjykate, sipas të të cilave del që një territor, në sendërtimin e të drejtës për vetëvendosje, nuk ka obligim të kërkojë lejen nga pushteti qendror për deklarimin e sovranitetit të vet. Këtë qëndrim, sipas Putinit, e kanë përkrahur SHBA-ja dhe shtetet nga Evropa gjatë diskutimit për Kosovën në GJND. Nëse në rastin e Kosovës, sipas Putinit, ka ndodhur precedenti (dhe ai është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, sipas Putinit), atëherë, edhe Donjeck dhe Lugansk kanë pasur të drejtë të bëhen shtete të pavarura pa e kërkuar këtë të drejtë nga Kijevi (pushteti qendror i Ukrainës). Gueterres në përgjigjen e tij ndaj këtij qëndrimi të Putinit, u thirr në faktin që OKB nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, gjë që është pohim shumëfish i gabuar i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i cili me gjasë, nuk e di krejt çfarë ka ndodhur nën përkujdesjen e OKB-së dhe të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në shembullin e Kosovës, që nga viti 1998 e tutje. Dy sekretarë të Përgjithshëm të OKB-së kanë qenë drejtpërdrejtë të përfshirë në adresimin dhe zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës. Njëri, Kofi Annan, ka emëruar emisarin e vet Special, ish-presidentin e Finlandës, Martti Ahtisaari, në muajin tetor të vitit 2005, për ta trajtuar këtë çështje (të statusit të Kosovës), e cila pati mbetur e hapur që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (në qershor të vitit 1999). Tjetri, pasuesi i Annanit, Ban Ki-moon, ka mirëpritur dhe përshëndetur Propozimin Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari (në muajin mars të vitit 2007), në bazë të të cilit, Kosova duhej të bëhej shtet i pavarur, fillimisht i mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Në anën tjetër, duket që Gueterres ngatëron njohjen e një shteti me pranimin e tij në OKB. OKB nuk njeh shtete. As Bashkimi Evropian si i tillë nuk njeh shtete. Kjo dihet. OKB pranon shtete të reja në gjirin e vet, me procedurat e njohura përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së (ku së paku nëntë nga pesëmbëdhjetë shtete anëtare të KS-së duhet të votojnë në favor të anëtarësimit të shtetit të ri në OKB, dhe asnjëri nga P-5, apo pesë shtetet që janë anëtarë të përhershëm të instancës më të lartë të sigurisë ndërkombëtare, nuk duhet ta përdorin të drejtën e veto-s). Në rastin e Kosovës, në pranverën e vitit 2007, kanë qenë 11 shtete në favor të propozimit të presidentit Ahtisaari dhe ndryshimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por Rusia e Vladimir Putinit dhe e Sergey Lavrovit (ai edhe në atë kohë ishte ministër i Jashtëm i Rusisë), pati kërcënuar shtetet kryesore të Perëndimit me përdorimin e veto-s. Dhe këtë Moska zyrtare e pati bërë përjashtimisht për shkak të Serbisë, duke pohuar asokohe që poqëse Beogradi do të pajtohet me Pavarësinë e Kosovës, as Rusia nuk do të kishte gjë kundër këtij Propozimi të Ahtisaarit. Në anën tjetër, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), në periudhën tetor 2008 (mirtimi i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së), korrik, 2010 (shpallja e Mendimit këshilldhënës të GJND-së), është marrë kryekëput me pyetjen e prezentuar nga Qeveria e Serbisë para OKB-së. Kjo pyetje ka qenë: ‘A është deklarimi i njëanshëm i pavarësisë nga Institucionet provizore të vetëqeverisjes të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?’ Autoritetet serbe në Beograd kanë qenë të bindura që GJND do ta zhvlerësojë, legalisht (nga aspekti i të Drejtës Ndërkombëtare), deklarimin e Pavarësisë së Kosovës, mbi të gjitha, për shkak të mbetjes në fuqi të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (ajo ka qenë në fuqi edhe në ditën e shpalljes së pavarësisë, me 17 shkurt të vitit 2008), dhe në vijim të faktit që IPVQ-të si të tilla (apo, Institucionet provizore të vetëqeverisjes të Kosovës), kanë pasur mandat të kufizuar legal dhe politik, dhe ato në parim i janë nënshtruar UNMIK-ut dhe SRSG-së (Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së). Më në fund, Beogradi ka shpresuar që rasti i Kosovës do të trajtohet në GJND si shembull i pastër i secesionit të një territori nga një shtet sovran i cili për më shumë është anëtar i OKB-së. Dihet mirë se çfarë ndodhi në Hagë, në selinë e GJND-së, në muajin korrik të vitit 2010. GJND konstantoi që shpallja e pavarësisë së Kosovës nga përfaqësuesit e popullit, në Kuvendin e Kosovës, nuk ka qenë në kundërshti me të Drejtën Ndërkombëtare. Në këtë mënyrë edhe në aspektin e të Drejtës Ndërkombëtare, u legjitimua ekzistenca e shtetit të pavarur të Kosovës. Sidoqoftë, e gjithë historia e re e Kosovës, si edhe të gjitha shteteve të reja të krijuara në hapësirat e ish-RSFJ-së, nuk ka gjë të përbashkët me Ukrainën, apo rajonet e rebeluara të saj. Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia (sot Maqedonia e Veriut), Mali i Zi dhe Kosova, kanë mundur të bëhen shtete të pavarura, sepse ish-shteti i tyre, RSFJ, apo Federata e Jugosllavisë, sipas Konstatimit të Konferencës Paqësore të Hagës (1991), ka pushuar së ekzistuari, apo është shpërbërë. Serbia është bë shtet i pavarur pa vullnetin e saj. Sidoqoftë, shtatë shtete të reja kanë dalë pas shkatërrimit të ish-RSFJ-së. Krijimi i shteteve të reja në këtë territorin i cili më parë i kishte lidhur njësitë federale të Jugosllavisë, nuk ka mundur të trajtohet si një secesion. Teksa, në përpjekje për të menaxhuar disi krizat në Bashkimin Sovjetik dhe në RSFJ, të cilat po i përjetonin javët dhe muajtë e fundit në vitin 1991, SHBA dhe BE patën miratuar Parimet themelore të cilat këmbëngulnin në ruajtjen e kufijve të jashtëm (të Bashkimit Sovjetik dhe të RSFJ-së), dhe të brendshëm (të njësive federale të këtyre dy shteteve). Të drejtë për t’u bërë shtete të reja kishin njësitë federale e jo kombet. Konferenca e Hagës për Jugosllavinë, të cilën e udhëhiqte diplomati britanik Lordi Carrington, për më shumë pati hartuar edhe kriteret për pranimin e shteteve të dala nga zhbërja e RSFJ-së, të cilat duhej të plotësoheshin prej atyre njësive federale të cilat synonin të aplikonin për njohje. ©klankosova.tv. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.