Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pushimi vjetor i dialogut

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 20.08.2023 15:07
Blerim Shala
Blerim Shala

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është në pushim vjetor. Nuk po ndodhë gjë prej gjëje, teksa ky proces, thënë më së buti po vegjeton. Apo, nëse këtu e rikujtojmë pak gjendjen në kohën e Pandemisë, ky dialog po mbahet gjallë disi me terapi oksigjeni.

Kush e kishte menduar që do të mbërrimë këtu në shtatorin e vitit të kaluar, kur Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz lansuan nismën e tyre e cila pas vetëm pesë muajsh u shndërrua në ‘Marrëveshjen për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë’, e cila gojarisht u mbështet nga te dy palët, apo nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, në Bruksel, me 27 shkurt.

Mbase, askush.

Në ndërkohë, dialogu për të siguruar një përparim thelbësor në ndërmarrjen rajonale dhe ndërkombëtare të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, u transformua në bisedime për ta shtensionuar gjendjen në Veriun e Kosovës.

Por duket që vapa e madhe e kësaj Vere, bëri më shumë për qetësimin aktual të situatës në Veri, se sa nismat e Brukselit.

Është thënë qëmoti, është përsëritur shumë herë: Koha nuk është aleat në këtë proces dhe Status Quo është i rrezikshëm, apo ai i konvenon vetëm Rusisë.

Por, duket që ky vlerësim shumë i sakt dhe i qëndrueshëm i Washingtonit dhe Brukselit, nuk është përkrahur kurrë nga lidershipi aktual i Serbisë.

Për më shumë, bazuar në deklaratat e fundit, gjithsesi kërcënuese të Miloš Vučevićit, Ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Kryetarit të SNS-it  (partisë më të madhe politike në Serbi), dhe me gjasë, Kryeministrit të ardhshëm të Serbisë, duket që Beogradi zyrtar nuk heziton t’i kërcënohet edhe dy shteteve të tjera fqinjësore, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, teksa raportet e Beogradit me Kosovën janë të njohura për të gjithë.

Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për Status Quo-në dhe mungesën e kohës  (edhe për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Amerikë dhe atyre për Parlamentin Evropian në Evropë), si dy probleme evidente të cilat do të duhej të adresoheshin nga të gjithë ata të përfshirë në këtë ndërmarrje, gjithnjë e më shumë po kuptohet që Presidenti i Serbisë dëshiron të harxhojë sa më shumë kohë pa bërë gjë konkrete në zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe të Marrëveshjes së Ohrit. Ai dëshiron të shoh se çka do të ndodhë në Luftën e Ukrainës, apo, si do të ndahet Rusia në rrëmujën e përgjakshme të shkaktuar prej Vladimir Putinit. Pastaj, viti i ardhshëm njëmend do të jetë tej mase i ndërlikuar në Amerikë. Në çdo variant, pa marrë parasysh se kush do të ngadhnjejë në garën e vështirë  (gjithqysh) presidenciale, Administrata e ardhshme amerikane do të konsumojë muaj të tërë, në mos edhe më shumë derisa të stabilizohet. Për këtë shkak, ai po bën gjithçka që është e mundur, që të bllokojë qoftë edhe hapin më të vogël në drejtim të prishjes së gjendjes Status Quo në këtë dialog dhe në Veriun e Kosovës.

Vetëm pak javë më parë, u duk që përfshirja e policëve të ri serb në rradhët e Policëve të Kosovës, do të mundësojë fillimin e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për t’i zhbërë në mënyrë thelbësore pasojat e veprimit të Serbisë në nëntorin e vitit të kaluar, kur u larguan të gjithë pjesëtarët serbë të Policisë në Veri.

Por ja që pak ditë më parë, serbët e rekrutuar dhe të trajnuar muajve të kaluar, u detyruan të dorëhiqen. Kush nuk dushon as këtu, po as në kryeqendrat perëndimor se kush dhe si u bë sebep për largimin e tyre.

U tha tashmë që Presidenti i Serbisë është ‘kujdestar’ që të mos ndodhë asgjë në Veri, që do ta mëdyshte synimin e tij për ta mbajtur Veriun e Kosovës si peng të tij, dhe vet dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të përqëndruar tërësisht në këtë temë.

Një Polici shumetnike e Kosovës, e cila në Veriun e Kosovës do të ishte reflektim i përbërjes etnike të kësaj pjese të vendit, nuk është vetëm një synim i pushtetit të Kosovës, por është edhe një vlerë evropiane, në kuptimin më të mirë të fjalës.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme