Profesor Qosja, një shtyllë e mendimit dhe aksionit kombëtar - Klan Kosova

Profesor Qosja, një shtyllë e mendimit dhe aksionit kombëtar

123
string(14) "Mentor Nazarko" string(60) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/04/nazarko.jpg"
5 months më parë

Në 25 qershor, mendimtari i madh shqiptar Rexhep Qosja bëri 85 vjeç dhe munguan analizat për rëndësinë e figurës së tij në historinë e mendimit dhe veprimit kombëtar në këto 30 a më shumë vitet e fundit. Botës shqiptare po i rrallohen figura me peshë të ngjashme dhe pylli ideor nuk po ka shumë lisa si ai apo sa ai, që janë në një fazë të fundme të kontributit të mendjes, e të penës si pasojë. E gjitha kjo ndodh në një kohë të posaçme kur është vështirë të krijohen figura të tilla fuqishëm përbashkuese apo fuqishëm përçarëse e ndikuese, në epokën e mediave sociale dhe leximit në rrjet, që, siç thotë filozofi Isakson, krijojnë ndarje të padobishme.

Rexhep Qosja ishte pjesëmarrës aktiv në ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare dhe kjo e rrit peshën e tij sot dhe nesër: asistoi lindjen e pluralizmit kombëtar dhe LDKsë, partisë kryesore të botës shqiptare ndërsa refuzoi drejtimin e saj; dështoi me një parti tjetër, por kontribuoi në begatinë ideore të pluralizmit në Kosovë; mori pjesë në negociatat e Rambujesë në 1999, që shënuan njëlloj drejtimi paqësor dhe shtetlindës të Kosovës; kontribuoi sa mundi në debate identitare të kombit, qoftë edhe me ashpërsinë e tij karakteristike; krijoi letërsi, por mbi të gjitha shpjegoi thjesht për brezat e rinj Rilindjen Kombëtare, kopshtin e figurave të saj. Ai është dëshmitar aktiv i pavarësimit të Kosovës, lindjes së subjekteve të reja politike si Vetëvendosja, përparimit shtetëror të Kosovës dhe afrimit të saj me Shqipërinë. Me gjasë – e thënë modestisht – ripërtypja dhe ushqimi i brezave me mendimin e tij për rilindësit do të mbetet kontributi më i rëndësishëm i tij, por për këtë çështje do diskutohet gjatë. Ishte dhe mbetet ndër shkruesit dhe folësit më të bukur të shqipes, duke e shndërruar këtë cilësi në një status simbol për elitën politike dhe intelektuale të botës shqiptare, posaçërisht në Kosovë.

Rexhep Qosja ka qenë njëlloj ndërgjegje kritike në gjithë këto procese, duke përfaqësuar një metër gjykimi nacionalist për kompromiset që propozoheshin dhe ky metër apo busull u ka shërbyer sidokudo protagonistëve të këtyre kompromiseve. Ai ruajti integritetin e tij moral, duke mbajtur distancën higjenike me të gjithë pushtetet e alternuar në Kosovë, apo Shqipëri, megjithëse shprehu zëshëm simpatitë apo antipatitë e tij për figura të caktuara të këtyre pushteteve. Nuk e fali asnjëherë Rugovën, me të cilin duhet të ketë pasur rivalitet që herët në aulat apo kafenetë akademike të Prishtinës së viteve ‘70, por as dhe Berishën, me të cilin kishte momente të mira kur profesori ishte Nun i gazetës së parë të opozitës. E kuptoi dhe u tërhoq me dinjitet nga politika aktive sepse e ndjeu që e kishte të vështirë të shndërrohej në prijës politik për shkak të kompromiseve që duhej të bënte.

Me gjasë për snobizëm intelektual, apo inerci ndershmërie a koherence intelektuale me të shkuarën, preferoi të rreshtohej kundër rrymave kryesore në gjykimin e figurave të caktuara të historisë si Enver Hoxha për shembull, por në këto pozicionime ishte i dobishëm për debatin publik, megjithë kryeneçësinë e tij. Nuk zgjodhi të bënte kompromise me Perëndimin, aleatin kryesor të shqiptarëve, në dëm të ideve të veta në procese të caktuara si Rambujeja, por ama kurrë nuk u rreshtua publikisht kundër tij. Kaloi nga një fazë miqësie dhe mbështetje reciproke me Kadarenë që mbështeti botimin në Francë të disa veprave të tij, në një luftë publike me të për çështje identitare, por hapësira kombëtare u përmbush me një debat titanësh dhe individi shqiptar diçka ka mësuar prej kësaj polemike. Ndonëse gjykimi i tij gjithëpërfshirës konsideronte përbërësen lindore si përbërëse me njëfarë peshe në identitetin tonë krahas përbërëses europiane, çka ushqeu ekstremizmin verbal islamik, posaçërisht atë në rrjet, profesor Qosja ishte dhe mbetet laik, në jetë, gjykim dhe mendësi.

Profesor Qosja ishte së bashku me Adem Demaçin, si njëlloj Ati shpirtëror i Lëvizjes Vetëvendosje, por kurrë nuk iu vardis qeverisjes së të majtës së re kombëtare dhe as nuk mbrojti gjithçka të tyre, duke mbetur vëzhgues i vëmendshëm i veprës albiniane. Kurrë nuk inkurajoi publikisht përplasjen e tyre me Perëndimin dhe SHBA-të, posaçërisht. Studiues i hershëm i Asdrenit, në agimin e tij akademik, profesor Qosja mbetet ithtar i palëkundur i bashkimit kombëtar dhe gjithmonë e ka menduar hapësirën kombëtare si një e tërë, pa rënë kurrë në grackat egocentrike të zgafelleve të caktuara të mendimit akademik a politik në Kosovë. Idealisht do donte funksionimin e tandemit Rama-Kurti, që e respektojnë të dy, por u rri larg veprave të mira të pajtimit politik mes tyre.

Mbetet një konservator në mendimet e veta, ashtu si dhe në huqet e veta: për shembull të përdorimit të makinës së shkrimit, si mekanizëm mendimi të thellë, saktësimi, a pagabueshmërie në parashtrimin a disiplinimin e ideve, ndërsa përjeton një qartësi, kthjelltësi mendore, të pazakontë për një moshatar të tij. Nuk ka pasur frikë nga mbrojtja e ideve që u bënë herezi, si ajo e shkëmbimit të territoreve, nga pozitat e nacionalistit shqiptar që nuk besoi dhe as beson në bashkëjetesën e mundshme me serbët, mirëpo nuk ka udhëhequr kurrë me mendim filozofik a kombëtar, me vetëdije a pa vetëdije ndonjë fushatë spastrimi etnik të tjetrit, si homologët e tij serbë.

Për shkak të intransigjencës së tij ideore, konservatorizmit, nacionalizmit të tij të panjollë, profesor Qosja nuk mund të shërbejë mjerisht si figurë pajtuese e të gjitha krahëve, diçka që do ta bënte Autoritet Moral të kombit, pra, të të gjithë pjesëve a vetjeve të tij, megjithatë, ai mbetet një figurë me spesor të lartë moral e intelektual. Do ishte i dobishëm si pajtues, në një komb që mbetet ende i ndarë sipas sinorësh partiakë a feudalë anembanë Ballkanit, por dhe si ishte dhe është, prapë është një shtyllë a fanar orientues. Dhe gabimet e tij janë pasuri për ne: e mira apo e bukura nuk janë perfekte.