Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Prishja e kalendarit

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 03.04.2023 09:24
Blerim Shala
Blerim Shala

Bojkotim i zgjedhjeve lokale. Vetura të djegura për disa ditë rresht. Shok bomba mbi policinë. Paralajmërim për ‘kryengritje’ nga ana e udhëheqësisë së ‘Listës Serbe’, për shkak të arrestimit të njërit prej autorëve të sulmit mbi policinë dhe të kalljes së veturave.

Po mungojnë vetëm edhe barikadat me të cilat u pati bllokuar thuaja i gjithë trafiku në Veriun e Kosovës, për t’u krijuar përshtypja që kemi problem serioz me kalendarin, apo që ne nuk jemi në muajin prill të vitit 2023, por në muajtë nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar.

E në ndërkohë, në këtë kalendarin e zhvillimeve politike në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë shënuar dy data që do të duhej të ishin vendimtare për të ndryshuar, në mënyrë thelbësore, marrëdhëniet në mes të këtyre dy shteteve: 27 shkurti, kur të Bruksel u shpall nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, dakordimi i Kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, për Marrëveshjen për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe 18 marsi, kur në Ohër  (Maqedoni e Veriut), Borrell bëri me dije që palët janë pajtuar edhe për Aneksin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Dihet që këto vendime të instancave më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, janë përkrahur prej Washingtonit, Brukselit, Berlinit, Parisit dhe shumë kryeqyteteve tjera perëndimore, teksa iu është përsëritur disa herë Autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë që kemi të bëjmë me Marrëveshje ligjësisht detyruese, e cila duhet  (e tëra), të zbatohet brenda një afati kohor që matet me pesë muaj  (apo, në variantin më të keq, deri në fund të këtij viti).

Nëse edhe një herë i kthehemi përshkrimit të shfaqur në fillim të këtij shkrimi, nuk ka si të vendoset një lidhje e logjikshme politike në mes të këtyre akteve të kërcënimit të sigurisë në Veriun e Kosovës  (të cilat, ndryshe, asnjëherë nuk janë gjykuar nga ana e ‘Listës Serbe’, gjë që është paradoks në vete sepse kemi të bëjmë me shembuj të dhunës së pastër, e cila si e tillë do të duhej të dënohej prej të gjithë politikanëve dhe partive politike), dhe domosdoshmërisë së jetësimit të Marrëveshjes për fillimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Një Marrëveshje e këtyre përmasave, poqëse njëmend është arritur me vullnetin e mirëfilltë të te dy palëve, do të duhej automatikisht të krijonte rrethana më të volitshme politike, shtensionim të situatës, një frymë më pozitive për të ecur në drejtimin e paracaktuar me te  (me këtë Marrëveshje).

Në rastin e Akordit në mes të Kosovës dhe Serbisë, së paku në javët e para pas dhënies së pëlqimit verbal të Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vučić, po ndodhë e kundërta.

Gjendja e sigurisë në Veriun e Kosovës është, realisht, më e keqe pas bërjes së kësaj Marrëveshjeje, se sa që ka qenë prej fundvitit të kaluar e këndej.

Presidenti i Serbisë, si rëndom, po jep deklarata kundërthënëse se si e vlerëson ai Marrëveshjen në fjalë dhe obligimet e tij në zbatimin e saj.

Shikuar nga kjo perspektivë, vështirë që mund të ndodhë ai ndryshimi për të mirë në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili, tek e fundit, është kodifikuar si proces në Marrëveshjen e përmendur disa herë tashmë.

Megjithatë, pikërisht për shkak të arritjes së kësaj Marrëveshjeje, rrethanat ndërkombëtare janë sot krejt tjetërfare, prej atyre që mbretëronin në vjeshtën dhe vitin e kaluar, kur realisht, BE-së dhe SHBA-së i mungonin mekanizmat e mirëfilltë për të ndikuar në mënyrë substanciale te te dy palët për mënyrën se si do të sillen, veçmas kur bëhet fjala për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në raportet në mes të dy vendeve.

Kjo Marrëveshje u bë, pos tjerash, për t’i lënë prapa  (një herë e mirë), sprovat e sigurisë në Veriun e Kosovës, të cilat me të drejtë u kualifikuan, në trajtimin ndërkombëtar të tyre, si ’menaxhim i krizës’  (’crisis menagement’).

Çfarë po bën Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić javëve të fundit, ka për qëllim një vendnumërim të ri në këtë ndërmarrje të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke mos i dhënë mundësi zbatimit të Marrëveshjes.

SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të duhej ta lejonin tutje një sjellje të këtillë të Presidentit të Serbisë.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme