Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pranvera e vitit 1991

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 04.04.2024 09:48
Blerim Shala
Blerim Shala

Gjendja politike dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është më e keqe se kurrë që prej se këndejpari ka marrë fund cikli historik i krijimit të shteteve të reja mbi gërmadhat e ish-Jugosllavisë.

Vetë-shkatërrimi i RSFJ-së në vitin 1991, solli në hartat e Evropës shtatë shtete të reja, duke nisur me Slloveninë dhe Kroacinë (në vitin 1992), dhe duke përfunduar me Malin e Zi  (në vitin 2006) dhe Kosovën  (në vitin 2008).

Nuk ka gjë më, as në këto anë dhe as në vet Bashkimin Evropian, nga ai entuziazmi i madh i fillimviteve të dekadës së parë të Shekullit XXI, (i kumtuar në Samitin e Selanikut të vitit 2003), i cili parashikonte që më së largu për dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të integrohen në BE, pasiqë në ndërkohë këto shtete dhe shoqëri, do të pësojnë një transformim rrënjësor duke i përqafuar vlerat politike, ekonomike, kulturore dhe qytetëruese  (tek e fundit) të Evropës dhe të Perëndimit.

Këto vlera zatën sot janë të rrezikuara brenda vet BE-së, nga autokratët e tipit të Viktor Orbanit, Kryeministrit të Hungarisë, si dhe nga dyndjet e reja të popullistëve të së djathtës ekstreme në shumë shtete të BE-së.

Arsyetimet e shumta që i kemi dëgjuar dhe lexuar viteve të fundit, nga vet liderët e shteteve të BE-së, për këtë ngecjen në procesin e zgjerimit të BE-së kah Jug-lindja e këtij kontinenti, së bashku me atë porosinë e stër-mërzitshme që ‘shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane’, tashmë nuk kanë kurfarë vlere të përdorimit.

Pak vite më parë supozohej që paqja është e sigurtë në Ballkan, dhe që çfarë ka mbetur për t’u bërë është stabilizimi afatgjatë i kësaj ane, evropeizimi i plotë i gjashtë shteteve të këtij ishulli politik të BE-së  (sepse dihet që këto gjashtë shtete në të gjitha anët janë të rrethuara me shtetet që tashmë janë pjesë e Bashkimit Evropian), dhe më në fund anëtarësimi i tyre në BE.

Tani, flitet gjithandej, në qarqet relevante evropiane dhe amerikane, që edhe paqja këtupari është e rrezikuar nga Rusia e Vladimir Putinit, teksa vështirë që mund të gjindet kush në Bruksel e Washington që beson që brenda pak vitesh, apo edhe një decenie të plotë, mund të arrihet qëllimi që këto gjashtë shtete të hyjnë në BE, nëse deri atëherë do të ketë Bashkim Evropian.

Pesimismi realist  (apo realizmi pesimist), është model mbizotërues i mendimeve dhe i analizave në kryeqendrat perëndimore.

Natyrisht, burim i kësaj qasjeje është pos tjerash edhe lufta në Ukrainë, e cila në pranverën e tretë të saj  (lufta nisi në shkurtin e vitit 2022), ka sjellë një lëmsh spekulimesh dhe parashikimesh se si do të mund të përfundojë, nëse ka gjasa fare të merr fund në një të ardhme të afërt.

Në ‘Frontin lindor’ të vet, Perëndimi amerikan dhe evropian ka ndihmuar në mënyrë substanciale Ukrainën për ta ndalë Rusinë e Vladimir Putinit në synimin e saj për ta gllabëruar këtë shtet, gjë që padyshim është një sukses.

Megjithatë, në këtë anën Jug-lindore të Evropës, duket që ajo urgjenca e pranverës së vitit 2022, e shkaktuar nga paniku evropian për shpërndarje të luftës nga Ukraina në Ballkan, e cila funksionoi pak muaj nën titujt mediatik që Ballkani Perëndimor është interes dhe sferë gjeo-politike e BE-së, është zëvendësuar me një politikë të mbijetesës dhe të Status Quo-së, derisa të vijnë kohërat më të mira.

Këtu mund të paraqiten tash argumentet e njohura që 2024-ta është vit zgjedhor në Evropë dhe në SHBA, dhe që prej vitit të ardhshëm, Ballkani do të jetë prioritet i Washingtonit dhe Brukselit  (gjë që nuk është aspak e sigurtë, sepse varet se kush do ta fitojë garën zgjedhore për përbërjen e Parlamentit Evropian dhe për Shtëpinë e Bardhë).

Megjithatë, siguria dhe politika (njëlloj si natyra), nuk njohin gjendjen e vakumit. Veçmas në këtë pjesë të Evropës.

Kjo zatën po kuptohet përditë e më shumë nga deklaratat dhe paralajmërimet politike që po vijnë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić.

Ai tashmë ka caktuar datën  (5 dhe 6 maj), të një Kuvendi gjithëserb të Pashkëve, ku sipas tij do të adresohen çështjet madhore politike dhe të sigurisë me të cilat po përballen serbët, kudo që jetojnë.

Ta merr mendja që jemi diku në pranverën e vitit 1991, e jo në atë të vitit 2024.

Kaq për perspektivën evropiane.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme