Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Portrete në vaj të pikturuara me fjalë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 14.12.2023 08:22
Blerim Shala
Blerim Shala

Libri më i ri publicistik i Blendi Fevziut ‘Takimet e mia me…’, na shfaqë portretet e 39 protagonistëve të historisë politike, shpirtërore, kulturore shqiptare të tetëdhjetë viteve të fundit.

Ka këtu politikanë, shkrimtarë dhe artistë, ka këtu presidenta dhe kryeministra, ka këtu mbretëresha dhe princa, ka këtu nacionalistë dhe komunistë, ka këtu demokrat, liberal por edhe autokrat, ka këtu humbës dhe fitues, ka këtu gjeneralë, luftëtarë dhe njerëz paqësor, ka këtu besimtar në Zot dhe mohues të tij, ka këtu vuajtje dhe mëshirë, ka këtu rënie dhe ngritje të pakrahasueshme.

Të gjithë këta, me krejt dallimet thelbësore që kanë në mes veti, i bashkon një histori e vetme, ajo shqiptare, dhe një libër i vetëm, ky i Blendi Fevziut.

Duket që titulli që do t’i rrinte më mirë këtij vëllimi publicistik të Fevziut do të ishte ky: ‘Portrete në vaj’, me një nëntitull, ‘të pikturuara me fjalë’.

Por në anën tjetër, duket që as ky titull nuk reflekton gjithë pasurinë që e ka ky libër.

Piktura, edhe më e bukura e mundshme, është vetëm dy-dimensionale. Nuk është e plotë.

Qasja e Blendi Fevziut në librin ‘Takimet e mia me…’, prandaj, me gjasë, mund të krahasohet me atë të skulptorit, i cili e bënë atë veprën e tij duke pasur kujdes të madh për hollësitë, për të gjitha detalet, të gdhendura me një sens të jashtëzakonshëm të një artisti.

Çfarë të bie në sy me të parën, te secili lexues i vëmendshëm i këtij libri është që Fevziu është një detalist i stërholluar, mbase i pashoq në këtë publicistikën e sotme shqiptare.

Ai i dyzon ato njohuri që janë të ditura për të gjithë ne të cilët sadopak jemi të informuar për figurat e librit të tij, me gjërat fare personale të cilat dalin nga takimet me protagonistët e tij, pastaj, me rrëfimet anekdotike të cilat kanë rolin e vet në tërësinë e një njeriu, dhe të cilat më në fund i kthehen gjetjeve të tij të posaçme për akëcilin prej tyre.

Fevziu i rrëfen të gjithat ato që i di për këta protagonistë. Por ai i shmanget, me mençuri, me subtilitet vlerësimeve kategorike për akëcilin prej tyre. Kjo nuk do të thotë se Fevziu nuk i vlerëson secilin prej tyre, me të mirat dhe të këqijat që i ka si njeri.

Ai, megjithatë, nuk dëshiron të bëhet gjykatës suprem apo final për asnjërin prej tyre, teksa një gjë e tillë, e dimë ne të gjithë, është një mësymje e zakonshme shqiptare.

Mbase, na e lë këtë punën e gjykimit të figurave të tij neve si lexues. Ai mund të thotë lirisht: Krejt çka dita për ta, unë ua kallëzova juve. Tash ju e nxjerrni gjykimin finale. Unë jo.

Blendi Fevziu në librin e tij ‘Takimet e mua me…’, ta rikujtin një ciceron artistik.

Ai na udhëzon në një galeri historike ku i prezenton portretet e veta, dhe pranë secilit prej tij, nxjerr arkivat për ta, na kallëzon çka di për ta, duke na thënë që tek e mbrama, këta të gjithë janë pjesë e një Muzeu të historisë kombëtare, me të mirat dhe të këqijat e tyre.

Ky i njeh shumë mirë të gjithë figurat për të cilat flet. Sepse me ta është takuar në të gjitha rrethanat e mundshme, në bisedat në kafene, në intervista televizive, në shetitje jashtë vndit dhe rrugëve të Tiranës apo diku tjetër në Shqipëri, në çastet e veçanta për ta, atëherë kur këta të gjithë flisnin fare hapur me te, jorrallë duke ofruar, përmes Fevziut, kallëzimet testamentare për jetën e tyre.

Fevziu këtu rrëfen për epokat, apo thënë më mirë, për të gjitha stinat e tragjedive të shumta historike dhe politike të shqiptarëve në te dy anët e kufirit  (të cilat ishin më bollëk), përmes këtyre protagonistëve, por ai, me të drejtë, nuk mund ta ndajë fatin e tyre individual nga ajo tablloja kolektive e shqiptarëve.

Është ky një libër plot emocionesh krejtësisht kundërthënëse, të cilat si të tilla, bashkohen në një vlerësim i cili ka mbetë në fuqi sot e kësaj dite: Historia i solli shumë të këqija shqiptarëve, por ne, asnjëherë, nuk e njohëm historinë si duhet, apo, edhe refuzuam ta njohim dhe ta kuptojmë ate.

Mbase, të tillë jemi edhe sot e kësaj dite. Por këtë nuk e vërejmë dot.

Libri si ky ‘Takimet e mia me…’ dhe autor si Blendi Fevziu, me këtë stil të rrëfimit, janë, nëse mund të thuhet ashtu, specie e rrallë, të thuash në zhdukje e sipër, jo vetëm në këtë Botën shqiptare por edhe gjetiu.

Dihet pse. Të gjithë ne jemi në një ngarendje marramendëse, të fiksuar pas celularëve, të magjepsur me realitetet e fabrikuara televizive, të bombarduar nga lajmet e pamëshirshme nga të katër anët e Rruzullit tokësor.

Në këtë kontekst, libri i Blendi Fevziut thuajse vjen nga një Botë tjetër, ku vlejnë ligje dhe kode të tjera, ku rrëfimet e tij për të gjithë këta protagonistë, janë të qeta disi, krejtësisht të kuptueshme, dhe plotësisht domethënëse.

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme