Porositë e Veriut - Klan Kosova

Porositë e Veriut

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
4 weeks më parë

Për shkaqe të shumta, ligjësisht dhe politikisht lehtë të justifikueshme, Qeveria e Kosovës këto ditë vendosi që të mos ia vazhdojë afatin e vlefshmërisë Marrëveshjes që adresonte çështjen e përdorimit të targave të veturave në vend, të cilat i kishin paraprirë atyre të Republikës së Kosovës  (RKS), si dhe ta aplikojë reciprocitetin e plotë në trajtimin e veturave që hyjnë në territorin e Kosovës nga Serbia.

Një temë që është dashtë të jetë parimisht teknike, duke iu shmangur, me atë frymën e nikoqirëve të dialogut në Bruksel, pra lehtësuesve të BE-së, për të qenë ‘neutral ndaj statusit’, nuk ka pasur si të mos rrëshqasë, thuaja si të gjitha temat tjera të katalogizuara si ‘teknike’, në terrenin shumë problematik politik, duke na rikujtuar, edhe një herë, të gjithë neve, që nuk është rendi që me qasjen ‘Hap pas hapi’  (apo Marrëveshje pas marrëveshje), të mbërrihet, pa tensione të mëdha të periudha qëmoti e klasifikuar si ‘Finalja e madhe’.

Po ashtu, vetë fakti që në këtë rast, bëhet fjalë për dy Marrëveshje në kuadër të lëvizjes së lirë  (të nënshkruara në vitet 2011 dhe 2016), të cilat ka 10 vjet që kurrë nuk kanë funksionuar si duhet, na dëshmon që nuk mund dot të vazhdohet me dialogun e Brukselit në po të njejtën mënyrë, me po të njejtën qasje, duke mbërritur, ta zëmë, diku në vitin 2031, kur do të shënohej 20 vjetori i fillimit të dialogut teknik dhe 20 vjetori i (pa)vlefshmërisë së shumë Marrëveshjeve në mes të autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë.

Nuk është aq e ndërlikuar çështja e statusit të raporteve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pasiqë të thuash 90 për qind (a më shumë) e këtyre relacioneve ka marrë trajtën e pandryshueshme dhe të pakthyeshme, me çlirimin e Kosovës në vitin 1999-të dhe pavarësimin e saj në vitin 2008-të, saqë të harxhohen apo të humben edhe shumë vite të tjera, për ta nënshkruar më në fund, atë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, të bazuar në njohje formale reciproke.

Nuk janë këtu, në trajtimin e kësaj teme, dhjetë opsione mbi tavolinë, ashtuqë pastaj të përimtësohen ato, deri në një dakordim kompromisi.

Nuk ka politikan serioz në Beograd, i cili privatisht nuk e pranon që Kosova është shtet i pavarur. Ka politikanë që këtë e thonë edhe publikisht. Kryetari i Akademisë ë Serbisë të shkancave  (SANU), Vladeta Kostić, në disa raste viteve të fundit ka potencuar që realiteti në Kosovë është i njohur, dhe Serbia si shtet duhet të fokusohet në sigurimin e të gjitha të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, si dhe në garantimin e trashëgimisë religjioze dhe kulturore.

Por kjo e vërtetë, për të cilën ka folur, objektivisht, në mënyra të ndryshme, herë pak më drejtpërdrejtë e herë në mënyrë të tërthortë, edhe vet Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, veçmas në vitet 2017-2019  (në kuadër të ‘Dialogut të brendshëm’ në Serbi), nuk po arrinë dot ta merr trajtën e duhur të adresimit të saj eksplicit në formatin e dialogut të Brukselit, para se të gjithash, në mungesë të kapacitetit negociator të vet EEAS-it dhe BE-së, si para palës kosovare, ashtu edhe para palës serbe.

Diçka e tillë të thuash është e paprecedent në këtë historinë e negociatave dhe të bisedimeve për Kosovën, që nga pranvera e vitit 1998-të e tutje, kur në ato javët e parë të luftës, Grupi i Kontaktit, i ndihmuar nga BE-ja dhe Aleanca Veri-Atlantike, mori përsipër mandatin për të imponuar paqen dhe për të gjetur një zgjidhje kalimtare për Kosovën, deri në atë fazën e përcaktimit final.

Në çdo kapitull të këtyre bisedimeve pra, gjithmonë ka pasur oferta motivuese dhe disa të tjera ndëshkuese (duke përfshirë madje edhe fushatën e bombardimeve të Paktit NATO, në pranverën e vitit 1999), për te dy palët, për ta bërë një Marrëveshje.

Në rrethanat të cilat në dialogun në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit mbizotërojnë tash e tre vjet, BE-ja si e tillë, nuk ka kurfarë oferte për Kosovën dhe Serbinë, e cila do ta shtynte para këtë ndërmarrje.

BE-ja e la në baltë, realisht, Maqedoninë e Veriut, edhe pas një Marrëveshje të rëndë kompromisi për emër me Greqinë fqinje.

BE-ja na ka lënë në baltë edhe neve, tash e 42 muaj të plota, duke mos na mundësuar udhëtimin e lirë, pa viza, në Zonën e Schengenit, edhe pse i kemi plotësuar të gjitha kriteret për ta fituar këtë të dretë.

Për më shumë, BE-ja ia ka dhënë këtë ‘status’ të gjithë Ballkanit Perëndimor  (shteteve të WB6, si quhen), apo, i ka lënë në ‘Listë të pritjes’ këto shtete për një proces të zgjerimit të BE-së, i cili nuk di kush se kur dhe si mund të ri-ngjallet kah këto anë të Evropës, ndërsa njëkohësisht kërkon prej tyre të sillen dhe si të veprojnë si shtete me demokraci liberale, teksa brenda vet BE-së ka shtete që realisht po i përbuzin këto vlera të demokracisë liberale.

BE-ja po vazhdon ta injorojë këtë ‘Elefant në dhomë’, që ka të bëjë me politikën e saj karshi integrimit të këtyre shteteve në Bashkimin Evropian, teksa pa e qartësuar këtë politikë, nuk mund realisht të ketë një depërtim substancial në bisedimet e Brukselit, të cilat, siç u pa pra edhe një herë me gjithë këtë rrëfimin për targat dhe për zhvillimet në veriun e Kosovës, mund të jenë të frytshme vetëm nëse tash e tutje do të fokusohen në thelbin e problemit në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë: Në vet Marrëveshjen Ligjësisht Obligative për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjithçka tjetër është humbje kohe.