Politika që tallet me gjuhën e një populli - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Politika që tallet me gjuhën e një populli

123
string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg"
22.08.2017 21:05

 

 

Se shqiptarët e Maqedonisë janë edhe sot e kësaj dite në këtë gjendje është meritë e liderëve dhe partive të tyre, e jo e pathyeshmërisë së pushteteve të ndryshme etnocentrike maqedone.

Kurdo që partitë shqiptare ta kishin bllokuar pjesëmarrjen në pushtet me kushtin e pranimit të gjuhës shqipe zyrtare sistemi do të ishte dorëzuar, ndërhyrja e jashtme do të ishte e domosdoshme dhe lufta e panevojshme.

Dhe tash, pas 25 viteve, e kërkojnë dhe ndoshta e fitojnë këtë kusht minimal të njohjes së ndërsjellë, të aprovimit të shqipes si gjuhë zyrtare dhe pa pikën e turpit kërkojnë jo nga shqiptarët e Maqedonisë, por nga gjithë bota shqiptare t’iu duartrokit për këtë (r)evolucion të madh.

Sjellje që vetëm një shpërblim meriton: të tallesh me ta njëherë mirë dhe pastaj t’i vajtosh për gjendjen ku janë.

Se edhe kjo puna me gjuhën mund të dalë një mashtrim eklatant i radhës tregohet nga politika e qeverisë së re, respektivisht Zaevit, në segmente tjera por koherente në përballje me shqiptarët.

 

II.

Nga Qeveria e kësaj Maqedonie po vijnë lajme të dyzuara.

Dy lajme që më shqetësuan shumë kanë të bëjnë me votën e Maqedonisë për Kosovën për anëtarësim në UNESCO, si dhe hezitimet për dygjuhësinë.

Asnjëherë nuk kam pasur besim tek njerëzit e BDI-së. Për 10 vjet nuk kanë ndërtuar koncept politik për Maqedoninë dhe shqiptarët në Maqedoni. Ata janë një grup politik konjuktural që kanë përfituar nga gënjeshtrat për madhështinë e luftës dhe kanë qenë shërbëtorë të cilitdo kryeministër.

Duke i marrë këto dy lajme jo të mira, po kuptoj se kjo qeveri e re me BDI-në e vjetër nuk ka guxim që ta ndryshojë temën e dialogut nacional. Kjo qeveri nuk do të mundësojë ndërtimin e një Maqedonie të re – një Maqedonie të emrit të ri dhe të realitetit të ri shoqëror dhe shumëgjuhësor.

Kjo qeveri ka vendosur opsione që kërkojnë përkufizim dhe hapësirë të re të nacionalizmit.

Kam shpresuar që kjo qeveri nuk kërkon armiq për të ekzistuar, që nuk jeton në mite, por zhvillohet me shtetin që jeton në gjuhë, libra shkollorë, Parlamentin Evropian dhe integrimin e saj në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.

Të qenit neutralë ndaj Kosovës dhe kërkimi i sqarimeve për gjuhën në gjykatën kushtetuese dhe në Gjykatën e Venedikut nënkupton të ndërtosh një nacionalizëm të sojit i cili humb kuptimin në përkthim dhe i cili i lejon akëcilit, madje edhe vetvetes, të jetë qeveri pa qëllim dhe pa vetëbesim. Një qeveri e cila tenton që fajin për refuzimin, respektivisht thyerjen e fjalës, mashtrimit, t’ia adresojë një instance abstrakte dhe pa emra konkretë.

Këtu shihet qartë mungesa e dëshirës së kësaj qeverie që të ofrojë vizionin e identitetit supranacional, dygjuhësor, multikulturor, mjaft të gjerë për të përfshirë edhe atë maqedonas, që vjen nesër dhe që është emërues i përbashkët në zemrën e të gjithë qytetarëve.

Shpresoja dhe kërkoja që këtë qeveri bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë dhe pranojë, jo si nxënëse e mirë apo jo e mirë, por si një mundësi të re dhe shembull i cili është më se i nevojshëm në këtë kohë.

Por, jo.

Aktet e para nuk mjaftojnë.

Çështja është se çfarë po tregon kjo qeveri gjysmë e re dhe gjysmë e vjetër?

Asgjë te re deri më tash. As guxim sa ajo e vjetra nuk po tregon.

Me neutralitetin ndaj UNESCO-s dhe me lënien pezull të Ligjit për Dygjuhësinë, për faktin se s’kanë guxim veprimi, kjo qeveri nuk e ka fuqinë që të tregojë çka është Ballkani në paraqitjen e tij më të mirë për Maqedoninë dhe çka është Maqedonia për Europën në paraqitjen e saj të re.

Kjo qeveri me BDI-në brenda nuk po lë hapësirë që shqiptarët të jenë patriotë të shtetit i cili është atdhe i vetëm edhe i tyre.

Të cilët e duan gjuhën dhe të cilët e pranojnë Maqedoninë për shtëpi të veten, të jenë shtetas të barabartë të atdheut të cilin e respektojnë, dhe të ardhmen e të cilit duan ta ndërtojnë.

 

III.

Kështu janë shumica e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët nuk duan të luajnë lojëra politike por të ndërtojnë për vete dhe për familjet e tyre atdheun me të cilin do të krenohen. Përkundër kërcënimit të përhershëm të frikës nacionaliste nga të gjitha anët, ata ndjehen si pjesë e kësaj Maqedonie dhe duan të besojnë në të ardhmen e saj. Ata janë një mundësi e pashfrytëzuar, energji pozitive, e cila pret të lirohet dhe të krijojë shtetin përshtati qytetarëve, e jo të votuesve.

Ndërsa në momentin kur të gjithë faktorët politikë në qeveri duhet balancuar ndërmjet interesave afatgjate dhe sfidave të popullizmit, nuk po shoh lider i cili e dallon madhështinë e momentit dhe e udhëheq Maqedoninë në të ardhmen të cilën e meriton.

Qeveria e sotme është dashur ta ketë një njeri dhe një patriot të Maqedonisë së re.

Duhet të jetë trim për ta zbërthyer të vërtetën në realitetin e mendjeve nacionaliste.

Nacionalistët nuk mund ta kuptojnë argumentin e shumëgjuhësisë. Por, partitë që po e udhëheqin sot Maqedoninë nuk po kuptojnë se ajo të cilën duhet ta bëjnë do të bëhet më e vlefshme në Maqedoninë dygjuhëshe, dhe se me pranimin ndërkombëtar fitojnë kontekstin e ri, më të madh dhe më të fuqishëm, për qeverisje të lehte dhe pa probleme.

Sepse kjo Maqedoni tashmë po krijohet dhe po ekziston, por zëri i kësaj qeverie nuk dëgjohet sa duhet, e shurdhon zhurma dhe tërbimi i interesave partiake dhe realitetit të manipuluar me nacionalizma. Është pritur shumë se qeveria e Zaevit do të bëjë zgjidhje pa frikë dhe do të bëhet zë i kësaj Maqedonie të re, të ndryshuar, më racionale dhe më të pjekur. Por, ajo ecën aq ngadalë dhe pafuqishëm sa bëhet ndjeshëm moçal politik ende pa filluar mirë punën.

Nuk ka asnjë shans, me këtë logjike të dyzuar, që kjo qeveri të jetë forca e ndryshimit reformator. Edhe për faktin që se e di qartë se është koha e fundit për ta shfrytëzuar momentin që përsëri të bëhen të tillë dhe të sigurojnë mundësi që historia t’i mbajë mend kështu. Mirëpo, nuk mund ta befasosh askënd në Maqedoni me BDI-në e stërkequr.

Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti nuk kanë kuptuar se momenti nuk është i rëndomtë.

Ky është momenti kur historia thyhet, e ata nuk po e zgjedhin anën e cila paraqet fillimin e një Maqedonie të re.

Ahmeti dhe Zaev as që po tregojnë guxim që ta ndryshojnë temën e dialogut nacional. Të mundësojnë ndërtimin e një Maqedonie të re – Maqedonie të emrit të ri dhe të realitetit të ri shoqëror dhe gjuhësor.

Me nacionalistët e të gjitha opsioneve po kërkojnë përkufizim dhe hapësirë të re të nacionalizmit. Të atillë që kërkojnë armiq për të ekzistuar. Duke qenë të tillë, ata kanë refuzuar që në fillim që të kenë një nacionalizëm të asi soji i cili nuk humb kuptimin në përkthim dhe i cili i lejon akëcilit të jetë qytetar i botës.

Ajo që më bëri përshtypje ishte popullizmi deklarativ për dygjuhësinë. Thuajse e kanë gjetur një koncept të veçantë dygjuhësor. BDI-ja, pa pikë turpi e proklamoi si sukses të saj dygjuhësinë.

Po vazhdon sundimin me gënjeshtër duke përzgjedhur rrugën më të lehtë të nacionalizmit dhe popullizmit, të cilën Maqedonia do ta paguajë me një gjeneratë tjetër të indinjatës dhe mungesës së shpresës.

Kjo BDI dhe kjo LSDM tash s’po bëjnë asgjë tjetër, vetëm po krijojnë momente refuzimi me të cilat i bëjnë të rinjtë dhe të aftit që të jenë në gjendje të duan Maqedoninë vetëm me nostalgji, diku larg, duke ndërtuar shtete të tjera, të huaja.

 

IV.

Edhe diçka mbi Zaevin.

Analfabetizmi më i keq nga të gjitha llojet është analfabetizmi politik. Është një përshtypje që Kryeministri i Maqedonisë bashkë me Ali Ahmetin po shohin vetëm veten. Nuk shohin maqedonasit. Nuk e shohin as shoqërinë përreth.

BDI vazhdon t’i përfaqësojë me përulje dhe me persona që janë analfabetë politikë. Ata nuk dëgjojnë, nuk flasin dhe nuk marrin pjesë në ngjarjet politike. Nuk e dinë se kostoja e jetesës, çmimi i fasules, mishit, miellit, qerasë, këpucëve, ilaçeve, varet nga vendimet politike.

Këta njerëz të BDI-së, ndonëse janë 15 vjet në pushtet, po harrojnë se nga mosdija e tyre politike lind prostitucioni, fëmijët e braktisur dhe hajnat e sojit më të keq: politikanët e këqij, të korruptuar dhe të blerë nga kompanitë lokale dhe nga idiotët lokalë, të cilët mendojnë se janë patriotë.

Një nga ata është shqiptar, i cili nuk ka bërë asgjë për shqiptarët e tij. Por, as kryeministri i ri nuk ka bërë asgjë më shumë. Me këta nuk do të ketë as shtet e as dygjuhësi. Ata janë produkt i të gjithë atyre që kërkojnë disa gjëra.

Të mos ekzistojë Maqedonia, të mos ketë maqedonas, të mos ketë histori dhe sa më shumë shqiptarë të shpërngulur dhe ata që mbesin të jenë me parë myslimanë e pastaj shqiptarë.

Nuk po gjejmë BDI që e mendon të ardhmen e vet.

Ka BDI që mendon vetëm për feudin e vet.

Ka shqiptarë që mendojnë për Maqedoni.

Ka maqedonas që mendojnë për të ardhmen.

Nuk ka në qeverinë e Maqedonisë të atillë që mendojnë për shqiptarë, e as nuk ka në qeverinë e Zaevit që mendojnë për Maqedoninë e plotë.

Mendojnë vetëm për një pjesë të saj.

 

 

 

 

lajme të ngjashme