Politika e rrezikshme bipolare e Serbisë - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Politika e rrezikshme bipolare e Serbisë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
04.01.2022 17:39
Blerim Shala

Cila është politika e vërtetë ndërkombëtare dhe rajonale e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe e shtetit të Serbisë?

Cili është synimi final i tij karshi rajonit (që quajtur tash e sa kohë WB6, apo Ballkani Perëndimor 6), përballë Bashkimit Evropian dhe Perëndimit?

A preferon ai stabilizimin afatgjatë të kësaj pjese të Evropës, e cila pati tronditur me themel BE-në në vitet e nëntëdhjeta, me luftërat e njëpasnjëshme  (prej Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë dhe Hercegovinës deri në Kosovë), apo ai dëshiron të jetë përfitues i tensioneve të reja të cilat mund të eskalojnë në një konflikt të ri, veçmas në Bosnjë dhe Hercegovinë?

Gjetja e përgjigjeve në këto pyetje, sipas të gjitha gjasave, të shpie në një konkludim që Aleksandar Vuçiq, si lideri më i fuqishëm serb për decenie me radhë, qëllimisht favorizon dhe udhëheq një politikë bipolare ndërkombëtare dhe rajonale, duke mësyer të sigurojë levërdi të shumta politike, ekonomike dhe financiare afatshkurtëra, dhe duke qenë i bindur që nuk do të humb gjë për sa i përket qëllimeve të tij afatgjata.

Perëndimi, apo, SHBA dhe BE, janë një pol i veçantë në Rendin e sotëm ndërkombëtarë, njëlloj sikurse Rusia dhe Kina, të cilat qëndrojnë në atë polin tjetër, gjithnjë e më konfrontues me Perëndimin.

Këtu më askush në Botë nuk ka dilema.

Çfarë po ndodhë, ta zëmë, sot (e sa vjet), në Ukrainë, është pikërisht refelektim i konfrontimit në mes të këtyre dy poleve, apo i luftës për identitetin final të këtij shteti, identitet ky në të cilin pretendojnë Perëndimi dhe Rusia.

Por ja që identiteti i Serbisë së sotme, në vijim të politikës së njohur publike  (dhe jo vetëm publike), të Presidentit serb Vuçiq, ngërthen në vete te dy polet, te dy drejtimet, te dy orientimit, të cilat edhe tash, edhe më vonë, janë të papajtueshme.

Nuk mund të pretendosh të bëhesh shtet anëtar i BE-së, siç synon Serbia e Vuçiq-it, dhe njëkohësisht të armatosesh nga Rusia, dhe të jesh në masë të madhe Administrator i politikës së jashtme të Rusisë në rajon, e cila është për të gjithë tej mase problematike.

Dikush këtu mund të shtojë që edhe disa shtete të BE-së  (në rend të parë Hungaria e Kryeministrit Orban), nuk e kanë definuar si duhet, apo, në mënyrë kategorike, këtë relacionin me Rusinë. Megjithatë, shembulli i Serbisë është shumë i veçantë në këtë aspekt, sepse Serbia ka ndërlidhur identitetin e vet në shumë dimensione me Rusinë, duke përfshirë këtu edhe qasjen e Rusisë në këto anë të Evropës.

Vuçiq nuk dëshiron të përcaktohet, të zgjedhë, midis këtyre dy poleve ndërkombëtare, për shumë arsye.

Ai e di që dimensioni i tij popullist i politikës, në vend, në skenën politike të Serbisë, ’noton’ mbi lidhjen emocionale, të favorizuar pikërisht prej tij, të popullit serb me popullin rus. Presidenti Vuçiq mbanë rekordin e takimeve me Presidentin e Federatës së Rusisë, Vladimir Putin. Në kalkulimet e tij, ai llogaritë që mbështetja e Putinit për te ka rëndësi të madhe për fitoren e tij të radhës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 3 prillit të këtij viti.

Në anën tjetër, Vuçiq, ka Vlerë të shtuar politike dhe diplomatike këtë relacion të tij me Putinin dhe me Rusinë, në procesin e integrimit të Serbisë në BE, sepse ai, nëse këtu huazojmë terminologjinë shahiste, nuk luan me BE-në me 16 figura, por me 20, ku katër janë në rezervë dhe ato pasqyrojnë përkrahjen e Moskës zyrtare për te.

Presidenti i Serbisë, i cili si edhe gjithë liderët tjerë të Ballkanit Perëndimor, njeh fare mirë ngathtësitë dhe dobësitë e shumëllojshme të Bashkimit Evropian, të cilat janë në shpërputhje të plotë me fuqinë ekonomike dhe financiare dhe me varëshmërinë politike dhe ekonomie të rajonit nga ai  (Bashkimi Evropian), beson që kjo politikë bipolare e bën atë fitues tani por edhe më pas, në vitet e ardhshme, sepse BE-ja e sotme nuk do ta kushtëzojë ate të shkëpusë lidhjet e varëshmërisë politike, ekonomike  (gasi rus) dhe ushtarake  (armatimi rus), kur të vie momenti i perspektivës reale të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Në variantin ideal për Vuçiq-in, ai do të dëshironte t’i krijonte rrethanat kur anëtarësimi i Serbisë në BE, do të ishte madje, interes më i madh i BE-së se sa i Serbisë (për shkak të kërcënimit të Rusisë).

Në ndërkohë, në mungesë të një zotimi shumë më konkret të BE-së në Procesin e zgjerimit të vet me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, (i cili pos tjerash do të artikulonte kornizën kohore të anëtarësimit të këtyre shteteve në BE), Vuçiq me siguri do të synojë të vazhdojë ta ushtrojë politikën bipolare ndërkombëtare dhe rajonale, e cila si e tillë, nga vet karakteri i saj i afërsisë me Rusinë e Putinit, është burim i destabilizimit të rajonit.

Siç po shihet kohëve të fundit, duket që do t’i mbetet sërish SHBA-së, apo Administratës së Presidentit Biden, që ta qartësojë paqëndrueshmërinë aktuale dhe afatgjatë të kësaj politike bipolare të Presidentit të Serbisë Vuçiq.

 

 

lajme të ngjashme