Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Përrallat dhe Realiteti

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 26.06.2021 09:35

Dialogu duhet të përfundojë me një kompromis. Por nëse më pyetni cili është kompromisi, përgjigjja e ime do të jetë: Nuk e di.

Mbase këto janë fjalët kyç të Aleksandar Vuçiqit, Presidentit të Serbisë, në ekspozenë të cilën ai e mbajti të martën që shkoi, me 22 qershor pra, në Kuvendin e Serbisë, për rrjedhën e bisedimeve në mes të Serbisë dhe Kosovës, të cilat ai i kualifikon herë si ‘dialog në mes të Beogradit dhe Prishtinës’, e herë si ‘bisedime në mes të serbëve dhe shqiptarëve’.

Zatën, mungesa e definimit të qartë se për çka bëhet fjalë në të vërtetë në këtë ndërmarrje ndërkombëtare, të lehtësuar apo edhe të ndërmjetësuar na BE-ja, me një mbështetje të qartë nga SHBA-ja, nuk është diçka simbolike, por thelbësore.

Nëse Presidenti i Serbisë refuzon të pohojë që dialogu i Brukselit bëhet në mes të autoriteteve më të larta të Serbisë dhe Kosovës, atëherë, edhe vet epilogu i synuar i tyre, normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, mbetet i mjegulluar.

Nuk kemi të bëjmë, siç dihet botërisht, për normalizimin e raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e as në mes të shqiptarëve dhe serbëve, por për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kemi të bëjmë me dy shtete të pavarura, (njëri i ri-bërë në vitin 2006, pas Referendumit të suksesshëm të Malit të Zi për kthimin e pavarësisë, e tjetri në muajin shkurt të vitit 2008, me Aktin e shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës), të cilat në vete i kanë të gjitha elementet e një shteti, teksa një histori e gjatë, e rëndë dhe tragjike, i ka ndarë një herë e përgjithmonë (në vitin 1999), sepse po e njejta histori e gjatë, e rëndë dhe tragjike, ka bashkuar Kosovën me Serbinë (në vitin 1912), me një okupim të mirëfilltë të Serbisë.

Historia zatën, e tillë si ka qenë, dhe që nuk mund të ndryshohet asnjëherë, i ka shterrë të gjitha opsionet e një koekzistencë brenda një kornize shtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është realisht e njohur dhe e qartë për të gjithë. Asnjëherë, asnjë pushtet i Serbisë, nuk i ka dashtë shqiptarët e Kosovës në shtetin e tyre.

Gjithmonë, të gjitha pushtetet e Serbisë, e kanë dashtë Kosovën (territorin e saj), brenda Serbisë.

Dhe askurrë nuk ka qenë e mundur që të ndodhë ndarja e shqiptarëve nga Kosova, në ato përmasa, (masive, të dëbimit dhe të shpërnguljes), të cilat do ta zhbënin lidhjen në mes të fatit të shqiptarëve dhe fatit të Kosovës.

Nga ky pikëshikim pra, i cili nuk është një tezë politike, por një rikapitulim historik (i saktë, i qëndrueshëm), është shumë e qartë se për çka duhet të bisedojnë në të vërtetë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë.

Realiteti në Kosovë, shteti i Kosovës, është i pakthyeshëm, sepse kjo lidhja e fatit të shqiptarëve dhe fatit të Kosovës, është përjetësuar me krijimin e shtetit të Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008.

Këtë e dinë të gjithë politikanët e Serbisë, duke filluar me vet Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky zatën, pati dhënë edhe shenja evidente publike që e di fare mirë se cilat rrethanat politike (dhe të çdo karakteri tjetër), mbretërojnë në Kosovë, kush e ka pushtetin formal dhe real në Kosovë, dhe çka e pret Beogradin zyrtar në këtë kontekst.

Ka qenë Aleksandar Vuçiq ai, i cili në pranverën e vitit 2013, menjëherë pas Marrëveshjes së Brukselit (të 19 prillit të vitit 2019-të), në cilësinë e atij të atëhershme si Zëvëndës-Kryeministër i Serbisë, në vizitën e tij në Veri të Kosovës, u pati thënë troç bashkëbiseduesve të tij, politikanëve dhe qytetarëve serbë të kësaj pjese të Kosovës, që ata do të jetojnë sipas ligjeve të Kosovës (të cilat deri atëherë asnjëherë nuk ishin zbatuar në këto anë të vendit).

Që Kosova dhe Serbia bëjnë dy jurisdiksione të veçanta (e mbi to natyrisht, ndërtohen shtetet), Presidenti Vuçiq, do ta konstatojë në mënyrë të prerë kur pak kohë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, (janar, 2018), politikanit të shquar serb të Mitrovicës, do të qëndrojë në Mitrovicën Veriore.
Ai do të pohojë në mënyrë kategorike që Serbia nuk ka kurrfarë kompetenca për hetimin e kësaj vrasjeje (me prapavijë të qartë politike), dhe që ky rast bie nën jurisdikcionin e autoriteteve të Prishtinës.

Në fakt, edhe gjatë ‘dialogut të brendshëm’ në politikën dhe shoqërinë serbe, Aleksandar Vuçiq u mundua, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, ta merr atë rolin e fëmijës në përrallën e famshme të Andersenit, për të konstatuar që ’Mbreti është lakuriq’, apo që Kosova është humbur (një herë e përgjithmonë), dhe që shteti i Kosovës është pos tjerash, një krijesë e shteteve më të mëdha dhe më të fuqishme të Perëndimit, para se të gjithash të SHBA-së dhe Gjermanisë.

Atëbotë ai pati artikuluar qartë qëndrimin e tij që lufta nuk është në interes të Serbisë, njëlloj ashtu si ’Konflikti i ngrirë’, që normalizimi i raporteve është jetik për pushtetin e tij dhe për shtetin e Serbisë dhe që nuk duhet jetuar në përralla por në realitet, kur shtrohet pyetja se kush ka pushtetin në Kosovë.

Por, për shkaqe të shumta, të cilat si rëndom në politikë janë bashkim i rrethanave të brendshme (luftimi me çdo kusht dhe i pakursyer i opozitës në Serbi, sigurimi i fitoreve të bindshme në zgjedhjet e të gjitha niveleve), dhe atyre të jashtme (mungesa e një ’harte rrugore’ të qartë për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, pas ndërhyrjes së njohur të Presidentit të Francës, Emmanuel Macronit, në gjysmën e dytë të vitit 2018), Presidenti i Serbisë nisi ta ushtrojë një lloj të prapakthimi në qasjen e tij ndaj dialogut, e cila përcolli edhe atë periudhën njëzet mujore të vendnumërimit të dialogut në Bruksel, në rrethanat e njohura për të gjithë.

Në vijim të kësaj situate të krijuar në tri vitet e fundit në Serbi dhe në raportet e saj me BE-në, duket që Aleksandar Vuçiq nuk ka vullnet që të jetë njëmend i gatshëm për të mbërri në epilogun e bisedimeve me Kosovën, të cilat kanë hyrë (në muajin maj), në vitin e 24-të të zhvillimeve të tyre, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme