Përplasja brenda Bashkimit Evropian 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 23.12.2024 08:56 23.12.2024 08:56 Blerim Shala Nëse synoni dhe dëshironi të hyni në Bashkimin Evropian, të bëheni pjesë e familjes së madhe evropiane, duhet të bëheni si Ne. Dhe atë, në të gjitha aspektet e mundshme politike, ekonomike, sociale, qytetëruese, vlerore. Për të gjitha këto do të përkujdesemi ne, përmes procesit të negociatave midis jush dhe nesh të cilat do të sigurojnë përmbushjen e të gjitha kërkesave tona, ashtu që ju të pajiseni me të gjitha cilësitë e kërkuara prej një shteti anëtar të BE-së. Me pak fjali, kështu ka rrjedhë më parë (dhe kështu rrjedhë sot e kësaj dite), një bisedë në mes të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe bashkëbiseduesve të tyre në shtetin aspirues për të qenë pjesë e BE-së. Ky lloj i monologut i cili është fare i logjikshëm dhe i pritur (në këtë rast), tash e sa kohë është me afat të skaduar. Ky vlerësim është në fuqi së paku dhjetë vjet a më shumë, që nga dyndja më e re e Popullizmit në skenën politike evropiane. Konstatimi i parë që i kundërvihet lehtë dhe pa kurrfarë rezistence (sepse sekush në Bruksel e di që ky qëndrim është i saktë) këtij monologu të njohur të autoriteteve më të larta të BE-së, është që më nuk ka Ne në Bashkimin Evropian në reprezentimin e përbashkët të vlerave politike, ekonomike, sociale, qytetëruese. Mbërritja masive e refugjatëve në Evropë nga lufta në Siri, pastaj, abstenimi i SHBA-së në tetëvjeçarin e Presidentit Obama (në vitet 2009-2017), për tu marrë me Evropën, lufta në Ukrainë e shkaktuar nga agresioni i Rusisë në një shtet sovran, më në fund, politikat populliste që u shfaqën në disa shtete evropiane, të gjitha këto u bënë bashkë në BE, për ta dobësuar atë realisht, në kohën kur Aleanca Veri-Atlantike u forcua dhe u rrit (edhe në numër), si një ‘çadër’ e pazëvendësueshme e sigurisë për Evropën. Është e vërtetë që lufta në Ukrainë mëkëmbi ambiciet e BE-së për tu bërë një faktor vendimtar gjeo-politik në Evropë (e jo vetëm një gjigand ekonomik dhe financiar), por duket se ‘zjarrmia gjeo-politike’ nuk i zgjati shumë Brukselit. Ndryshe, do të qartësohej përfundimisht rrugëtimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ku afati kohor i përfshirjes së tyre në BE, do të ishte shtytës i madh motivues për secilin prej këtyre shteteve. Hezitimet e shumëkujt në Bashkimin Evropian për ta definuar në mënyrë cilësore kornizën kohore të inkuadrimit të gjashtëses së Ballkanit Perëndimor, i ka, megjithatë, edhe disa dyshime të qëndrueshme, të cilat thuaja aspak nuk kanë të bëjnë me akëcilin prej këtyre shteteve. Derisa këto shtete janë jashtë BE-së, në atë ‘Listën e pritjes’, Brukseli ka njëqind mënyre për t’i shtyrë elitat politike të tyre të sillen dhe të veprojnë ashtu si pritet prej tyre, për t’i kualifikuar ato për të qenë pjesë e BE-së. Këto shtete dhe udhëheqësitë e tyre janë plotësisht të varura nga BE. Këtu pra, hesapet janë shumë të qarta. Por, me të hyrë në BE, statusi i një shteti të sapo-arrirë në Bruksel, ndryshon rrënjësisht. Ai, në mekanizmat aktual vendimmarrës, ka të drejtë të veto-s në thuaja të gjitha çështjet e rëndësishme për te dhe për BE-në, teksa, siç është parë tashmë në rastet e Hungarisë, Sllovakisë, deri vonë edhe të Polonisë, ‘përplasja e qytetërimeve’ (nocion i njohur i Huntingtonit), ishte kultura politike brenda BE-së. Diçka e tillë nuk është supozuar që mund të ndodhë ndonjëherë në BE. Për këtë shkak, së paku në rrethanat e njohura për të gjithë, Brukseli nuk i posedon mekanizmat politik dhe vendimmarrës, të cilët do të mund t’i përdor dhe aplikojë për ta rikthyer në fuqi një politikë të përbashkët të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Siç dihet, secili shtet që synon të bëhet pjesë e BE-së duhet të sinkronizojë në tërësi politikën e vet të jashtme me atë të Bashkimit Evropian. Por, si mund tash e sa vjet të kërkohet një gjë e tillë nga një shtet që mëton ta ngritë flamurin e vet në Bruksel, nëse ka shtete anëtare të BE-së që tash e sa vjet, veçmas nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, nuk kanë politikë të jashtme identike me atë të Bashkimit Evropian? Për më shumë, ato kanë politikë konfrontuese me BE-në. Këtu, me gjasë, një zyrtar që është kritik (me shumë arsye), i shteteve të Ballkanit Perëndimor, do të mund të thoshte që këto janë probleme me të cilat merret vet BE-ja dhe do t’i zgjidhë ato, teksa gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zgjidhin të gjitha problemet e tyre (dhe në mes tyre), nëse duan të jenë pjesë e BE-së. Ky qëndrim është me vend. Pa dyshim. Por vonesat e BE-së për t’i adresuar dhe zgjidhur këto telashe, po shfaqen si ngadalësues kronik të ndërmarrjes së zgjerimit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.