Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Për Abetaren dhe Themelet  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 05.07.2023 15:46
Blerim Shala
Blerim Shala

Disa vite më parë, këtu tek ne, ashtu si dhe në shumë vende të Botës, qarkulloi një pyetësor,  në të cilin sekush ftohej të përgjigjej në pyetjen: Cilat janë pesë librat që ua kanë ndryshuar  jetën? 

S’do mend që ishte interesant të lexoheshin përgjigjet e ndryshme, të cilat, për më shumë,  ishin një lloj ftese që të merreshin librat për të cilët nuk kishim dëgjuar fare, ashtuqë të  mbërrihej po ai ndikim në jetën tonë, sikurse kishte ndodhur tashmë kjo me ata që ndanin  me gjithë ne të tjerët, listën e këtyre pesë librave. 

Realisht, është një libër i cili do të duhej të ishte i pari, krejtësisht i pari në akëcilën Listë  të pesë apo pesëdhjetë librave (numri këtu nuk ka fare rëndësi), të librave pa të cilët nuk  mund dot ta paramendojmë jetën tonë. 

Ky libër është Abetarja. 

Aty secili prej nesh i kemi mësuar shkronjat, një nga një, prej të parës deri te e fundit. Në rastin tonë, si shqiptarë, ia nisëm me germën A, për të mbërri te Zh. Kur i nxen (si nxënës), shkronjat, mund të shkruash, mund të lexosh, mund të bëhesh  gjithçka. Tek e fundit. 

Kjo është dija themelore për secilin për nesh. Çfarëdo dije e mëpasme, e cila mund të  krahasohet me një ngrehinë të madhe, përgjithmonë do të ketë për themel këtë libër,  Abetaren pra. 

Në historinë e re politike të Kosovës, e cila fillon me vitin 1989 (kur u shemb ajo ‘Godina’  e Rendit Ndërkombëtar të ‘Luftës së Ftohtë’), rolin e ‘Abetares’ e ka pasur Lëvizja politike  dhe ushtarake shqiptare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. 

U mësuam të flasim për lirinë dhe demokracinë, për domosdoshmërinë e lidhjes së të  drejtës sonë, për të vendosur për fatin tonë, me një Evropë të re, të bashkuar, në krijim e  sipër, me një Perëndim të ri, që ngadhjeu në paqe në atë ‘Luftën e ftohtë’, e cila nis e sos u  karakterizua nga droja për një Apokalips bërthamor që do ta zhbënte gjithë njerëzimin. 

Kjo ‘Abetare’, dikush mund të shtojë këtu, u bë një lloj i ‘Fjalëkalimit’ të krejt një populli  (shqiptar, në Kosovë), për ta ndryshuar jetën një herë e përgjithmonë. E kemi merituar ne lirinë gjithmonë. Prej vitit 1912 e këndej. Kemi pasur ne të drejtë  përherë. Prej asaj vjeshte kur ne u robëruam nga Serbia. Por ja që gati një shekull kaloi,  derisa mbërritëm aty ku kishim dashtë të jemi prej fillimit të shekullit të kaluar. Themelet e Kosovës së sotme janë në këtë ‘Abetare’. Ato nuk do të ndryshojnë. Një ‘Abetare’ e re për ne, por edhe për gjithë Evropën dhe Perëndimin na u shfaq që nga  shkurti i vitit të kaluar, kur Rusia invadoi Ukrainën. 

E gjithë dija dhe përvoja e Evropës dhe e SHBA-së, e cila nisi të bashkëjetojë realisht, që  nga viti 1917-të, kur Armata e Amerikës hyri në Luftën e Parë Botërore, në dobi të Britanisë  së Madhe dhe të Francës, pësoi keq nga kjo luftë. 

Vetëm pak vite e parë, një përmbysje e këtij Rendi Ndërkombëtar, të krijuar sipër  gërmadhave të Murit të Berlinit dhe të Komunizmit, ka qenë e paimagjinueshme. 

Por ja që ndodhi. Nuk vlenë gjë të ankohesh dhe të vajtosh. Nuk ndihmon gjë kjo sjellje  tek një individ a një familje, e lëre më te një popull, një kontinent a një qytetërim. Në këto raste, na shfaqet një tjetër ‘Abetare’ e re politike ndërkombëtare. Mësohen ‘shkronjat’, bëhen ‘fjalët’, përgatiten pastaj të gjitha veprime e duhura për t’iu  adaptuar rrethanave të reja, natyrisht, duke u përpjekur për t’i ruajtur vlerat kryesore  politike, të sigurisë, ato ekonomike, madje kulturore dhe qytetëruese. E dimë të gjithë ne çfarë ka ndodhur në Evropë dhe me Perëndimin që prej dimrit të vitit  2022 e këndej. 

Evropa ka ndryshuar shumë prej vitit të kaluar. Por çfarë nuk ndryshojnë janë themelet e  Evropës dhe të Perëndimit. 

Ky është mësimi kryesor për Evropën, për Perëndimin, dhe për ne. Në Kosovë. Këtë e dimë të gjithë ne. 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme