Pengmarrja e sigurisë së Evropës - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pengmarrja e sigurisë së Evropës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
10.09.2022 12:12

Në vitin 1972, kur ‘Lufta e Ftohët’ ishte në kulminacionin e saj, këshilltarët kryesorë në çështjet e sigurisë të Leonid Brezhnevit, liderit të atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, e informuan atë për pasojat e një sulmi eventual, krejtësisht të paparalajmëruar dhe befauses, me armë bërthamore nga Amerika.

Sipas analizës së këtyre këshilltarëve, të bazuara në vlerësime të sakta shkencore, 80 milionë qytetarë të Bashkimit Sovjetik do të vriteshin në këtë sulm bërthanor. Forcat e armatosura sovjetike do të reduktoheshin, në këtë rast, një mijë herë.

Pjesa evropiane e Bashkimit Sovjetik do të kontaminohej nga radiacioni, dhe madje, do të ishte e pabanueshme për një kohë të gjatë. Bashkimi Sovjetik në tërësi do të kthehej në një shkretëtirë. Sidoqoftë, Brezhnev, si i mbijetuar në këtë rast  (sepse ai dhe lidershipi sovjetik do të shpëtonin në strehimoret e veçanta atomike), do të duhej të reagonte ndaj këtij sulmi të Amerikës.

Skenari i kësaj lufte bërthamore e kishte shastisur Brezhnevit.

Lideri sovjetik, i cili nuk kishte hezituar fare që katër vite më parë  (në vitin 1968), t’i dërgonte Forcat ushtarake të Paktit të Varshavës për ta shtypur ‘Pranverën e Pragës’, apo frymën liberale të udhëheqësisë së atëhershme të Çekosllovakisë, (prej këtij intervenimi do të flitet për ‘Doktrinën Brezhnev’, e cila aplikohet në rast të përpjekjes së një shteti të Kampit komunist për t’u larguar nga orbita e Moskës zyrtare), kishte mbetur pa fjalë kur i kishte kuptuar detalet e një sulmi të kësisojt amerikan.

Në një ushtrim ushtarak i cili u ndërmor pas prezentimit të kësaj rrjedhe teorike apokaliptike, Brezhnev duhej ta shtypte pullën e kundërpërgjigjes sovjetike ndaj SHBA-së.

Në këtë rast, lideri sovjektik do t’i lansonte tri raketa të mirëfillta interkontinentale, por jo me mbushje bërhamore. Ato kishin bomba klasike në vete.

Edhe pse e tëra nuk ishte gjë tjetër pos një ushtrim ushtarak, siç kanë pohuar më pas dëshmitarët e këtij rasti, Brezhnev, para se ta prekte pullën, ishte zverdhur dhe duart i dridheshin.

Brezhnev e pa të udhës ta pyeste edhe një herë Minstrin e atëhershëm të mbrojtjes, Andrei Grechko: ‘Andrei Antonovich, a je i sigurtë që e tëra është vetëm një ushtrim ushtarak?’

Lideri i Bashkimit Sovjetik, i cili pra njihej si një politikan këmbëngulës dhe i pamëshirshëm, në këtë rast u pati treguar tej mase i shqetësuar dhe i kujdesshëm. Ai donte të sigurohej që mos ka ndonjë gabim në gjithë këtë operacion të improvizuar ushtarak, dhe mos rastësisht apo gabimisht po lansohet një sulm i mirëfilltë bërthamor ndaj SHBA-së.

Brezhnev e dinte fare mirë se ku është kufiri i veprimit politik dhe ushtarak. Edhe pse, në këtë rast, gjithçka ishte një simulim ushtarak, ai ishte i tmerruar nga pasojat e fillimit të një lufte atomike.

Për javë të tëra e gjithë Evropa po përcjell me vëmendje të madhe çfarë është duke ndodhur në dhe rreth centralit bërthamor në vendin Zaporizhzhia të Ukrainës.

Ky është centrali më i madh atomik në Evropë, i cili prodhon afër 5000 MW energji.

Që në fillimet e agresionit të Forcave ushtarake ruse në Ukrainë, në muajin mars, trupat ruse vendosën nën kontroll të plotë këtë central, i cili megjithatë, vazhdoi të prodhoi rrymë, edhe për shkaqe sigurie, sepse ndalja e plotë e tij paraqet rrezik nga një radioaktivitet i shtuar.

Javëve të fundit ka pasur luftime afër Zaporizhzhias, gjë që ka shtuar shumëfish rrezikun nga një katastrofë bërthamore të ngjashme me atë të Chernobylit  (edhe ky central bërthamor ka qenë në Ukrainë), të vitit 1986.

Ekspertët pohojnë që Zaporizhzhia ka masa shumë specifike të sigurisë, dhe që është në gjendje të përballojë edhe goditje të kufizuara artilerike, por, megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk mund të ndodhë një katastrofë e mirëfilltë nëse ajo do të sulmohet nga armë të rënda artilerike.

Në atë rast, ajo fjalia që ka qarkulluar në Evropë që nga 24 shkurti i këtij viti  (kur nisi sulmi i Forcave ruse në Ukrainë), sipas të së cilës, i gjithë kontinenti është i rrezikuar nga kjo luftë, do të merrte kuptimin e mirëfilltë dhe brutal: Zaporizhzhia do ta kontaminonte me radioaktivitet gjithë Evropën. Kështu zatën pati ndodhur edhe me rastin e Chernobylit.

Për dallim prej Leonid Brezhnevit në vitin 1972, Vladimir Putin, lideri rus, në vitin 2022, (apo pesëdhjetë vjet më pas), nuk e di ku është kufiri i veprimit, apo, nuk do t’ia dijë fare për këtë punë.

Që prej fillimit të kësaj lufte, ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, nuk kanë hezituar të kërcënohen edhe me sulm bërthamor ndaj Perëndimit, poqëse do të rrezikohet siguria e Rusisë. Ndërsa vetëm Putin mund ta bëjë vlerësimin se kur dhe vihet në pikëpyetje siguria e Rusisë.

Në të vërtetë, Putin, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dëshiron t’i imponohet Perëndimit si një pengmarrës klasik, ku në pyetje është paqja dhe siguria e Evropës, nëse këtij nuk do t’i lejohet t’i përmbushë synimet e tij në këtë shtet.

Tani po e shfrytëzon centralin në Zaporizhzhia për këtë qëllim.

Putin nuk ka masë, nuk ka përgjegjësi, nuk ka kufi. Dhe ky zatën ka qenë lajmi më i keq i mundshëm për Perëndimin, që nga orët e para të 24 shkurtit të këtij viti.

 

lajme të ngjashme