Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pengmarrja e pesëfishtë e Kosovës  (II)

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 05.01.2021 09:03

Si shtet dhe si shoqëri jemi shumëfish të varur nga proceset vendore dhe ndërkombëtare politike, të cilat janë burim i pafuqisë, i frustrimeve dhe i dëshpërimit politik.

‘Pengmarraja’ e radhës e shtetit të Kosovës dhe e të gjithë neve si qytetarë të tij, ka të bëjë me konsekuencat pothuaj imediate politike, në të gjitha dimensionet e mundshme, të zhvilimeve në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Të gjithë ne e dimë që disa nga kryeprotagonistët e luftës për çlirimin e Kosovës  (ish-Presidenti Hashim Thaçi, dy ish-Kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, deputeti Rexhep Selimi), që prej 6 nëntorit gjinden në Hagë, në vijim të Aktakuzës së konfirmuar të Prokurorisë së Specializuar.

Sipas të gjitha gjasave, gjatë vitit 2021 do të ketë edhe arrestime të reja të figurave të larta të UÇK-së, teksa akoma nuk dihet se kur do të fillojë gjykimi në bazë të Aktakuzës së parë të Prokurorisë në Hagë.

Pasojat e këtij procesi gjyqësor në Hagë, (apo, të gjykimeve atje), do të jenë të shumëfishta. 

Në radhë të parë, e gjithë shoqëria kosovare, përmes këtyre gjykimeve, dashtë e pa dashtë do të kthehet në vitet e luftës të cilat prodhuan tmerre, tragjedi, shkatërrime dhe vuajtje të shumta për shqiptarët e Kosovës. 

Kemi dalë nga lufta si një shoqëri thellësisht e traumatizuar, teksa tani, ne të gjithë do të duhet prapë të merremi me këtë historinë tonë të rëndë. Kësaj here, do të detyrohemi të ballafaqohemi me një situatë ende të pa-akceptueshme për të gjithë ne, kur në realitet, me proceset gjyqësore mund edhe të mëdyshet një luftë që na ishte imponuar, dhe që na kishte mbetur, në ato vitet e fundit të të nëntëdhjetave, udha e vetme për të shpëtuar nga një robëri e egër e shtetit të Serbisë, madje, për ta siguruar mbijetesën në Kosovë. 

Në anën tjetër, nuk ka kurfarë dyshimi që vet këto gjykime që do të fillojnë këtë vit  (apo tjetrin, në vitin 2022, kjo ende nuk është qartësuar), do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhat politike në vend, dhe në atmosferën e përgjithshme politike në Kosovë, e cila sipas të gjitha gjasave, do të shfaqet si një faktor tej mase vështirësues për dialogun në mes të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel.

Më në fund, edhe mungesa fizike në Kosovë e Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të reflektohet në zhvillimet politike në vend, në radhë të parë në PDK-në, partinë më të madhe që lidhet me trashëgiminë politike dhe historike të UÇK-së.

Në përgjithësi pra, rrëfimi për Dhomat e Specializuara në Hagë është një barrë shumë e madhe historike dhe politike për Kosovën e vitit 2021, e cila do t’i shtohet telasheve të shumta politike dhe ekonomike të cilat po i bartim mbi supet tona, të gjithë ne si qytetarë të Kosovës dhe si shoqëri, pa marrë parasyshë hisen dhe përgjegjësinë tonë në bërjen apo në krijimin e tyre.

Për fatin tonë të keq, këtu nuk përfundon ky kallëzimi i jonë për varëshmërinë tonë prej ngjarjeve dhe zhvillimeve të cilat pak ose hiç nuk janë në duartë tona, prandaj, e bëjnë të fuqishme atë përshtypjen tonë të pengmarrjes të të gjithë neve.

Kosova vazhdon të jetë nën ndikimin e Serbisë si shtet dhe si politikë, pa marrë parasyshë sa jemi ne vet në gjendje ta pranojmë këtë fakt dhe të punojmë në zhbërjen e tij të përhershëm, e cila mund të arrihet, nëse jemi të sinqertë ndaj njeri tjetrit, vetëm përmes Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Këndejpari askush nuk e ka dyshimin më të vogël se si mund të arrihet ky normalizimi i plotë i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet ta njohin njeri-tjetrin. Ky është themeli mbi të cilin do të duhej të bëhej Marrëveshja ligjësisht detyruese që duhet të nënshkruhet prej instancave më të larta të Prishtinës dhe Beogradit.

Por, u tha edhe pak më parë që ky epilog i synuar prej nesh  (dhe i përkrahur parimisht prej të gjitha kryeqendrave perëndimore, pra, prej Washingtonit, Brukselit, Berlinit dhe Parisit), do të hasë, sipas të gjitha analizave dhe parashikimeve të qëndrueshme, në pengesa të shumëfishta, ku nuk do të mungojnë as ato që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimet e pritshme në skenën politike kosovare, në atë periudhën pas-zgjedhore.

Në ndërkohë, derisa pra të mos mbërrihet në finalen e këtyre bisedimeve të cilat në muajin mars të këtij viti do të hynë në decenien e dytë, kur bëhet fjalë për këtë Kapitullin e Brukselit  (dihet që bisedimet teknike në Bruksel kanë filluar në muajin mars të vitit 2011), ne tutje do të jemi në raporte varëshmërie nga Serbia, në Veriun e Kosovës, por edhe përmes ‘Listët Serbe’ si entitet politik, i cili fund e krye kontrollohet nga pushteti i Beogradit zyrtar.

Zatën, kjo është një e vërtetë publike si për Prishtinë, ashtu edhe për Washingtonin, Brukselin dhe të gjitha kryeqytetet perëndimore.

U tha edhe më parë që heqja qafe e kësaj varëshmërie do të jetë e mundur kur të bëhet Marrëveshja e mirëfilltë politike. Në mungesë të saj, do të kemi ende shumë probleme në Veri të Kosovës, por edhe në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës.

Më në fund, në këtë listimin e situatave në të cilat gjindemi si shtet dhe si shoqëri, e të cilat së paku në rrethanat e tanishme, na duken të pazgjidhshme, kemi edhe raportin tonë me Bashkimin Evropian, i cili është më i ndërlikuar se kurrë  (e ai asnjëherë nuk ka qenë i thjeshtë, siç e dimë të gjithë), para se të gjithash, për shkak të një qasjeje dhe të një politike të Brukselit, herë të shprehur hapur e herë të nënkuptuar, sipas të së cilës, BE-ja një herë duhet të merret me konsolidimin e vetëvetes, e vetëm kur të arrihet kjo cilësi inekzistente tash e sa vjet  (për shkaqe të shumta, të cilat nisën në masë të madhe me Brexit-in), do të mund të ri-hapej procesi i vendnumëruar i zgjerimit të BE-së me WB6, apo me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor  (Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën).

Franca e Presidentit Macron, por edhe disa shtete të tjera të BE-së, është autore e kësaj politike krejtësisht skeptike sa i përket ‘perspektivës evropiane’ për këto gjashtë shtete, të cilat, si thuhet shpesh, së bashku përbëjnë një ishull të braktisur dhe të rrethuar nga të gjitha anët me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ky është pa kurfarë dyshimi lajmi më i keq i mundshëm për të gjitha këto shtete, e këtu, tash e sa vjet, më së keqi qëndron Kosova, për shkak të varëshmërisë së trefishtë, të cilën nuk e ka asnjëri prej shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ne si shtet, edhe po të kishte vullnet të njëmendtë në Bruksel për ta zhvilluar më tej Agjendën e zgjerimit të BE-së përmes anëtarësimit të shteteve të kësaj ane të Evropës, jemi drejtpërdrejtë të varur, kur flitet për rrugëtimin tonë kah BE-ja, nga fati i dialogut me Beogradin.

Pa e bërë këtë Marrëveshje, apo, pa e finalizuar dialogun me autoritetet e Serbisë, ne nuk do të njihemi si shtet nga pesëshja refuzuese  (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro), e vetëm kur të përmbyllet ky cikli i sigurimit të njohjeve nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, do të mund ta bëjmë atë hapin vendimtar për anëtarësimin në BE, duke e marrë statusin e shtetit kandidat për tu bërë pjesë e familjes së madhe të shteteve të BE-së  (e cila teorikisht pra, kur dhe nëse hynë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, do t’i kishte 33 shtete anëtare).

Kur flitet për perspektivën evropiane të Kosovës, jemi pra si shtet pengji të dialogut me Serbinë, pastaj, të pesë shteteve të BE-së (të cilat tutje nuk na njohin), dhe më në fund, të qëndrimeve të BE-së për të mos ecur tutje në ndërmarrjen e madhe të rrumbullakësimit të Bashkimit Evropian, dhe të definimit përfundimtar të kufijve të jashtëm të Evropës si kontinent, në këtë dimensionin e organizimit politik.

Në rastin e Kosovës, zatën, ky qëndrim i BE-së po na shfaqet edhe me mungesën e vendimit për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, teksa në marsin e këtij viti, bëhen tri vjet të plota që prej se ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret  (95 kanë qenë në rastin tonë), për ta fituar këtë të drejtë për qytetarët e Kosovës.

Sidoqoftë, po shihet që ne si shtet dhe si shoqëri, si qytetarë të Kosovës, jemi shumëfish të varur nga proceset vendore dhe ndërkombëtare politike, të cilat janë burim i pafuqisë, i frustrimeve dhe i dëshpërimit politik. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme