Pengmarrja e pesëfishtë e Kosovës (I) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 04.01.2021 10:11 04.01.2021 10:11 Shtet pa politikë nuk ka. Kjo dihet. Por edhe me këtë politikën që kemi sot, nuk mund të ketë shtet stabil dhe të qëndrueshëm të Kosovës. Edhe kjo dihet. Si asnjëherë më parë, në këtë historinë e re të Kosovës, e cila fillon me shpalljen e pavarësisë (me 17 shkurt të vitit 2008-të), shteti, shoqëria dhe qytetarët e Kosovës, ia kanë nisur vitit të ri (2021), me ndjenjën e të qenit shumëfish pengji të ngjarjeve dhe zhvillimeve politike të cilat janë lehtë të parashikueshme dhe për më shumë, të cilat janë të pashmangshme dhe të paevitueshme. A do të jenë ato të papërballueshme për të gjithë ne, kjo mbetet të shihet. Megjithësi, aftësia e qytetarëve të Kosovës për t’i përballuar disi të gjitha të këqijat dhe problemet me të cilat ata goditen pothuaj pandërprerë viteve të mbrama, është e jashtëzakonshme dhe për më shumë, për tu admiruar. Zatën, kjo u pa, në mënyrën më të qartë të mundshme gjatë vitit të kaluar. Situata e parë politike e cila e prodhon në vazhdimësi këtë ndjenjën e qenit peng, dhe e cila zë vend edhe në këtë analizë, përkon me tensionet dhe krizat kontinuele politike në Kosovë, që nga viti 2014-të e këndej. Politika e një shteti, pa marrë parasyshë si është e organizuar, sa parti ka, kush janë krejt liderët politik, kur dhe si mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, ka mandatin e qartë të bazuar në Kushtetutën e vendit dhe Kornizën e përgjithshme legale, që të udhëheq me shtetin, të ofrojë dhe të garantojë siguri themelore, stabilitet të përgjithshëm, mirëqenie sociale, perspektivë afatmesme dhe afatgjatë për qytetarët e vet. Politika pra duhet t’i adresojë dhe t’i zgjidhë problemet që ka një shtet dhe një shoqëri, dhe të mundësojë jetë më të mirë. Te ne tash e sa vjet, po ndodhë e kundërta. Politika kosovare, e tillë si është, është burimi kryesor i problemeve politike, ekonomike, sociale, etj.etj, gjë që bën që ajo, në të vërtetë, të jetë destabilizuesi kryesor i shtetit dhe prodhuesi themelor i pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, të cilët gjithnjë e më shumë e shohin largimin nga Kosova në drejtim të Evropës dhe të Perëndimit, si drejtimin e tyre kryesor dhe vendimtar jetësor. Kjo politikë, jo vetëm që nuk po arrinë apo nuk po dëshiron të kuptojë se cila është detyra e saj kryesore karshi qytetarëve dhe nënshtetasve të vet, por për më shumë, e ka humbur ‘udhën në oborr’ (si thuhet), edhe kur bëhet fjalë për rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare në të cilat gjindet ajo vet, apo, nuk po kupton dot që kjo anë e Evropës, dhe mbi të gjitha, Bashkimi Evropian si i tillë, ka ndryshuar shumë krahasuar me BE-në e viteve të luftës në Kosovë (1998, 1999), dhe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Duket pra që kjo politikë është e humbur në kohë dhe në hapësirë. Në përgjithësi, politika kosovare është e tëra e zhytur thellë në një krizë të identitetit të saj, i cili (identitet) ishte lehtë i përcaktueshëm në vitet e nëntëdhjeta (në kohën e Lëvizjes politike për pavarësimin e Kosovës), pastaj, në atë periudhën menjëherë pas luftës (përgatitja për krijimin e shtetit të Kosovës), dhe po ashtu, në ato pak vite pas 17 shkurtit të vitit 2008 (ndërtimi i shtetit të Kosovës). Tash e sa vjet, duket që politika kosovara ka mbetur disi në mes të udhës, pa busollë orientimi, pa një ide të qartë se kah duhet t’ia mbajë, apo, si duhet të organizohet për ta dobësuar një herë, e më pas, edhe për ta zhbërë këtë teposhtëzen e rrezikshme e cila e karakterizon këtë politikë tash e sa vjet, e në vijim, edhe shtetin e Kosovës. Përplasja e vazhdueshme e liderëve dhe e partive të tyre kudo që është e mundur, në Kuvendin e Kosovës, madje, edhe në Qeverinë e Kosovës (midis partnerëve të koalicionit, kjo po ndodhë në tri Qeveritë e kaluara të vendit, me Kryeministrat Ramush Haradinajn, Albin Kurtin dhe Avdullah Hotin, prej vitit 2017 e këndej), dhe në përgjithësi, në skenën politike të vendit, është tipari kryesor dhe vendimtar i politikës kosovare. Përplasja bëhet me qëllim të prodhimit të krizave parlamentare, të cilat pastaj, sjellin epilogun e pritshëm në trajtë të organizimit të zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje (kinse) duhet të ofrojnë zgjidhje për këto kriza parlamentare. Kështu mendohet dhe supozohet. Por, çfarë ka ndodhur më pas, që prej zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2014-të e këndej, kjo është e njohur për të gjithë ne. Tashmë dihet që në muajin shkurt të këtij viti, do të kemi zgjedhjet e reja, të pestat të parakohshme parlamentare që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur. Një tjetër krizë parlamentare (kësaj here, e shkaktuar nga një Verdikt i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që skualifikoi votën e një deputeti dhe rrëzoi Qeverinë e Kosovës), i ka shkaktuar këto zgjedhje, teksa politika kosovare, sërish, në tërësinë e saj, dhe të gjitha partitë veç e veç, gjatë fushatës parazgjedhore, do të ofrojnë një tjetër mëkëmbje politike dhe ekonomike për vendin, në rast të rezultateve të favorshme në këto zgjedhje parlamentare. Dhe kështu me radhë. Shtet pa politikë nuk ka. Kjo dihet. Por edhe me këtë politikën që kemi sot, nuk mund të ketë shtet stabil dhe të qëndrueshëm të Kosovës. Edhe kjo dihet. Në anën tjetër, politika kosovare, sipas të gjitha gjasave, edhe në këtë vit, siç ndodhi thuaja gjatë gjithë vitit të shkuar (2020), do të detyrohet të merret me pasojat a Covid-19, apo të Pandemisë globale. Të gjithë ne, si qytetarë të Kosovës, thuaja në të gjitha aspektet e mundshme, jemi pengji të Coronavirusit. Kosova ka pësuar dëme të shumëfishta, para se të gjithash në njerëz (mbi 1300 viktima), por edhe në aspektin ekonomik (rënia prej mbi 7% në parametrat kryesorë ekonomik), dhe në atë social, si pasojë e këtij virusi. Po mos të ishin remitencat (mbi një miliardë Euro gjatë vitit të kaluar), nga Diaspora, mund të merret me mend se me çfarë krize të madhe sociale do të ballafaqoheshim të gjithë ne. Sidoqoftë, nëse i kthehemi temës së Covid-19, mund të thuhet që nuk ka qartësi të duhur kur flitet me vaksinimin masiv të popullatës kosovare (kur dhe si do të bëhet ky vaksinim), teksa çorodia politike dhe shoqërore ka marrë përmasa të tilla ndër ne, saqë po del (në bazë të hulumtimeve të fundit të opinionit), që mbi gjysma e të anketuarve do të refuzojnë ta marrin fare vaksinën për tu imunizuar nga ky kërcënim i madh për shëndetin e të gjithë neve veç e veç, dhe për ‘shëndetin politik’ të vendit. Nëse njëmend ky hulumtim reflekton opinionin mbizotërues në Kosovë, atëherë, ne si shtet dhe si shoqëri, nuk do të arrijmë atë stadin e një imuniteti kolektiv, i cili do të na mundësonte që t’i kthehemi një normaliteti të mirëfilltë. Mund të supozohet, qysh tash, që pa një vërtetim të vaksinimit, askush prej nesh nuk do të mund të udhëtojë për në Evropë, prej pranverës së këtij viti e tutje. Mbase, ky do të mund të jetë ai shtytësi kryesor (dhe vendimtar), që të gjithë ne të rreshtohemi (aty ku duhet), dhe ta marrim vaksinën për mbrojtje nga Covid-19. Nesër: Si shtet dhe si shoqëri jemi shumëfish të varur nga proceset vendore dhe ndërkombëtare politike, të cilat janë burim i pafuqisë, i frustrimeve dhe i dëshpërimit politik. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.