Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Parlamenti i inferiorëve

123
string(13) "Xhemal Ahmeti" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/12/xhemal-ahmeti.jpg"
nga Xhemal Ahmeti 05.09.2018 09:38

Një ide serbe është rishfaqur si lugat. Serbët duan Veriun. I gjithë shteti, jeta, institucionet e Kosovës në kolaps. Kosova do Luginën – mundësisht pa njerëzit e saj. Psikoterror. Gjithë për ruajtje të kufijve. Asnjëri aty – në kufi. Ashtu siç nuk ishin edhe herët tjerave. Ose ngase ishin kundër kufijve ose ngase ende nuk kishin lindur. Në mensën e AKI-së njëri vrau tjetrin me revole.

Keni vërejtur se saherë vjen puna që të merret ndonjë vendim në raport me Serbinë çrregullohet gjithçka?

Parlamenti bëhet odë ku frikacakët e ikanakët e djeshëm bëjnë Mic Sokolin para grykës së topit; heronjtë e djeshëm bëjnë Shut-in e Karl May-t; Habituset ab alio – ministrat deri dje adiaforik, servil që nga mjekra e deri tek gishtat e këmbës u sajojnë para kamerave epe atyre që i gatuan nga balta po me atë konsistencë siç e kanë ato vorbat e Kërçovës, që dekorohen me damarë lumorë sa t’i kapë e thajë dielli, në stadin pra para se të bëhen copë, pluhur; mediat kanë vetëm një temë, kryedilemë dhe një synim: ta portretojnë triumfator atë që i paguan.

Besoni se në këtë atmosferë qoftë edhe institucioni më periferik i shtetit funksionon si duhet?

Përkundrazi edhe në atë më senziblin shkrepen plumba e vriten njerëz. Gjithçka në përputhje me psikodramat agresive që prodhon ky lloj politizimi.

Nga vjen ky tërbim, çrregullim, panik, nga vjen kjo gjendje alarmi, atmosfere apokaliptike?

Shkrimtarja dhe profesorja afro-amerikane Maya Angelou pyetjes së fundit do i përgjigjej me: “I Know Why the Caged Bird Sings”, shqip: E di pse zogu i kafazuar këndon!

Këndon në këtë formë ngase është rob i kompleksit të inferioritetit karshi ish padronëve. Nuk është frikë. Është respekt autodestruktiv që shqiptarët kultivojnë ndaj serbëve edhe atëherë kur me gojë e me gjeste bëjnë sikur mbytën edhe serbin e fundit të strehuar diku akujve të Sibirisë.

Pse themi kështu? Le ta elaborojmë atë çka ndodhi ditëve të fundit.

*

Le t’ua shkruajmë letrën politikanëve në stilin e Jostein Gaarderit drejtuar Sofisë se kush ishte fillimisht; ideja për venë apo pulën, veja apo pula vetë.

Edhe Shkëlzen Maliqi shkroi se ideja e Serbisë për ta marrë Veriun është e vjetër. Nuk është Daçiqi ideator i saj, por gjyshërit e tij tashmë të ndjerë si Çosiq e kompani.

Shkaku se pse serbët duan Veriun nuk janë banorët e saj – aq sa nuk ishte njëri nga primatët e tyre si Oliveri dhe plotë tjerë para e pas tij. Ashtu siç nuk janë njerëzit shkaku pse Thaçi donë Luginën – por komplet arsye tjera politike.

Askush nuk çanë kokën për njerëz, bëhet fjalë për resurse dhe politikë. Fjala është për zona e burime që Serbia s’do t’i marrë kurrë as me luftë e as me paqe. Ashtu siç nuk e merr dot Kosova Medvegjën ku do mbivotohet çdo synim shqiptar në referendumet e rregullta.

Çka mund të ndodhë janë korrigjime kozmetike sa për sy e faqe që klika nacionaliste serbe mos humb fytyrën para se të nënshkruajë garancitë për njohjen reciproke dhe mos-pengimin e Republikës së Kosovës në subjektivizimin e saj ndërkombëtar.

S’ka më shumë këtu. Jo se nuk është e shkruar në letër, porse kështu do dalë.

*

Po pse reagimi i këtij lloji i opozitës ndaj dialogut kur ende nuk ka platformë konkrete se cila do të jetë përmbajtja e marrëveshjes finale me Serbinë? Kërkesa e tyre supreme e demaskon thelbin e problemit, konfliktit, lojërave, përplasjeve: Ata nuk flasin për ndarjen (e dinë që s’do të ndodhë) por për rrëzim e qeverisë dhe zgjedhje të reja? Tashti qytetari i lodhur pyet me të drejtë veten: “Çka është puna tash? Bëhet fjalë për mbrojtjen e kufijve apo se cili, Hata apo Hita do na udhëheqe katër viteve që vijnë”?

Tjetrin problem të saj që opozita si duket nuk e filtron dot në portalin e mjegulluar besoj të jetë e sintetizuar në këtë mesazh që ma dërgoi një mik, ish i burgosur dhe luftëtar i UÇK-së:

“Është kulmi i arrogancës kur Veton Surroi, Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani e Abdullah Hoti duan ta bindin opinionin se ata mbrojnë Republikën para meje që vuajta burgjeve, luftova me armë, humba njerëzit më të afërt të mi, në një kohë kur këta ose luftonin për të kundërtën ose nuk ekzistonin fare. Të rinjtë ndoshta nuk i dinë këto procese por tjerët që e kanë një moshë duhet ta ndiejnë këtë fyerje inteligjence, përdhunim të çdo etike dhe paskrupullshmëri arrogante njerëzish të sëmurë për pushtet”.

Nuk desha t’i shkruaj këtij mikut për gabimet e kolegëve të tij, ngase ky s’ka asnjë lidhje me ta, por në vete, edhe pse nuk pranoj konsistencën si veti të mirë biografike dhe e di që plotë nga këta që përmend ndoshta kanë sot tjetër qasje, megjithatë, më shtyu ta shkruaj këtë tekst duke parashtruar pyetjen:

Nëse të gjithë nuk doni që të ketë ndarje sipas kërkesave të Serbisë apo sipas gabimeve eventuale të presidentit (që e zgjodhët vetë) Hashim Thaçi pse nuk rrini në Parlament, pse nuk debatoni dhe merrni vendime, por ikni, vini e vani përherë kur tjetri s’është aty. Vërtet besoni se ju beson kush se e keni dhimbje integritetin e Kosovës kur edhe këtij rreziku dini vetëm një çmim t’i jepni dhe që për bosht e finale ulërimën: duam pushtetin!

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme