Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Paqja me vetveten

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 15.06.2022 13:30
blerim shala

Dita e çlirimit të Kosovës, me 12 qershor  (të vitit 1999), tash e sa vjet tek ne shënohet si Dita e Paqes.

Dihet që me 12 qershor të vitit 1999, Forcat e KFOR-it, apo të Misionit ushtarak ndërkombëtar të udhëhequr nga Aleanca Veri-Atlantike, hynë në orët e hershme të mëngjesit në Kosovë, duke shënuar kështu përfundimin e një Fushate 11 javore të Paktit NATO për ndaljen e luftës në Kosovë, e cila veçmas në pranverën e këtij viti kishte shfaqur synimet e pushtetit të Slobodan Miloševićit për shfarosjen e shqiptarëve këndejpari.

Në këtë mënyrë mori fund lufta dyvjeçare në Kosovë, dhe nisi procesi i krijimit të një Administrate Ndërkombëtare, detyra e të së cilës ishte ta demokratizojë vendin, dhe ta përgatisë atë për fazën e definimit të statusit të Kosovës.

Askush, as ndër ne, por as te ndërkombëtarët, nuk ka mundur të hamendësojë, në atë verën e vitit 1999 që do të duhet pritur gati nëntë vjet të plota deri në shpalljen e shtetit të Kosovës. Sepse askush, as tek ne, por as tek ndërkombëtarët, nuk ka pasë asnjë të vetmin dyshim se cili duhet të jetë statusi i Kosovës.

Në këtë ri-kthimin tek vera e para 23 viteve, gjithashtu mund të thuhet që nuk ka mundur të gjendet një politikan a qytetar shqiptar, dhe një politikan apo diplomat perëndimor, i cili ka qenë këndejpari apo edhe në shtetin e tij, që ka mundur të besojë në një spekulim që ta zëmë, 23 vjet pas luftës, Kosova dhe Serbia ende do të gjinden në një relacion që formalisht definohet si armëpushim  (i arritur me Marrëveshjen teknike-ushtarake të Kumanovës, me 8 qershor 1999), apo, që ato ende nuk kanë arritur një Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

E kush prej nesh ka mundur të mendojë, në qershorin e vitit 1999, që ne ende do të merremi shpesh me historinë e luftës në Kosovë dy decenie e pak më shumë pas përfundimit të saj, apo, që ende nuk ka ndodhur ajo shkëputja e mirëfilltë e rrjedhës së çdoditshme politike në vend, nga një histori e rëndë dhe tragjike që do të kujtohet prej të gjithë neve që e kemi përjetuar atë, sa të jemi gjallë.

Nuk ka pasur, prej atij qershori të mrekullueshëm, dhe mbase, as sot e kësaj dite, nuk ka popull më optimist në Evropë se ne shqiptarët e Kosovës. Kur e kalon Ferrin këmbë, për çdo ditë të lume, për dhjetë vjet të plota  (prej vitit 1989 kur nisë Okupimi i egër i Kosovës), dhe kur mbërrin në Parajsë, në çlirimin e Kosovës, në qershorin e vitit 1999, ti mendon që gjithçka është e mundur, që Kosova mund të bëhet shtet i mirëfilltë evropian, me të gjithat e mirat e mundshme, për disa vjet, dhe që mund të bëhesh pastaj anëtar i Aleancës Veri-Atlantike dhe i Bashkimit Evropian për jo më shumë se 15 vjet.

Ndërsa ne, sot e kësaj dite i kemi, realisht, si shtet, si popull, duart dhe këmbët e lidhura nga historia e re e Kosovës, pa të cilën nuk do të çliroheshim dhe nuk do të bëheshim shtet, por e cila tash ka nisur të bëhet një barrë e madhe mbi shpinën tonë, teksa prej nesh, si gjithmonë, (në përvojën tonë historike), kërkohet të vrapojmë një maratonë, me tridhjetë kilogram peshë mbi supe.

Kosova, pa fajin dhe përgjegjësinë e saj, megjithëse ka fituar politikisht, diplomatikisht, ushtarakisht, legalisht  (Mendimi këshillëdhënës i ICJ-së, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë), në konkrontimin e madh historik me Serbinë, ende nuk është në paqe me Serbinë.

Elitat politike të Kosovës, kanë bërë krejt çka është dashur, në të gjitha fazat e bisedimeve me përfaqësuesit e Serbisë, që të arrijnë Marrëveshjen me Serbinë, për t’i dhënë fund kështu, një herë e përgjithmonë, një kontesti historik të nisur në vitin 1912, me okupimin e Kosovës nga Serbia.

Gati një çerek shekulli politikanët e Kosovës bisedojnë dhe negociojnë me politikanët e Serbisë që ardhmënia krejtësisht ndryshe në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet ta zëvendësojë një histori dhe një të kaluar që ka lënë gjurmë tek secili shqiptar i Kosovës.

Nuk ka politikan sadopak serioz në Serbi, që nuk e di cili është epilogu i këtyre bisedimeve.

Paqja dhe Marrëveshja e Kosovës me Serbinë, është interes jetik i te dy shteteve.

Në anën tjetër, ne duhet ta arrijmë Paqen me vetveten, me historinë tonë.

Kemi fituar, jemi çliruar, jetojmë në liri, jemi bërë shtet. Megjithatë, për shkaqe të shumta, për të cilat u shkrua edhe këtu, më parë, duke përfshirë këtu edhe mungesën e Marrëveshjes me Serbinë  (e cila pos tjerash, duhet ta trajtojë edhe çështjen e ndëshkimit politik dhe historik të krimeve të bëra nga pushteti i Miloševićit) ne nuk kemi gjetur atë paqen me vetveten.

Ndërsa arritja e paqes me vetveten është kusht pa të cilin nuk bën nëse duam t’i përmbushim synimet tona kryesore politike dhe qytetëruese.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme