Pa koment shtesë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 29.06.2024 10:09 29.06.2024 10:09 Blerim Shala Me 18 dhjetor të vitit 2013, në Beograd do të hapej ekspozita e familjes Bogujevci, të Saranda, Fatos dhe Jehona Bogujevcit, të cilët mbijetuan ekzekutimin e familjes së tyre në Podujevë, në pranverën e vitit 1999, nga njësitë paramilitare serbe. Titulli i ekspozitës ishte: ‘Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës’. Siç do të reportojnë mediat e kohës, para galerisë, atë mbrëmje do të tuboheshin rreth njëqind ekstremistë serbë me kokarda çetnikësh të cilët do të brohorisnin tërë kohën ‘Kosova është Serbi’ dhe ‘Tradhti’. Megjithatë, Policia e Serbisë do të mbante rregullin. Aty do të ishin edhe pjesëtarët e përcjelljes së afërt të zyrtarëve më të lartë të Serbisë, sepse ekspozitën e familjes Bogujevci, do ta vizitonte vet Ivica Daçiq, Kryeministri i atëhershëm i Serbisë i cili njëkohësisht ishte edhe Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Serbisë. Mediat do të njohtonin që Kryeministri i Serbisë me vëmendje do ta dëgjonte rrëfimin e Saranda Bogujevcit për tmerrin që përjetoi familja e saj. Dačić do të shprehej me një deklaratë të përgjithësuar edhe për media, ku kërkonte që të gjitha krimet e luftës të ndëshkohen. Sidoqoftë, vet akti i Kryeministrit të Serbisë shihej si një shembull pozitiv në drejtimin e duhur të një procesi të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tetë muaj më parë, me 19 prill, në Bruksel ishte arritur Marrëveshja e Parë në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë. Vlerësohej, asokohe, që Kosova dhe Serbia janë në rrugën e mbarë për të arritur një pajtim historik dhe për të përmbyllur një kontest thuaja njëshekullor, të nisur në vjeshtën e vitit 1912 me okupimin e Kosovës nga Serbia. Ky pajtim historik do të bëhej sipër njohjes reciproke formale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mendimi mbizotërues në Washington dhe Bruksel asokohe ishte që e tëra në këtë aspekt mund të sendërtohet brenda pak vitesh, teksa vet lidershipi i Serbisë (ky që është tash ka qenë edhe atëherë, të jemi të qartë), ia kishte mësyer që jo më larg se në vitin 2020, në mos edhe më herët të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Me 27 qershor të vitit 2024, pra gati 11 vjet më vonë, në Beograd është dashtë të mbahet, për herë të dhjetë (jubilare pra), Festivali ’Mirëdita, Dobar dan’, i cili synon t’i afrojë artistat e Kosovës dhe Serbisë, apo, të mundësojë, sado kudo, një bashkëpunim kulturor në mes të dy shteteve. ’Mirëdita, Dobar dan’, madje, përkrahet nga Bashkimi Evropian. Para Dorćol Platz në Beograd, ku pritej të ndodhte hapja e këtij festivali, ishin grumbulluar qindra ekstremistë serbë të cilët njëlloj si ata pararendësit e tyre, në dhjetorin e vitit 2013, kishin të njejtat porosi për autorët e këtij festivali: ‘Kosova është Serbi’, ‘Kosova është zemra e Serbisë’, ‘Ratko Mladić është hero’ (bëhet fjalë për kriminelin e njohur të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë), etj.etj. Po të njejtën ditë në skenë del Ivica Daçiq, i cili më nuk është Kryeministër i Serbisë, por sërish është Ministër i Punëve të Brendshme. Ministria e tij mori vendimin për ndalimin e Festivalit ‘Mirëdita, Dobar dan’, për shkak të ‘rreziqeve të sigurisë’. Në të vërtetë, ky veprim ishte paralajmëruar tash e sa ditë nga zyrtarët e lartë lokal (të Beogradit) dhe të qendrës (të Qeverisë së Serbisë). Për ta, mbajtja e kësaj ngjarjeje kulturore është cenim i rendit kushtetues në Serbi, teksa kultura e vetme kosovare që ekziston është ajo e populllit serb, sepse shqiptarët nuk kanë fare kulturë, etj.etj. Mbase, ky krahasim në mes të dy datave, njërës në dhjetorin e vitit 2013 e tjetrës në qershorin e vitit 2014, tregon më së mirë se sa keq ka degraduar një ndërmarrje ndërkombëtare e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe të pajtimit në mes të dy shoqërive. Edhe atëherë, edhe tash, emri i Ivica Dačićit ishte kryeprotagonist, teksa edhe asokohe, edhe tash, bëhet fjalë për një pushtet që udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq, sundimtari i Serbisë. Nuk ka çka t’i shtohet dhe as çka t’i hiqet këtij rrëfimi që nisë në dimrin e para njëmbëdhjetë viteve e kryhet në verën e këtij viti. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.