Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Nuk ka më ëndrra  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 15.11.2022 09:25
Blerim Shala
Blerim Shala

Deri para disa viteve, Grand Finale ishte një lloj ‘kodi’ i cili nënkuptonte fazën  konkluduese të bisedimeve në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për bërjen e  Marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy  shteteve.

Kohëve të fundit, Grand Finale është titulli i cili synon të tregojë epilogun e një udhëtimi  të gjatë plot dhjetë vjet të Kosovës për të siguruar udhëtimin pa viza në Evropë. Brenda pak viteve pra, ka ndodhë një devalvim i kësisojt i një terminologjie me pretendime  të larta për të shënuar epilogun e bisedimeve të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat në majin  e vitit të ardhshëm (2023), do të mbërrinë në çerek shekulli të zhvillimeve të tyre. Lajmet e fundit (a thua?) për Liberalizimin e vizave përmendin 1 dhjetorin e vitit 2023, si  ditën kur kosovarët do të mund t’i bashkohen popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, të  cilët tash e më shumë se një decenie kanë fituar këtë të drejtë.

Pra, duket që instancat më të larta të Bashkimit Evropian, apo, thënë më ndryshe, shtetet  anëtare të BE-së (sepse këto ‘instancat më të larta’ të BE-së tash e sa vjet i subordinohen  plotësisht vullnetit të kryeqendrave të Bashkimit Evropian), do ta dhënë pëlqimin që  Kosova të hyjë në ‘Listën e bardhë’ të Schengenit. Por kjo do të bëhet me kusht: Nëse deri  me 1 nëntor të vitit të ardhshëm, do të hyjë në fuqi mekanizmi ETIAS, atëherë ne do të  udhëtojmë pa viza me 1 nëntor, ndërsa në të kundërtën (nëse pra BE sërish dështon në  aplikimin e ETIAS), kjo do të ndodhë me 1 dhjetor.

Asnjë shtet në historinë e Liberalizimit të vizave nuk është trajtuar kështu si Kosova. Asnjë. Së pari, kurrë nuk ka ndodhur që plot 65 muaj pasiqë një Qeveri i ka plotësuar të gjitha  kriteret e Komisionit Evropian, qytetarët e atij shteti të presin për të udhëtuar pa viza.  Kosova e ka përmbushur kriterin e fundit të Komisionit Evropian në muajin mars të vitit  2018.

Së dyti, kurrë nuk ka ngjarë që 11 muaj pasiqë BE të merr vendimin për Liberalizimin e  vizave për një shtet dhe qytetarët e tij, këta qytetarë të mos jenë në gjendje të udhëtojnë pa  viza në Zonën e Schengenit.

Së treti, nëse njëmend në fund do të del që kosovarët do të nisin ta aplikojnë këtë të drejtë  me 1 nëntor të vitit të ardhshëm, me hyrjen e njëkohshme në fuqi të ETIAS, atëherë,  realisht, do të del që qytetarët e Kosovës asnjë herë të vetme nuk ia kanë mësyer Evropës  vetëm me pasaporta biometrik, siç ka ndodhë me të gjitha shtetet e tjera dhe qytetarët e tyre  të cilat e kanë ushtruar qëmoti këtë liri të lëvizjes.

ETIAS nuk ka domethënien e ndonjë vize të re. Kjo dihet. Megjithatë, dihet poashtu që  ETIAS nënkupton që disa ditë para se shtetasit e Zonës jashtë BE-së, të udhëtojnë për  ndonjë shtet të Bashkimit Evropian, ata janë detyruar t’i informojnë autoritetet e BE-së për  udhëtimin e tyre.

Nëse pra ky do të jetë ‘fati final’ i kosovarëve në rastin e Liberalizimit të vizave, pra, që  hyrja jonë pa viza në Evropë do të koincidojë me hyrjen në fuqi të ETIAS, atëherë do të del që ne, në të vërtetë, asnjë ditë të vetme nuk do ta gëzojmë udhëtimin e thjeshtë pa viza  dhe pa paralajmërim tek autoritetet e BE-së.

Në të kundërtën, nëse tutje do të ketë prolongim të mekanizmit ETIAS në BE, së paku për  një kohë, apo, prej 1 dhjetorit të vitit të ardhshëm, ne do të udhëtojmë si gjithë të tjerët. Sidoqoftë, i gjithë ky rrëfimi për Kosovën dhe BE-në, në këtë aspektin e Liberalizimit të  vizave, edhe me këtë happy end-in e paralajmëruar, nuk është aspak inkurajues për  qyetatarët e Kosovës. Përkundrazi. Është dëshpërues dhe zhgënjyes, në të vërtetë. Sikur kjo e drejtë të fitohej atëherë kur e kemi merituar, apo, në fundvitin 2018-të, s’do  mend që këndejpari do të kishte festë. Do të ishte, e tëra, një shenjë e mirë që ne jemi në  rrugë të drejtë dhe që BE-ja funksionon si duhet dhe që mbanë premtimet e veta.  Tani, asgjë nuk do të jetë siç do të duhej të ishte.

Por ky është realiteti. Kjo është Evropa dhe Bota e vitit 2022.

Nuk ka më ëndrra. Veç realitet.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme