Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Nuk ka më “Business as usual”

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 06.10.2023 11:14
Blerim Shala
Blerim Shala

Dialogu do të vazhdojë. Por, nuk mund të jetë ‘business as usual’, apo dialogu të ecën tutje thuajse asgjë nuk ka ndodhur gati dy javë më parë në Banjskë të Zveçanit.

Duket që ky qëndrim përmbledhë në dy fjali një realitet kompleks që përkon me bisedimet në mes të autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

Me atë të moçmen tonë, dihet që udhët gjinden lehtë kur thyhet qerrja. Por, kur flasim për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, duket që ka pasë shenja të bollshme paralajmëruese që ‘qerrja e bisedimeve’ ka devijuar shumë nga ajo rruga e trasuar me Marrëveshjen themelore  (të Brukselit, të 27 shkurtit të këtij viti), dhe që është punë ditësh a javësh kur edhe mund të përplaset diku.

Natyrisht, ngjarja e Banjskës para se të gjithash është rezultat i vazhdimësisë së një politike të gabuar, të mbrapsht, të rrezikshme të lidershipit të Serbisë, emrat e të përveçëm e të të cilit në historinë e gjatë të raporteve Kosovë – Serbi, nuk kanë sjellë gjë të re. Përkundrazi.

Megjithatë, nuk ka si të mos venerohet edhe një relacion shkak – pasojë, midis vendnumërimit evident në ndërmarrjen ndërkombëtare, të prirë nga Bashkimi Evropian, të zbatimit të Marrëveshjes themelore dhe të Aneksit të Ohrit, dhe ngjarjeve në Banjskë.

Teksa ambienti fillestar politik dhe i sigurisë për një shpërthim të këtillë, u krijua personalisht nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me dy veprimet e tij që mundësuan krijimin e një vakumi të gjithëfarshëm politik dhe të sigurisë në Veriun e Kosovës.

Vuçiq së pari këmbënguli që të gjithë zyrtarët, policët, gjyqtarët serbë t’i braktisin institucionet e Kosovës, në nëntorin e vitit të kaluar, teksa më pas, urdhëroi bojkotimin e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat e Veriut, të cilat u mbajtën në muajin prill.

Pra, më para do të ishte befasi poqëse diçka e tillë (si rasti i Banjskës), nuk do të ndodhte në veri, e jo e kundërta.

Befasia këtu shumë më tepër përkon me arrogancën dhe mendjelehtësinë e Beogradit zyrtar në qasjen e tij nga ky rast, i cili i dyzuar me një reagim të jashtëzakonshëm të autoriteteve të Kosovës, u shfaq me një tabllo fare transparente për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të pushtetit të Serbisë për organizimin e këtij njësiti paraushtarak në veriun e Kosovës.

Për këtë shkak, zatën, është e pamundur (apo, thënë ndryshe, është e domosdoshme), që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të mos ndikohet, në një mënyrë, apo tjetrën, nga ngjarja e Banjskës.

Para se të gjithash, siç u theksua tashmë në ballë të këtij shkrimi, ai parimi i njohur politik dhe biznesor ’business as usual’, si një synim për t’i anashkaluar disi zhvillimet që kërcënojnë drejtimin kryesor politik dhe ekonomik, nuk vlen pesë pare në këtë rast.

Duhet të sanksionohet ndërkombëtarisht autorësia e pamëdyshtë e Beogradit zyrtar në shpërthimin e kësisojt të dhunës me synim të destabilizimit të plotë të veriut të Kosovës.

Pastaj, duhet të krijohen rrethanat politike dhe të sigurisë të cilat do të pamundësonin përsëritjen e Banjkës, teksa mund të supozohet pa bërë fare gabim që nëse diçka e tillë do të ndodhë sërish në Veri, pasojat do të jenë shumëfish më të këqija, më të rënda, se sa me 24 shtator.

Në këtë kontekst, ta zëmë, është e udhës që të tejkalohet ai vakumi politik dhe i sigurisë në Veriun e Kosovës, i cili u përmend më parë.

Më në fund, është e qartë për të gjithë ne, e me gjasë, ky konkludim na bashkon neve dhe faktorin ndërkombëtar, që duhet punuar në ndryshimin thelbësor të procesit të zbatimit të Marrëveshjes themelore dhe të Aneksit të Ohrit.

Tek e mbrama, Presidenti i Serbisë Vuçiq në shumë raste që nga marsi i këtij viti, ka mëdyshur vet ekzistencën e kësaj Marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo, ka shtuar që ai do t’i zbatojë vetëm ato nene të saj të cilat nuk bien ndesh me Kushtetutën e Serbisë.

Tolerimi i kësaj qasjeje të liderit serb ndaj Marrëveshjes themelore ka qenë hap i gabuar i BE-së.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme