Nobeli për Bob Dylanin, lëvizja e kufijve të letërsisë - Klan Kosova

Nobeli për Bob Dylanin, lëvizja e kufijve të letërsisë

123
string(15) "Muhamet Mustafa" string(64) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/02/mustafa_bio.jpg"
5 years më parë

Robert Allen Zimmerman, i njohur botërisht si Bob Dylan (Bob Dillën), mori Çmimin Nobel për Letërsi sepse „ka krijuar shprehje të reja poetike në gjirin e traditës së madhe amerikane të këngës“, ka thënë Komiteti Nobel të enjten, më 13 tetor 2016.

Dylan-i është amerikani i parë që u nderua me këtë çmim pas Tony Morrison-it, që mori Nobelin në vitin 1993.

Është ripagëzuar Bob Dylan duke marrë për vete emrin e poetit të njohur të Uellsit (Mbretëri e Bashkuar), Dylan Thomas, i përmendur për performancën që i ka bërë poezisë së vet. Lajmi se Bob Dylani ka marrë Nobelin për Letërsi ka habitur shumëkë. Më ka habitur edhe mua në njëfarë dore, për arsye se çmimin më të madh letrar e mori një shkrues këngësh, shkrimtar vargjesh lirike jashtë kanonit të naltë letrar. Do të doja të përkujtoj se diçka e ngjashme ka ndodhur edhe vitin e kaluar.

Svetllana Aleksieviq (Svetlana Alexievich), shkrimtarja belloruse, ka marrë Nobelin për një soj letërsie jofiksionale (non-fiction).

Nobeli e kishte quajtur shkrimtarinë e saj „shkrime polifonike, një monument i vuajtjes dhe guximit në kohën tonë“. Libri i saj më i ri në anglisht, botuar më 2016, quhet „Second-Hand Time“ (Kohë e dorës së dytë; diçka si kohë e bajtun).

Për fund, le të kujtojmë faktin se Uinston Çërçilli (Winston Churchill), ndoshta kryeministri më i mirë britanik i shekullit XX, ka fituar Nobelin për Letërsi më 1953 me motivacion „për mjeshtërinë e tij të përshkrimit historik dhe biografik si dhe për gojëtarinë e shkëlqyeshme në mbrojtjes të vlerave të larta humane“. Edhe ky për Nobel për letërsi joimagjinative. Duket që pahetueshëm po lëvizin kufijtë e letërsisë. Të paktën në sytë e Komitetit të Nobelit.

Muhamet Hamiti është profesor i letërsisë angleze dhe amerikane në Universitetin e Prishtinës. Hamiti ka botuar sivjet librin studimor “Proza moderne: Xhozef Konradi dhe Xhejms Xhojsi”.