Njohja reciproke dhe njohja e zgjerimit të BE-së 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 12.06.2022 13:25 12.06.2022 13:25 Vizita e parë në Ballkan e Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, e zhvilluar këto ditë, shfaqi një vendosmëri dhe qartësi të Berlinit zyrtar sa i përket perspektivës evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe synimit të Qeverisë gjermane për ta dinamizuar Procesin e Berlinit të lansuar në vitin 2014 nga Kancelarja Merkel. Në anën tjetër, Kancelari Scholz në Prishtinë, pas takimit me Kryeministrin Kurti, theksoi në mënyrë të prerë që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të konkludohet me njohje reciproke të këtyre dy shteteve. Nuk ka dyshim që këtë qëndrim Scholz ia ka transmetuar edhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vučić, gjatë takimit të tyre në Beograd, edhe pse Kancelari gjerman nuk e potencoi këtë pozicion të Berlinit zyrtar në Press konferencën e përbashkët me Vučićin, në përfundim të ballafaqimit të tyre. Vet Presidenti Vučić e pa të udhës ta theksojë këtë fakt, duke u shprehur i befasuar që po dëgjon një kërkesë e tillë publike edhe në Evropë, teksa nga Amerika (në dy Administratat amerikane, të Presidentit Trump dhe Biden), tash e tre vjet është artikuluar ky qëndrim që bisedimet e Brukselit duhet të kenë si epilog njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tonet goxha të ashpëra të kësaj Konference për shtyp, nga ana e Presidentit Vučić, në prani të Kancelarit Scholz, e përkujtuan pak a shumë të njejtën atmosferë në paraqitjen para mediave, në muajin gusht të vitit 2011, të Presidentit të atëhershëm të Serbisë, Boris Tadić dhe Kancelares Angela Merkel. Edhe atëherë, bëhej fjalë për Kosovën. Merkel i pati kërkuar Tadićit zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë në Veriun e Kosovës, teksa ai pati refuzuar ta bëjë atë gjë. Me t’u kthyer në Berlin, Zyra e Kancelarit rikonfirmoi sërish qëndrimin rreth njohjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse për Scholzin është e paimagjinueshme që dy shtete që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Varëshmëria e drejtpërdrejtë në mes inkuadrimit të Serbisë në BE dhe njohjes së Kosovës, në të vërtetë, nuk është diçka e re, as për Vučićin dhe as për politikanët e tjerë relevant të Serbisë. Por, ky relacion i një domosdoshmërie të pashmangshme në këtë relacionin e njohjes së Kosovës dhe hyrjes në BE, nuk është thënë publikisht dhe në këtë mënyrë nga ndonjë zyrzar i BE-së, në rrethanat të cilat sa vijnë e vështirësohen për Presidentin Vučić, në vijim të presionit të vazhdueshëm të Brukselit dhe kryeqendrave të tjera të Perëndimit, që Serbia të nisë të aplikojë sanksionet kundër Rusisë, për shkak të Luftës së shkaktuar në Ukrainë. Si një politikan i cili përherë shfaqet me qasje dramatike para opinionit të vet, Vučić, veçmas pas kësaj vizite të Scholzit, do ta gjejë veten të shtrënguar të marrë vendime kapitale për Serbinë (dhe në emër të Serbisë), teksa ai nuk ka fare vullnet të veprojë në këtë mënyrë. Argumentet e tij në kundërshtim të përqafimit të politikës së sanksioneve ndaj Rusisë, gjetën vend edhe në këtë Press konfrencën me Scholzin. Varëshmëria e tij nga Rusia në fushën e energjisë është absolute, teksa në masë të madhe edhe me fajin e tij, varëshmëria emocionale politike e qytetarëve të Serbisë nga Rusia është shumë e madhe. Ndërsa, sipas fjalëve të vet Vučićit, madje, të thëna edhe pas betimit të tij në fillim të mandatit të tij të dytë presidencial, në Kuvendin e Serbisë, varëshmëria e ardhmënisë së Serbisë nga BE-ja është e plotë dhe e pazëvëndësueshme. Si do t’ia bëj Vučić me këto tri varëshmëritë e tij dhe të Serbisë, mbetet të shihet në javët dhe muajtë e ardhshëm. Por, Scholz ia bëri me dije që synimi i Serbisë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, kalon nëpër Dialogun e Brukselit dhe Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke. Derisa është krejtësisht e kuptueshme që Kancelari gjerman Scholz e sheh njohjen në mes të Kosovës dhe Serbisë së kushtin primar që Serbia të hyjë në BE, Presidenti Vučić, me siguri në takimin që ka pasur me Scholzin, ka ngritur temën e afateve konkrete kohore kur Serbia do të mund të inkuadrohej në BE? Apo, a është BE-ja unike (veçmas Franca dhe Gjermania), për zgjerimin e saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për aq kohë sa në Bruksel nuk do të zhbllokohet procesi i zgjerimit të BE-së kah kjo anë e Evropës, për aq kohë nuk mund të pritet që Presidenti serb Vučić do të jetë i gatshëm madje edhe të bisedojë seriozisht për substancën e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Vučić në këtë mënyrë do të ndërlidhë afatet konkrete kohore për hyrjen e Serbisë në BE, me bërjen e Marrëveshjes me Kosovën.