Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Njëzet vjetët e 11 shtatorit 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.09.2021 09:06
Blerim-Shala

Historianët bashkëkohorë, me atë sensin për Filozofinë e historisë dhe për zhvillimet  politike, kanë vlerësuar, me të drejtë, që Shekulli XX ka marrë fund në ato orët e mbrëmjes  të 9 nëntorit të vitit 1989, në qytetin e Berlinit, kur nisi rrëzimi i Murit që ndante një qytet  (Berlinin), një komb (gjerman), një kontinent (Evropën) dhe një Botë (në Perëndim dhe  në Lindje).  

Ky Shekull (XX), kishte nisur me 28 qershor të vitit 1914 në Sarajevë, kur do të vritet, nga  nacionalistët serbë, Franz Ferdinandi, trashëgimtari i fronit të Perandorisë Austro Hungareze. 

Rrjedha kryesore historike dhe politike e këtij Shekulli më të shkurtër politik, pra, i lidhë,  në mënyrë të qartë, të logjikshme dhe të qëndrueshme këto dy ngjarje, në Sarajevë dhe në  Berlin, me dy Luftëra Botërore, dhe me një ‘Luftë të Ftohtë’. 

Fitorja e Perëndimit ndaj Lindjes, e Demokracisë ndaj Komunizmit, u arrit, në vitet 1989- 1991, pa një plumb të shkrepur. 

Në këtë kontekstin gjithpërfshirës historik dhe politik, luftërat të cilat i bëri Serbia, në ato  vitet e shpërbërjes së ish-RSFJ-së (në vitet 1991-1995 në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e  Hercegovinë, dhe në vitet 1998, 1999, në Kosovë), ishin të paracaktuara për disfata, sepse  ishin kryekëput në kundërshtim me këto rrethanat e reja politike në Evropë dhe në Botë. 

Në anën tjetër, kjo qasje e veçantë dhe njëkohësisht e sakt politike dhe historike, ka zënë  edhe momentin (ditën), kur ka filluar Shekulli XXI në historinë ndërkombëtare.  Me 2 gusht të vitit 1990, pra, gati nëntë muaj pas thyerjes së madhe në Berlin, Iraku i  Sadam Huseinit do ta invadonte Kuvaitin, një shtet sovran, dhe do ta aneksonte, apo, do ta  bënte pjesë të Irakut. 

Me gjasë, Husein nuk ka mundur të gjejë moment më të keq për ta bërë këtë agresion. Rendi i vjetër ndërkombëtarë ishte bërë shrumb e hi, nuk kishte kush në Botë që do të mund  ta përkrahte ate në këtë akt brutal që tallej me sovranitetin e një shteti shumë të pasur me  naftë, prandaj, SHBA-ja dhe atëherë Bashkimi Sovjetik, e patën fare të lehtë të bëhen  bashkë në dënimin e këtij okupimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Për më shumë, pikërisht ky veprim i Huseinit, do të bëhej sebep që George H.W. Bush,  Presidenti i 41-të i SHBA-së, (natyrisht, duke marrë parasyshë edhe atë çfarë kishte  ndodhur pak muaj më parë në Berlin dhe në Evropë), ta formulonte, në vija të përgjithshme,  konceptin e ‘Rendit të ri Botëror’ (‘New World Order’), në të cilin assesi nuk mund të  lejohen më agresione të këtilla të më të fuqishmëve ndaj më të dobëtëve, ku drejtësia do të  mbizotërojë mbi padrejtësinë, ku sundimi i ligjit do të ngadhnjejë mbi ligjin e xhunglës.  Krijimi i ‘Rendit të ri Botërorë’, siç do të theksojë Presidenti Bush me 11 shtator të vitit  1990 (çfarë koincidence, sa i përket datës), në Mbledhjen e përbashkët të Kongresit dhe  Senatit Amerikan, është i pamundur pa lidershpimin amerikan. Kredibiliteti dhe  qëndrueshmëria e Amerikës është a pakontestueshme kur përballet me tiraninë, pohoi  Bush. 

Dihet çfarë do të ndodhë në Luftën e parë të SHBA-së dhe një Aleance të madhe politike  të cilën e mblodhi Presidenti Bush, në Irak, në vitin 1991. 

Me 11 shtator të vitit 1991 (sërish një tjetër koincidencë), Presidenti Bush sërish do t’i  drejtohet Kongresit dhe Senatit Amerikan, tani, me atë rezultatin apo suksesin e parë në  ndërmarrjen e bërjes së këtij ‘Rendi të ri Botëror’, sepse Iraku u ndëshkua, Kuvaiti u çlirua,  atij iu kthye sovraniteti .  

‘Tani mund të shohim se çfarë Bote po krijohet. Rendi i ri Botëror. Në fjalët e Winston  Churchilllit, kjo është një Botë në të cilën parimet e drejtësisë mbrojnë të dobëtit para të  fortëve. Një Botë në të cilën liria dhe respektimi i të drejtave të njeriut, gjejnë shtëpinë  përballë të gjitha shteteve’, theksoi Bush në këtë Sesion të veçantë të kongresmenëve dhe  senatorëve amerikanë. 

A mund të paramendohet çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës (në vitet 1999 dhe 2008) pa  këto Parime të cilat i përmendi Presidenti Bush në këtë fjalim?  

Fati i Kosovës, të cilin sot e gëzojmë të gjithë ne, është pasojë e drejtpërdrejtë e përpjekjeve  të SHBA-së dhe të Perëndimit në përgjithësi, për ta krijuar këtë ‘Rend të ri Botëror’. Në ndërkohë, megjithatë, kjo ndërmarrje e madhe nuk pati sukses, apo, ajo pësoi një  zhvendosje dramatike me sulmet terroriste të Al Qaeda-s të 11 shtatorit të vitit 2001, rrafsh  dhjetë vjet pas mbajtjes së këtij fjalimi të Presidentit Bush në Washington. Për përcjellësit e vëmendshëm të rrjedhës historike, nuk është fare vështirë për tu parë ajo  linja e qartë që bashkon 2 gushtin e vitit 1990 (okupimin e Kuvaitit nga Iraku), dhe 11  shtatorin e vitit 2001, teksa në ndërkohë, në Afganistan, do të ngadhnjejnë Talibanët, pas  tërheqjes së forcave ushtarake sovjetike, në shkurtin e vitit 1989 (pak para përfundimit pra  të Shekullit XX). 

Kjo vija kryesore historike dhe politike e Shekullit XXI, deri më tash së paku pra, ka nisur  në shkretëtirat e Kuvaitit, me 2 gusht të vitit 1990, ka vazhduar me luftën e Aleatëve ndaj  Irakut, në vitin 1991, pastaj, ka marrë një shtytje të jashtëzakonshme me 11 shtator, 2001,  me aktet terroriste të Al Qaeda-s, teksa më pas, fitoi trajtën e një Projekti të madh politik  dhe historik të Amerikës, për shkatërrimin e kërcënimit terrorist dhe ndërtimin e  demokracisë në Afganistan dhe në Irak, dhe kudo që është e mundur në shtetet arabe.  

11 shtatori i vitit 2021, kur shënohet njëzet vjetori i sulmeve që tronditën Amerikën dhe  Botën, e gjen SHBA-në dhe Perëndimin në një situatë që shquhet me një mori pyetjesh, të  cilat në muajtë dhe vitet (në mos edhe deceniet e ardhshme), do të marrin përgjigjet e  duhura. 

Bota sot është një vend shumë më i pasigurtë politikisht (dhe jo vetëm politikisht), se sa  që ka qenë pas rrëzimit të Komunizmit.  

Megjithatë, si atëherë, ashtu edhe tash, lidershipi i Amerikës është garanca e vetme, apo ky  lidership nuk ka alternativë, që Bota të mos rrëshqasë në një kaos të madh dhe të  rrezikshëm. 

Ky lidership ka vlerë të jashtëzakonshme edhe për stabilizimin afatgjatë të Kosovës. Këtë e dimë mirë ne të gjithë. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme