Njësia matëse e tragjedisë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 11.02.2023 10:20 11.02.2023 10:20 Cila është njësia matëse e një tragjedie? A mund fare të përshkruhet, sidoqoftë, një tragjedi? Statistikat flasin gjithmonë. Edhe në këtë rast. Edhe kur kemi të bëjmë me një fatkeqësi që ka mbërritur nga thellësitë e tokës, në formë të tërmetit. Dhjetëra mijëra vetë kanë vdekur në Turqi dhe në Siri të hënën e kaluar, mw 6 shkurt, në ato orët kur nata nis të dorëzohet dhe kur dita e re përgatitet të shfaqet me atë dritën e parë. Një terr i madh, i përjetshëm, ra mbi gjithë këto jetë njerëzish. Qindra mijëra a miliona të tjerë mbetën pa gjë prej gjëje, për më pak se një minutë kohe, aq sa zgjati kjo dridhja e madhe e Tokës. Do të duhen vite të tëra, mbase, edhe më shumë, që të ndërtohen vendbanimet e reja, banesat dhe shtëpitë e reja, për këta që mbijetuan dhe do të duhen dhjetëra vjet, apo edhe më shumë, që jeta e këtyre (që mbijetuan), të rindërtohet disi. Nëse diçka e tillë edhe do të jetë e mundshme. Këto dhe shumë fjalë të tjera, këta dhe shumë numra dhe statistika të tjera, janë shprehur qindra dhe mijëra herë deri tash në ditët e kaluara. Së bashku me ato tablotë nga ajri, të cilat shfaqin atë brutalitetin e natyrës duke shkatërruar dhe zhbërë në një gërmadhë të madhe qytetet e tëra. Tragjedia e këtillë ka shumë pamje, ka shumë fytyra, ka shumë forma. Ato janë të pafundme. Dhe vetëm sa vijnë e shtohen, me çdo ditë të kaluar që nga e hëna. Njëra prej këtyre pamjeve e bën të qajë secilin që e sheh. Si thuhet, edhe guri do të dëneste në këtë rast. Një fotograf i AFP-së (Agence France-Presse), kishte zënë, pahiri, një baba, të ulur mbi gërmadha, duke mbajtur dorën e vajzës së tij tashmë të vdekur nën gërmadha. Mesut Hencer ishte ky burri, që në këtë mënyrë, duke mbajtur dorën e së bijës 15 vjeçe Irmak, u shfaq në një fotografi që përshkoi gjithë botën. ‘Fotografojeni bijën time’, i ishte drejtuar fotoreporterit të AFP. Babai nuk do të ndahet nga e bija. Një fjali dhe një pamje që mban mbi supe gjithë këtë pikëllim që të rrënon nga brenda. Një tablo të vetme, ku bashkohen një njeri i gjallë, një njeri i vdekur dhe shumë prishje shtëpish dhe ndërtesash, arriti të na tregojë, më shumë se gjithçka tjetër, çka ka ndodhur në Turqinë juglindore, çfarë janë përmasat e dhimbjes së të gjithë atyre që pësuan aq keq nga ky termet. Kjo fotografi është një lloj i certifikatit sa të brishtë jemi si njerëz. Sa lehtë një jetë mund të shndërrohet në rrënojë. Sa shpejt prishet diçka që është ndërtuar për vite dhe decenie të tëra. Kjo fotografi është njësi matëse e tragjedisë si shkaktuar nga ky termet i tmerrshëm. Më pas shfaqen ato pamjet, qoftë si fotografi apo edhe si xhirime televizive, në të cilat shpëtimtarët që erdhën në Turqi nga katër anët e botës (sepse këto ngjarje tragjike përhapen me të shpejtë kudo në botë), nxjerrin nga ndërtesat dhe shtëpitë e shndërruara në gërmadha dhe pluhur ata që patën fatin të mbijetojnë. Tamam është mbijetim. Ta merr mendja që këta të gjithë u lindën edhe një herë. Së pari, nga nënat e tyre dhe së dyti, tash, nga këto rrënoja të cilat disi iu mëshiruan këtyre njerëzve, të cilët dolën në dritë a në jetë, pasi për ditë të tëra ishin të vdekur. Realisht. Fatit të njeriut nuk i dihet. Kurrë. Këto fotografi vijnë dhe bëhen njësi matëse të shpresës dhe të asaj kokëfortësie të jetës njerëzore. Të vdekurit me të vdekur. Të gjallët me të gjallët. Thuhet te ne. Kështu ka qenë gjithmonë. Kështu do të jetë përjetë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.