Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Njeriu në Hënë dhe Ballkani Perëndimor në BE

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 21.07.2022 16:45
Blerim-Shala

Neil Armstrong është njeriu i parë që ka ecur në Hënë, në vitin e largët 1969.

Çfarë mbahet në mend poashtu, prej kësaj arritjeje të madhe të Amerikës në Gjithësi, është fjalia e Armstrongut që kujtohet gjithmonë, me të zbritur në Hënë: ‘Ky është një hap i vogël për njeriun, dhe një hap i madh për njerëzimin.

Pak ditë më parë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, më në fund, nisën rrugëtimin për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Në rikujtim dhe kontekstualizim në deklaratës së një astronauti, në korrikun e vitit 2022, do të mund të thuhej: ‘Ky është një hap i vogël për BE-në, dhe një hap i vogël për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut’.

Nuk është rendi i hapave të mëdhenj politik kur flitet për Bashkimin Evropian.

Megjithatë, dikush do të mund edhe të mos pajtohej me këtë kualifikim të hapave të vegjël të Brukselit, Tiranës dhe Shkupit.

BE-ja ka vite të tëra që me hamendjet dhe dyshimet e veta karshi integrimit (eventual), të Ballkanit Perëndimor, pati imponuar një ‘status’ të ngecjes së plotë të çfarëdo përfshirjeje reale, efektive, të shteteve të tjera të kësaj ane të Evropës  (pos Malit të Zi dhe Serbisë), në BE.

Pastaj, në rastin e Maqedonisë së Veriut, ishte Qeveria e Bullgarisë ajo që iu qep pengesave të tejkaluara të Greqisë  (rreth Emrit), dhe atyre të Francës  (për procesin e zgjerimit si të tillë), teksa fati i Shqipërisë, në këtë rast, ishte i lidhur me atë të fqiut të saj lindor.

Në këto rrethana pra, duket që si BE-ja, ashtu edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë një kërcim cilësor, teksa, edhe kjo arritje si e tillë, duket që ia ka borxh më së shumti tronditjes së madhe në Evropë, e cila u shkaktua nga Rusia e Vladimir Putinit në Ukrainë.

Mbase, në tjera rrethana, këto dy shtete do të vazhdonin të jenë në ‘Listën e pritjes’ së BE-së. Kush e di edhe sa kohë.

Me të nisur këtë udhëtim kah Brukseli, në Tiranë dhe në Shkup nisën të bëhen hesapet se sa vjet do të mund të zgjasë kjo ndërmarrje e ndërlikuar, e rëndë dhe e mundimshme.

Më herët, kur shtetet e tjera kanë nisur negociatat për hyrje në BE, ky proces ka qenë pak  a shumë i parashikueshëm, dhe ai, në masë të madhe është varur nga vet përparimi që shënohej nga shtetet pretenduese për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vullneti i BE-së dhe i shteteve anëtare të saj ishte aty, njëlloj sikurse edhe vullneti i vet shteteve të cilat ia kishin mësyer Brukselit.

Me një siguri të qind për qindtë, tani, në këtë korrikun e këtij viti, kur po nisë ky proces për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mund të thuhet që asgjë nuk është e sigurtë kur flitet për kohën, qoftë edhe të përafërt, kur këto dy shtete do të mund të arrijnë në portën e BE-së.

Në BE, veçmas tek disa shtete, para se të gjithash, në Francë, vullneti për zgjerimin e BE-së graviton kah zeroja. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, kostoja politike për ta mëkëmbur ndërmarrjen e hyrjes së saj në BE, është shumë e lartë, dhe ajo rrezikon t’i dridhë themelet e këtij shteti. Në vend se ta stabilizojë politikën e një shteti, siç ka ndodhur zatën me të gjitha shtetet e tjera pretenduese për hyrje në BE, në rastin e Maqedonisë së Veriut, mund të ndodhë e kudërta: Hyrja në një cikël të rrezikshëm të destabilizimit të këtij shteti, për shkak të kësaj përplasjeje identitare në mes të maqedonëve dhe bullgarëve, e cila do ta përcjell gjithë kohën Shkupin zyrtar në rrugëtimin për në BE.

Në shembullin e Shqipërisë, situata është shumë e qartë, dhe kjo me siguri është një përparësi evidente për Tiranën zyrtare.

Në këtë vitin kur Bashkimi Evropian më në fund ka nisur të lëvizë kah Ballkani Perëndimor, do të ishte befasi nëse Kosova nuk do të përfitonte Liberalizimin e vizave deri në fund të vitit 2022. Megjithatë, këndejpari më kush nuk guxon të parashikojë se kur do të mund të ndodhë ky vendim i BE-së.

Sidoqoftë, vështirë është të imagjinohet dot që BE-ja, si është sot, një strukturë që mezi po funksionon dhe me vështirësi të madhe po merr vendime, do të jetë e njejta kur shtetet e Ballkanit do të ‘aterojnë’ pas një udhëtimi që me gjasë, do të jetë i gjatë dhe me shumë të panjohura.

Bashkimi Evropian e ka të domosdoshme të ndryshojë, po aq sa e ka të domosdoshme të mbijetojë.

Këto dy domosdoshmëri nuk ka kush i mëdyshë në Evropën e sotme, dhe gjithsesi, edhe në Amerikë.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme