Një çerek shekulli në liri 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 12.06.2024 12:24 12.06.2024 12:24 12 qershori është ditëlindja e lirisë së Kosovës. Kjo liri sot i mbushi një çerek shekulli. 25 vjet janë shumë për një njeri, edhe më shumë për një popull. Tej këtyre fjalëve pak a shumë teknike, të cilat i dimë të gjithë ne, çfarë mund të themi është që një distancë e këtillë kohore, nuk ka ndikuar për të mirë ndër ne për ta njohur dhe për ta respektuar sa dhe si duhet atë epokën 1989-1999, me atë Lëvizjen politike dhe ushtarake për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Në të vërtetë, po ndodhë e kundërta: Një histori gjithsesi e paharrueshme dhe e lavdishme nacionale e decenies së mbramë të Shekullit XX, është kthyer në një rrëfim politik të ditës, në një ritual të përvitshëm gjithnjë e më patetik, në një përrallë për të rritur. Distanca kohore midis nesh dhe asaj periudhe, nuk po na bën më të mençur, më të kthjellët, më të matur dhe të më kujdesshëm. Përkundrazi. Kjo histori e madhe, ende disi nuk është paqëtuar, nuk është rahatuar, nuk është stabilizuar, nuk ka marrë atë formën finale të shpjegimit dhe të interpretimit. Kjo histori ende debatohet, mohohet, lartësohet, polemizohet, kundërshtohet. Ta merr mendja që me këto dy datat sipërore të historisë sonë të re, me 12 qershorin (e vitit 1999), dhe me 17 shkurtin (e vitit 2008), nuk janë shënuar ato arritjet kryesore të popullit të Kosovës: Çlirimi i vendit dhe pavarësia e tij. Sidoqoftë, janë disa shkaqe pse ne si shoqëri dhe si vend, si politikë dhe si organizim kolektiv, akoma endemi nëpër këtë historinë e decenies së fundit të Shekullit XX. Janë pesë arsye të tilla: E para, duket që ne ende nuk kemi marrë vesh që kësaj radhe, në këtë luftën e fundit, kemi fituar. Apo, ne nuk po duam ta marrim vesh. E dyta, në Serbi tutje nuk duan të kuptojnë që e kanë humbur luftën finale për Kosovën, dhe që nuk mund ta kthejnë më një territor dhe një popull të cilin e kanë okupuar me forcë dhe me zullum në vitin 1912. E treta, Bashkimi Evropian akoma nuk po e di që gjithçka në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të kthehet në Pikën Zero (si ai guri i Sizifit), nëse së shpejti, për pak vite, nuk do të ketë Marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, bazuar në njohjen formale reciproke. E katërta, edhe ne këtupari, edhe ata në Serbi, më në fund, edhe në Bruksel (në BE), nuk kemi kuptuar që historia nuk njeh abstenim dhe as pushim, apo që ajo të rrëmben para dhe të përplasë, nëse nuk ka forca të organizuara shtetërore por edhe ndërkombëtare (në këtë rast, para se të gjithash, BE-ja), të cilat përpiqen ta kontrollojnë atë dhe t’i dhënë drejtimin e duhur. Arsyeja e pestë mbase është më e rëndësishme, më kryesorja: Historia e viteve të nëntëdhjeta, ajo e cila përjetoi pikën e saj kulmore me Luftën për çlirimin e Kosovës (të viteve 1998, 1999), nuk ka marrë fund, sepse ende janë gjallë shkaqet që e kanë shkaktuar atë. Serbia ka po të njejtat pretendime ndaj Kosovës siç kanë qenë ato të viteve të nëntëdhjeta, gjë që zatën u vërtetua sërish edhe me ‘Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave politike dhe kombëtare, dhe për ardhmëninë e përbashkët të popullit serb’, të miratuar në Kuvendin gjithëseb të mbajtur të shtunën e kaluar, me 8 qershor, në Beograd. Teknikisht, siç është thënë shpeshherë në të kaluarën, Kosova dhe Serbia nuk janë në paqe, por në armëpushim, i cili është nënshkruar nga Aleanca Veri-Atlantike dhe pushteti i atëhershëm i RFJ-së (Jugosllavisë së atëhershme), në Kumanovë, me 8 qershor të vitit 1999. Punët nuk kanë përfunduar si duhet. Ajo bindja naive, pak e jona e pak më shumë e kryeqendrave perëndimore, që pas gjithë atij tmerri dhe tragjedie të skaktuar në Kosovë, Serbia, veçmas ajo pas rrëzimit të pushetetit të Slobodan Miloševićit (liderit të atëhershëm serb) do të pajtohet me një Kosovë të pavarur, dhe do të jetë e gatshme të ndërtojë marrëdhënie të mira dhe fqinjësore, na ka sjellur ku jemi sot, dhe ku në fakt është i gjithë rajoni. Ky rajon është më keq se kurrë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.