Nevoja e rrezikshme e prekjes së Trustit 123 string(11) "Haris Ademi" string(64) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/04/harisiiiiii.jpg" nga Haris Ademi 05.04.2022 14:36 05.04.2022 14:36 Isha i bindur se sistemi i Trustit do të kolapsonte nga interesimi masiv për tërheqjen e 10% të kursimeve pensionale, prandaj në konferencën e 8 dhjetorit 2020 në qeveri, e pyeta kryetarin e bordit të Fondit, Ardian Zalli, nëse e kanë marrë parasysh një telash të tillë, kur pas tri ditëve do të niste zyrtarisht aplikimi. “Ka kapacitet të madh, gati të palimitueshëm, dhe kushdo që dëshiron të hyjë aty, e ka qasjen e palimituar”, u përgjigj ai me plotë siguri se janë përgatitur për çdo valë klikimesh. Në fakt, ky kapacitet pa limit nuk qëndroi as deri në orën 15:00 të 11 dhjetorit, kur u hap aplikimi. Faqja trusti10.org ra. Përmes platformave alternative, vetëm atë ditë aplikuan më shumë se gjysma e kontributdhënësve. Kjo ishte një nga temat mbi të cilat kam raportuar asokohe, e cila ngjalli debat të madh mes politikanëve e ekonomistëve, por zgjoi shumë kureshtjen e qytetarëve, pasi ishte masë që ndikonte drejtpërdrejt te ta. Ishte një nga masat më direkte, pasi afër 200 milionë euro do të hynin menjëherë në treg. Tash e një muaj, e njëjta temë është kthyer në diskutim publik. Njësoj jam i bindur se do të kishte interesim edhe tash, nëse Kuvendi e mundëson një prekje tjetër e Kursimeve Pensionale. Me shumë mundësi, do të isha edhe vetë një nga aplikuesit. Secilit na duhen paratë, sidomos në kohë krizash si sot, kur ekonomia është goditur nga të gjitha anët. Pra, kjo është një nevojë, e ndikuar nga shumë faktorë. POR… (Shumë herë, kjo nuk është thjeshtë një lidhëz bashkërenditëse. Në këtë rast, “por” alarmon, krahas argumentit të fortë se qytetarit i duhet një infuzion i shpejtë ekonomik). …prekja e Trustit herën e parë ishte gabim. E dyta do të ishte rrezik. Janë pesë arsye kryesore pse nuk duhet të bëhet politikë me Fondin: Krijon precedent që, saherë të ketë kriza në të ardhmen, qeveritë ta kenë në xhep skenarin e lejimit të tërheqjes së një përqindjeje nga kursimet e pensionit. Natyrisht, kjo pastaj do të ishte metoda më e lehtë e daljes nga çfarëdo situate. Për më tepër, rreziku tjetër është që ndonjë kryeministri a ministri mund t’i shkojë në mendje edhe ta shfrytëzojë Fondin në tjera forma. Kësisoj, prishet misioni i Trustit. Ato para janë vetëm të destinuara vetëm për një qëllim. Ta sigurojnë një jetë dinjitoze pas pensionimit. Nuk mund t’i shmanget pabarazisë sociale. Tërheqja pa rimbursim është e pakuptimtë, ndërsa rimbursimi si herën e parë është shkelje. Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, paratë e buxhetit të shtetit nuk u ndanë njësoj për qytetarët, kur u rimbursua tërheqja e 10%-shit. Dikujt iu kthyen 10 euro, dikujt 999 euro, e dikujt asnjë cent. Në anën tjetër, një pjesë e punëtorëve funksionojnë në ekonominë joformale, me të cilën shteti ende nuk e ka fituar betejën. Kjo kategori s’ka çka të marrë nga Trusti. Asnjë politikan nuk do ta merrte guximin që këtë vendim ta çonte në Gjykatë Kushtetuese. Me këtë veprim secili politikan do të humbte vota, ani se do ta fitonte rastin, pasi një vendim i tillë do t’i diskriminonte sërish qytetarët që në aktin më të lartë juridik trajtohen si të barabartë. Të papunët dhe kontribuuesit e varfër, si kategoritë që kanë më së shumti nevojë për ndihmë, nuk do të ndikoheshin fare nga tërheqja e kursimeve prej Trustit. Më shumë para do të merrnin kategoritë që praktikisht mund t’ia dalin edhe pa këtë vendim. Pra, që të mos keqkuptohem, fjala është për krizë, jo për nevojën e trashjes së kuletës. Tërheqja e parë nuk kishte efekt afatgjatë ekonomik. Përvoja me Ligjin e Rimëkëmbjes së 2020-ës na tregon se paratë e Trustit patën ndikim afatshkurtër në ekonominë e vendit. Pjesa më e madhe shkoi në konsum. Prandaj nuk mund të mendohet si masë që do ta zbuste krizën në të cilën gjendemi. Rrezikon thellim të inflacionit. Nëse tërhiqen gjithë këto miliona nga Trusti, rritet kërkesa. Por nuk është e sigurt se do të shtohet edhe oferta. Rrjedhimisht, tregtarët do ta shfrytëzonin këtë situatë për ngritje të mëtejme të çmimeve. Nuk është e sigurt sa do ta përballonte Kosova një valë të re inflacioni. Prej qeverisë do të duhej të kërkohej më shumë angazhim, kreativitet, dinamikë e barazi në përballjen me krizën ekonomike. Prekja e Trustit e dembelon atë. Dhe, më e keqja, e rrezikon institucionin që për shumë kohë e ka ruajtur “shenjtërinë” e vetë. (Autori është gazetar në televizionin Klan Kosova, ndërsa ky opinion përfaqëson qëndrim personal të tij dhe jo të redaksisë). *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.