Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Nëse do të bësh diçka, bëje si Toni Kroos futbollin

123
string(12) "Gazmend Syla" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/01/gazmend-syla.jpg"
nga Gazmend Syla 22.05.2024 18:19
Kroos Retirement
Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos. Foto: AP

Bota e futbollit ra në zi, të martën.

Kështu, me gjasë, do të jetë për goxha kohë.

Madje, ka që thonë se futbolli nuk do të jetë më kurrë i njëjtë, pas kësaj dite.

Gjithë ky dëshpërim, fatkeqësisht, ka bazë të fortë. Toni Kroos nuk do ta luajë më futbollin. Ose, thënë më me realitet, nuk do ta dirigjojë më futbollin.

Njëri nga mesfushorët më të mençur, më të saktë dhe më elegantë në botë, ka paralajmëruar se do të pensionohet me të përfunduar të Evropianit 2024, ku merr pjesë me kombëtaren e tij, Gjermaninë, të cilës iu kthye sërish pas disa viteve largim.

Çdo person që në mënyrë profesionale është marrë apo merret me futboll, e mbase edhe me sporte tjera, qoftë ai edhe fans kosovar i Barcelonës, Atletikos së Madridit apo Bayernit, ka ndjerë, me shumë gjasa, dhembshuri për futbollin, nëse jo edhe për Kroosin.

E ata që luajtën me të, u dëshpëruan sa s’bën. Si puna e Fede Valverdes, i cili ka luajtur qe disa vite krah Kroosit në mesfushën e Realit. Ai ka qarë gjithë ditën, të martën, sipas gruas së tij. Dhe kjo ka qenë arsyeja pse Fede ka qenë ndër të fundit që ka shkruar për gjermanin të martën.

Uruguaiani ka thënë se qysh si fëmijë, Kroos ka qenë idol i tij dhe ylli me të cilin ka ëndërruar të luajë.

“Si fëmijë me shumë imagjinatë ne ëndërrojmë të luajmë futboll me një idol, por i cili na duket se është shumë larg, është i paprekshëm dhe e pamundur ta arrish. Ai fëmijë jam unë. Ai fëmijë realizoi ëndrrën e tij dhe luajti me lojtarin të cilin e idolizoi gjithmonë”, ka shkruar Valverde. “Ai fëmijë do të donte të luante edhe dhjetë vjet me ty, Toni. Sepse, kurrë dhe asnjëherë nuk kam ndaluar së qeni ai fëmijë që gjithmonë ka shikuar lart, kah ti”.

Ka të paktën dy vjet që Kroos e Valverde janë baza e mesfushës së Realit të Madridit. Ajo është kompletuar me një tjetër kryemjeshtër global futbolli, kroatin Luka Modriq.

Ky, po ashtu, është ligështuar për largimin e gjermanit nga futbolli aktiv. Ai ka thënë se ka qenë një nder i vërtetë për të ta ndajë mesfushën e Realit me Kroosin. Dhe se e ka shijuar me loçkë të zemrës periudhën prej 10 vjetëve sa e kanë bërë bashkë këtë gjë në Madrid.

“Nuk do të ketë një Toni Kroos tjetër”, ka thënë Modriq duke i atribuuar mikut të tij të gjitha cilësitë që e bëjnë atë futbollist unik dhe special.

Pa asnjë dyshim Kroos konsiderohet të ketë qenë mesfushori që ka bërë dallimin në lojë dhe i cili ka bërë me top çfarë i është tekur. Ai e ka kontrolluar me këmbë topin më mirë se një basketbollist që e bën këtë gjë me dorë. Ai ka ndalur gomën e rrumbullakët kur është dashur të ndalet. E ka shpejtuar lojën kur është dashur të bëhet kjo. Ka gjetur një zgjidhje mrekullie kur i është dashur të dalë nga situata me shumë presion. Ka shënuar gola spektakolarë nga distanca. Ka pasuar gjatë e saktë kurdo që ka dashur, sikur të mos kishte asnjë kundërshtar në fushën e futbollit. E mbi të gjitha, e ka çuar topin aty ku ka dashur, si me magji magnetike. Kështu bëri në gjysmëfinalen e dytë ndaj Bayernit, sivjet, kur çmendi ish-klubin e tij dhe krejt botën me një pasim maestral për Vini Junior, i cili nuk ia çoi posht’ këtë veprim, dukë shënuar gol.

Braziliani nuk do ta harrojë kurrë këtë. Pasi pati shënuar atë gol, e madhëroi Kroosin, sikur ky të ishte një gjysmëperëndi. Dhe kështu e cilësoi, edhe të martën, kur shkroi për largimin e 8-shes legjendare të realit.

“Gjeni. Kjo ishte fjala më e përafërt dhe më adekuate që munda ta gjej për të të përshkruar ty, Toni. Dhe prapë, kjo fjalë është larg nga ajo që ti e meriton…”, ka thënë Vinicius Junior. “Faleminderit për çdo pasim, për çdo udhëzim dhe faleminderit që më mundësove të mësoj kaq shumë në këto vite”.

Toni Kroos është futbollisti që e ka zbukuruar futbollin, deri në art, gati. Ai ua ka bërë të dashur këtë sport edhe atyre që s’e kanë pëlqyer lojën me top këmbe. Mesfushori gjerman i ka dhënë futbollit gjithçka. Por, edhe i ka marr pothuajse gjithçka. Ka plot që thonë se i ka marrë shumë më shumë se ajo çfarë futbolli ekipor mund t’i ofrojë një futbollisti.

Për fat të keq të topave të artë, asnjëri nga ta nuk ishte mjaft i mirë e i paqtë për t’iu dorëzuar Kroosit, duke ia ngjitur atij epitetin e “përlyer” të futbollistit më të mirë në botë. As një titull kampion i Evropës me kombëtare nuk ishte boll i dinjitetshëm për t’u fituar nga ai. Mbetet të shihet nëse EURO 2024 është meritor për gjermanin e akullt. Edhe nëse nuk është, punë e madhe, fort! Kroos e ka bërë të tijën. Futbolli i mesfushorëve do të ndahet përjetësisht në dy epoka. Futbolli i kohës së Kroosit dhe futbolli pas kohës së tij!

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme