Ne dhe shteti 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 17.02.2024 09:47 17.02.2024 09:47 Blerim Shala Sot është ditë kujtimesh. Kështu është gjithmonë kur ne, këndejpari, shënojmë ditët madhore të këtij populli dhe të këtij vendi. Do t’i bëjmë njeri-tjetrit ato pyetjet e rëndomta retorike, siç i bëjmë edhe për kryengjarjet që bënë historinë tonë, të llojit: Ku ishe kur nisi lufta në Kosovë (me 28 shkurt, 1998)? Ku u gjete kur NATO filloi fushatën ajrore kundër Serbisë (24 mars, 1999)? Ku e prite çlirimin e Kosovës (12 qershor, 1999)? Çka bërë në ditën kur Kosova u bë shtet i pavarur (17 shkurt, 2008)? Secili prej nesh e kemi rrëfimin për të gjitha këto data. Për më shumë, kujtimet nuk zbehen dot, edhe pse kalojnë vitet dhe dekadat. Jemi në gjendje, të gjithë ne, të flasim me orë të tëra për të gjitha këto zhvillime, që e bënë udhëtimin tonë të përbashkët (kolektiv), drejt çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. Shteti i Kosovës, në të vërtetë, është një kallëzim i të gjithë neve që jemi gjallë, dhe të shumë brezave të tjerë para nesh të cilët ishin nisur qëmoti në këtë rrugëtim (atje që nga vjeshta e vitit 1912 kur Kosova u okupua nga Serbia). Është thënë edhe më parë, por ia vlen të përsëritet, veçmas në ditët sikur është kjo, kur kremtojmë 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Shtetin e bën, e krijon, e lind, një popull. Por, me të lindur, shteti bëhet at/ baba i popullit. Kemi bërë gjithçka që Kosova të bëhet shtet i pavarur. Por, shteti kërkon gjithmonë punë dhe vlera të reja prej qytetarëve të vet. Për ta çliruar Kosovën dhe themeluar shtetin e Kosovës, kemi sakrifikuar në të gjitha mënyrat e mundshme, duke përfshirë edhe atë më të shtrenjtën: Me jetën tonë. Mbajtja dhe forcimi i shtetit ka sprova të tjera, të ndryshme, të cilat i kemi mësuar në këto vitet që prej se ekziston shteti i Kosovës. Politika, diplomacia, ekonomia, financat, mirëqenia sociale, të gjitha këto veç e veç dhe së bashku (natyrisht), janë shtylla të qëndresës së një shteti. Shteti i Kosovës, këtë e dimë shumë prej nesh, është bërë realitet pos tjerash, falë një kontingjenti enorm të shpresës dhe të durimit që ka karakterizuar thuaja çdo qytetar të këtij vendi, pastaj, gatishmërisë për një bashkëpunim të faktorit politik vendor, dhe gjithsesi, partneritetit që si Lëvizje për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, e krijuam në vitet e nëntëdhjeta (të shekullit të kaluar), me Amerikën dhe Perëndimin në përgjithësi. Sikur të mungonte akëcili prej këtyre ‘përbërësve’ (nëse mund të thuhet ashtu), ne nuk do t’ia arrinim kurrë qëllimit tonë për çlirim dhe për pavarësi. Dhe të gjitha këto rrëfimet tona personale dhe familjare, të cilave u kthehemi sot, me 17 shkurt, 2024, e dëshmojnë këtë konkludim. Ishim së bashku dhe unik në synimet tona. Nuk kishte çmim që nuk ishim në gjendje ta paguajmë për çlirimin. Dhe e dinim që mbështetja e SHBA-së është vendimtare për sendërtimin e ëndrrave tona. Edhe pse sot thuaja gjithçka është ndryshe (edhe moti madje), nga dimri i vitit 2008, kur Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, megjithatë, ato vlerat që në përbashkësinë e tyre ndihmuan në mënyrë thelbësore çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, na duhen akoma, apo, realisht, ato duhet të etablohen si vlera të përjetshme të politikës kosovare. Kjo për më tepër, kur përditë e më shumë po kuptojmë se në çfarë rrëmuje po jetojmë, kur bëhet fjalë për Botën e viteve të fundit. Natyrisht, ato ‘rezervat’ e mëdha të shpresës dhe durimit të secilit prej nesh janë shter qëmoti. Natyrisht, realiteti i shtetit të Kosovës, nuk është ai të cilin e kemi ëndërruar dhe paramenduar. Tek e fundit, ne e kemi idealizuar këtë shtet ende pa lindur. Dhe kemi menduar që askush si ne në Evropë dhe në Botë, nuk do t’ia di rëndësinë lirisë një herë, e më pas edhe shtetit. Nuk ka gjë të re këtu: Këtë ballafaqim me realitetin e kanë pasur shumë popuj dhe vendet e tjera, madje, edhe me një trashëgimi historike shumë më të pasur se ne. Megjithatë, asgjë dhe askush nuk duhet të ndikojë që ne të mos e duam, të mos e çmojmë, të mos e vlerësojmë pafundësisht shtetin e Kosovës. Ai nuk do të bëhej kurrë pa gjithë ne. Dhe ne nuk do të ishim gjë prej gjëje pa te. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.